Rikonfigurimi i UNMIK-ut: Letër e Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së
9 Qershor 2008Udhëheqësit e institucioneve qëndrore të Kosovës, janë pajtuar që në Kosovë të ketë dy misione ndërkombëtare, ai i Bashkimit Evropian EULEX dhe misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK. Nga ana tjetër ata kërkojnë që pas datës 15 qeshor, datë kur Kushtetuta e Kosovës do të hyjë në fuqi, institucionet kosovare të marrin të gjitha përgjegjësitë që u takojnë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, (Ban Ki Moon) gjatë kësaj javë do të dërgojë një nga një letër një në Prishtinë dhe një në Beograd, ku do të njoftojë autoritetet e të dyja vendeve për rikonfigurimin e UNMIK-ut.
Qëndrimet e politikës kosovare
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se letrën e shefit të OKB-së, Ba Ki Mun, pritet ta marrë gjatë dy ditëve të ardhshme.
Sejdiu: " Ne nuk mund të paragjykojmë cilësinë por mund të themi se do të ketë një qasje të përbashkët të dy mekanizmave ndërkombëtarë edhe të UNMIK-ut e edhe të EULEX-i, dhe kujtojmë se kjo do të jetë megjithatë e konceptuar asisoj që të ndihmojë proceset, për të përfunduar sa më shpejtë. Qëndrimi ynë është se ne do të bashkëpunojmë edhe me institucionet ndërkombëtare dhe me atë pjesë të UNMIK-ut që mund të ketë në këtë proces të rikonfigurimit kompetenca të caktuara ."
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nga ana e tij thotë se të gjitha institucionet e Kosovës, janë të përgatitura që më datën 15 qeshor të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe sipas tij qeveria do ta shtrijë autoritetin e saj në të gjithë territorin e Kosovës.
Thaçi: "Në kuadër të axhendës së diskutimit kemi avancuar së formësuari dhe në plotëri të funksionimit të të gjitha instititucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës që dalin edhe si autoritete nga Kushtetuta e re për ne si institucione të vendit ."
Edhe një javë kohë mbetet që të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, datë kjo kur pritet që edhe misioni i BE-së, EULEX, të fillojë mandatin e plotë. Udhëheqësit e misionit të BE-së, po vazhdojnë vizitat në të gjitha rajonet e Kosovës duke u shpjeguar qytetarëve rëndësinë e misionit. Vizita të tilla ata kanë bërë edhe në vendbanimet serbe duke siguruar pjesëtarët e komunitetit serb të cilët kundërshtojnë EULEX-in, se misioni do të mbrojë të drejtat e tyre.