1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

IWF Jahrestagung

8 Tetor 2009

Takimi vjetor i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore përfundoi të mërkurën (7.10.) në Stamboll me thirrjen për ta shfrytëzuar krizën ekonomike si shans për ndërmarrjen e reformave.

Shefi i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn.Fotografi: picture alliance / dpa

Katër ditë me radhë ministrat e financave dhe zhvillimit nga 186 vendet anëtare të dy institucioneve financiare, diskutuan mbi pasojat e recesionit të rëndë global si dhe mbi strategjitë e mundshme për kohën pas tij. U ra dakord që vendet në prag të industrializimit dhe ato në zhvillim në të dy organizatat të marrin më shumë të drejtë fjale. Shefi i FMN-së, 60 vjeçari Dominique Strauss-Kahn, duhet të ndihet si një zot i ri! Kriza financiare e ka ringjallur FMN-në. Tani ai ndodhet në qiellin e shtatë dhe mund të shpërndajë para me të dyja duart. Strauss-Kahn ka në dispozicion një llogari të mbushur mirë. Në vend të 50 miliardë dollarëve mund të japë kredi në vlerë dhjetë herë më të madhe. Dhe kushtet për këto kredi nuk është e nevojshme të jenë aq strikte sa më parë. Kështu shtohet simpatia për FMN-në, shpesh të urryer. Fondi duhet gjithashtu të zhvillojë një sistem paralajmërimi të hershëm kundër krizës së ardhshme financiare.

Asnjëherë më parë nuk ka qenë koha më e përshtatshme se sa tani për transformimin e FMN-së.

Ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave të G-7 në StambollFotografi: AP

Francezi i pushtetshëm është njeri me përvojë. Ai e ka kuptuar rëndësinë e momentit. Për Strauss-Kahn dhënia më shumë peshë vendeve në prag të industrializimit si Kina, Rusia, apo Brazili sjell vetëm përparësi. Ato do t'i jenë atij përjetësisht mirënjohëse dhe varësia e tij nga SHBA-ja reduktohet. Për Strauss-Kahn kjo është shumë e përshtatshme, pasi edhe ai e pyet veten: ku gjenden forcat e zhvillimit të së ardhmes? Dhe ai mund të hyjë ne historinë e FMN-së si njeriu, që u kujdes për më shumë barazi. Të paktën në botën e FMN-së.

Por zërat e parë po e sjellin shefin e FMN-së nga retë, mbi të cilat qëndron, në truallin e fakteve. Presidenti i Bankës Qendrore gjermane, Axel Weber, është një prej këtyre zërave. Në fjalimin e tij në hapje të takimit ai kërkoi, që pas përfundimit të krizës edhe FMN-ja të rikthehet në formatin e tij normal. Duhet bërë kujdes që të mos krijohet një garë ndihmësish. Bankat qëndrore, qeveritë dhe FMN-ja, të gjithë japin para, por dikur duhet t'i mbledhin sërish këto para, ndryshe borxhet dhe interesat arrijnë nivele të pakontrollueshme.

Presidenti i Bankës Qëndrore Gjermane, Axel Weber.Fotografi: AP

Megjithë fjalët e bukura, "ekonomia e vjetër" e ka të vështirë t'u japë Rios, Pekinit, apo Moskës më shumë ndikim në fond. Por në periudhë afatgjatë ato mund të përfitonin, pasi kërkesa në këto vende në prag të industrializimit është në rritje dhe këtë po e ndien edhe Perëndimi, e para së gjithash kombi eksportues, Gjermania. Pa ndihmën nga këto rajone ekonomisë botërore do t'i duhet edhe më shumë kohë për t'u ringritur në këmbë. Edhe ky është një mesazh nga Stambolli: ekonomia po rimëkëmbet, por zhvillimet negative janë më se të mundshme.

Disi i çuditshëm ishte në takimin e këtij viti paraqitja e bankave. Disa dukeshin si famijë të rritur, që kanë bërë gabime dhe janë të gëzuar, që po shpëtojnë vetëm me një paralajmërim. Vendosja e rregullave më të ashpra u kundërshtua përsëri me forcë në takim.

Autor: Sabrina Fritz/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica