Rikthim inovativ tek mjediset e së kaluarës
4 Tetor 2025
Të marrësh situatën në dorë dhe ta gjesh vetë rrugëdaljen nga kriza. Këtë bënë rreth 10 vite më parë një grup studentësh në Heidelberg të Gjermanisë, qyteti me njërin prej universiteteve më të vjetra gjermane. Ata u përballën me vështirësi të mëdha për të siguruar një vend në konviktet e stërmbushura të kampusit.
"Grupi i studentëve siguroi fillimisht fonde përmes mbledhjes së donacioneve. U vetëorganizuan dhe në një pikë vendosën për ta zgjidhur problemin e strehimit gjatë viteve të universitetit në një mënyrë krejt tjetër, duke ndërtuar konviktin e tyre” – thotë Hans Drexler, përfaqësues i studios arkitekturore "DGJ Architektur”, e cila krijoi konceptin dhe bashkëpunoi ngushtësisht me studentët aktivistë që nga fillimi, e deri në përfundimin e punimeve. Madje edhe gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve NEB – New European Bauhas – ata ishin së bashku.
Grupi u vlerësua me çmimin si projekti më i mirë në kategorinë "Strehim i përballueshëm”. New European Bauhas është nisma e Bashkimit Europian për nxitjen dhe financimin e ideve inovative të artit, shkencës dhe teknologjisë për t'u përshtatur me zhvillimet e reja demografike. Bashkë me projektet e vendeve europiane, në garë ishin edhe shtetet ballkanike.
Studentët që ndërtuan konviktin në Heidelberg
Aktualisht konvikti ka një kapacitet prej 176 banorësh. Ndërtimi i godinës, i cili mban emrin "Collegium Academicum”, mori rreth një dekadë për t'u përfunduar, pasi u desh të studioheshin një sërë faktorësh, por ndër më të rëndësishmit ishte qiraja, e cila duhet të ishte e përballueshme nga studentët.
"Na u desh ta rikonceptonim nga e para çështjen e strehimit, në një formë tërësisht radikale, të përballueshme dhe të qëndrueshme. Dhe receta e këtij projekti ishte: ulja në mënyrë drastike e kostove dhe konsumit të burimeve, duke u konsultuar paralelisht me ata që do të banonin aty brenda, pra studentët” – thotë arkitekti Drexler.
Por a ndihmon ky konvikt me këtë kapacitet çështjen e strehimit të studentëve në Heidelberg dhe Gjermani? Për Drexler, ky është një shembull shumë i rëndësishëm, i cili shërben si modeli se si duhet të funksionojë çështja e strehimit edhe në vende të tjera.
"Është vetëm një godinë, por që mbart formë të re mendimi dhe zgjidhjeje. Gjithashtu, frymëzon të tjerët. E gjithë ndërtesa është në pronësi të studentëve, të cilët tashmë kanë krijuar një organizatë. Sigurisht që është ende një kredi për t'u paguar, por në fund, ata janë pronarët”, shpjegon Drexler për DW.
"Shërimi” i Zagrebit
Rruga Ilić në Zagreb, dikur rrugë e famshme për rrobaqepsitë dhe dyqanet e veshjeve, thuajse u braktis në tri dekadat e fundit. Ndryshimet demografike dhe infrastukturore spostuan dyqanet në qendrat e mëdha të pazareve jashtë qyteteve, duke e lënë të zbrazët zonën. Tërmeti i para pak viteve e dëmtoi akoma më shumë. Artistit kroat me disa ekspozita nëpër botë, Aleksandar Battista Ilić, i dhembi kjo braktisje. Ai e kishte lënë më parë artin për të zbatuar projekte artistiko-socialo-mjedisore, duke ndërlidhur fort njerëzit me natyrën dhe artin. Kjo lagje "e sëmurë” i tërhoqi vëmendjen dhe ai vendosi të merrej me "shërimin” e saj, përmes projektit "Q'Art”. Gjatë 5 viteve të fundit rruga Ilić gëlon nga aktivitetet kulturore, turistët, madje edhe nga rikthimi i vendasve.
"Ne bashkojmë komunitetin dhe nxisim disa procese sociale që kanë ndikim në qytet. Dhe gjithashtu jemi frymëzim jo vetëm për qytetet e tjera brenda Kroacisë por edhe përreth botës, për shembull në Sao Paolo” – shpjegon me krenari bashkë-themeluesi i këtij projekti, Ilić.
Ai tregon se njerëzit e kanë dashuruar projektin që në ditët e para të tij. Përgjatë vitit ka 5 aktivitete social-kulturore, dhe në secilin prej tyre marrin pjesë rreth 15 mijë vetë.
"Ky është numër i madh. Dhe shohim gjithmonë njerëz të rinj. Ka një ndikim madhor, sepse përmes këtyre aktiviteteve, ne përcjellim mesazhe. Dhe qyteti përbëhet nga njerëzit, e sinergjia mes tyre vlen më shumë se konfliktet dhe politika” – thotë për DW themeluesi i Q'art.
Bashkëjetesë me "komshiun”
"Ne nuk krijojmë hapësira të reja. Ne përdorim ato ekzistuese dhe kur filluam të flasim me banorët, u bë e qartë se mes tyre ekzistonte një dëshirë e madhe për t'u bërë bashkë” – thotë Stefan Aleksandar Jovanovski, themelues dhe drejtor artistik i projektit maqedonas "KomshiLOOK”.
Në Shkup, pak kohë më parë, ai përdori filozofinë e "të qenit një fqinj i mirë” dhe mendoi të bëjë bashkë fqinjët në lagje, për një bashkëjetesë më cilësore, duke shfrytëzuar mjediset e përbashkëta si ballkonet, dritaret, oborret dhe shkallët, e duke organizuar aktivitete të përbashkëta.
"Shpesh ne mendojmë për rezistencën, pas një krize. Por rezistenca e vërtetë ndërtohet para, në formën se si fqinjët komunikojnë, ndajnë hapësirat dhe kalojnë kohën bashkë. Kur fqinjët e njohin njëri-tjetrin, ata kujdesen për njëri-tjetrin, dhe kur kujdesen, ndërveprojnë. Dhe kur ndërveprojnë, ata i rezistojnë izolimit, diskriminimit, madje dhe tragjedive. Kjo është "zemra” e projektit tonë "KomshiLOOK, ku çdo fqinj është një shok, një marrëdhënie”, shprehet Jovanovski për DW.
Jo gjithçka ka qenë e lehtë për t'u realizuar gjatë këtij projekti. Jovanovski tregon se logjistika ka qenë sfiduese, veçanërisht në organizimin e aktiviteteve multidisiplinore. "Por shpesh sfidat shndërrohen në mundësi. Mbaj mend se pasi organizuam një nga aktivitetet tona të para, një grua na u afrua dhe na tha: Kam jetuar në këtë lagje për 40 vite dhe kjo është hera e parë që ndihem krenare për të. Kjo është pikërisht filozofia e të gjithë projektit tonë” – shprehet ai.
Ideatori i "KomshiLOOK” thotë se ai dhe ekipi kanë marrë tashmë shumë ftesa për ta çuar projektin e tyre edhe në lagje të tjera. Për Stefanovskin, "arti” i të jetuarit bashkë, është në rrugën e duhur.