Riintegrimi - detyrë e domosdoshme
27 Korrik 2010
Në Qendrën Rajonale të Punësimit në Tiranë ka një sportel enkas për emigrantët e kthyer në atdhe nga autoritetet e vendeve të BE. Specialistja në këtë sportel, Julinda Gjonja thotë se ai funksionon që prej dy muajsh, pesë ditë në javë.
“Këtu vijnë kryesisht emigrantë të kthyer në atdhe, që kanë qenë pa dokumenta të rregullta dhe që kërkojnë punë. Një pjesë kërkojnë formim profesional dhe ne u japim informacionin që u duhet dhe adresat e pikave të kontaktit.”
Për emigrantët e rikthyer në atdhe punësimi është hapi më i rëndësishëm që të rifillojnë jetën në atdhe dhe riintegrimin ne shoqeri. Por kjo për ata është më e vështirë se për të papunët e tjerë, që nuk vijnë nga emigracioni.
“Ata kanë humbur pikat e kontaktit, sensin e orientimit pasi duke qenë pa dokumenta nuk kanë ardhur prej vitesh në Shqipëri, nuk dinë cilës njësi bashkiake i përkasin. Në sportelin e emigracionit ai merr gjithë informacionin, që i nevojitet dhe më pas drejtohet tek sportelet e punësimit,” thotë specialistja Julinda Gjonjo
Këto sportele janë gjithsej 11, aq sa njësi bashkiake ka Tirana. Ky lloj organizimi dhe bashkëpunimi me pushtetin lokal është konkretizim i strategjisë së posaçme, të hartuar para disa javësh, në përgjigje të kërkesës shtesë, në fund të majit të kaluar, nga Komisioni Europian, plotësimi i të cilës, ndër të tjera, do të bëjë që Shqipëria të meritojë liberalizimin e vizave. Kërkesa lidhet me hartimin dhe zbatimin e një strategjie më efikase për rinintegrimin e emigrantëve të kthyer nga vendet e BE për mungesë dokumentacioni.
Informacion dhe ofertë për kualifikim profesional falas
Klajda Gjosha, drejtore në Drejtorinë Rajonale të Punësimit në Tiranë, Çështjeve sociale dhe shanseve të Barabarta, tregon rolin e sporteleve të emigracionit.
”Strategjia e riintegrimit është miratuar në qershor të këtij viti. Që atëhere ne kemi hapur sportelin e emigracionit, ku specialistët presin të gjithë të rikthyerit nga vendet e BE, që tani kërkojnë të integrohen në vendin e tyre. Pranë sporteleve të emigracionit kemi sportelet e punësimit. Ofrojmë mundësi të ndryshme, që nga bizneset private, sektori publik dhe së shpejti do të fillojmë me projektet e nxitjes së punësimit, ku do të ketë një zë të veçantë vetëm për të rikthyerit nga BE. Kemi edhe kurset e formimit profesional, ku të gjithë të rikthyerit do të aplikojnë dhe do të marrin pjesë falas.”
Shmangie e tentativës për të emigruar përsëri dhe qëndruar ilegalisht në BE
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e kufijve, në Ministrinë e Brendshme pohojnë për DW se numri i emigrantëve të kthyer nga vendet e BE për mungesë dokumentacioni është rreth 40 mijë vetë në vit duke filluar nga 2007.
Riintegrimi i tyre nuk është një çështje, që nuk u hap tani për liberalizimin e vizave. Ai ishte një nga kushtet kryesore, që BE i vuri Shqipërisë për hapjen zyrtare në prill 2007 të negociatave për Marrveshjen e Stabilizim - Asocimit,(MSA) që hyri në fuqi pas dy vitesh, në Prill 2009. Pas marrëveshjes së nënshkruar me BE dhe me vendet anëtare ku ka më shumë emigracion nga Shqipëria si me Italinë, Greqinë dhe Gjermaninë , u hap drita e gjelbër për negociatat e MSA.
Liberalizimi i vizave e riktheu këtë çështje në axhendën e ditës. Arësyeja është e qartë: nëse emigrantët e rikthyer nuk do të gjejnë punë dhe nuk do të riintegrohen, me liberalizimin e vizave ata do të tentojnë përsëri të shkelin rregullat dhe të përpiqen të qëndrojnë më tëpër se 90 ditë, siç parashikon liberalizimi i vizave, në një vend të BE.
Kastriot Sulka, zëvendësministër në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta thotë se me strategjinë e re synohet të shmanget ky fenomen.
“Synimi kryesor i kësaj strategjie është që ky grup emigrantësh mos të kenë një kthim të përkohshëm në atdhe, por afatgjatë, pra t'u krijohen kushte që të mos ketë idenë e kthimit përsëri në emigracion.”
Strategjia e re është hartuar në bashkëpunim me delegacionin e BE në Tiranë dhe Organizatën Ndërkombëtare të Emigracioint, IOM. Shpenzimet për përfshirjen e të kthyerve në tregun e punës mbulohen nga buxheti i shtetit.
“Shpenzohen rreth 2 milion dollarë në vit për programe të ndryshme të nxitjes së punësimit. Bashkëpunojmë me firma private apo kompani të ndryshme.” thotë zëvendësministri Kastriot Sulka:
Rehabilitimi i pikave të kufirit përmes projektit CARDS të financuar nga BE bën të mundur që të rikthyerit ta marrin informacionin sapo hyjnë në kufirin shqiptar se ku duhet të drejtohen për të gjetur punë apo për të marrë pjesë në kurset falas të formimit profesional.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Auron Dodi