1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rikthim mbas dëbimit

29 Janar 2011

Erson Tatari u kthye me detyrim nga Gjeramnia në Kosovë. Ish-banorët e vendlindjes së tij në Gjermani protestuan dhe rregulluan dokumentet për rikthimin e 16-vjeçarit. Një zgjidhje e rrallë e një problemi të shpeshtë

Unterstützerkreis Tatari
Banorët e vendlindjes së tij në Gjermani mundësuan kthimin e Erson TataritFotografi: Jürgen Larocque

Erson Tatari tashmë jeton që prej tre muajsh në Kosovë, por shqipja e 16-vjeçarit nuk është e mjaftueshme për të folur për natën e 21 tetorit 2010. "Ne ishim në gjumë. Im atë kishte punuar deri në orën 3 të mëngjesit", rrëfen ai. Gjermanishtja që dëgjohet në skajin tjetër të telefonit ka melodinë tipike të zonës së Rinit të Epërm Jugor, vendi ku ai është lindur e rritur. "Aty rreth orës 3 e 15 erdhën policët, me katër ose pesë makina, i ranë derës. Unë kujtoja se po shihja ëndërr. Por u ftillova shpejt, sepse na lanë vetëm 30 minuta kohë për të mbledhur plaçkat. Vëllanë dhe motrën i lanë të qëndronin në Gjermani, ndërsa ne na morën me vete."

Nga aeroporti i qytetit gjermanojugor Baden Baden, njëra nga tri pikat prej nga dëbohen refugjatët në rrugë ajrore, Ersoni me prindërit e me të motrën u dërguan në Kosovë, për riatdhesim. "Muajt e parë nuk e kuptova se çfarë po ndodhte. Krejt papritur nuk kishte më shkollë, nuk kishte më sport, shoqëri. Këtu e kalon gjithë kohën duke parë televizor e duke mos bërë asgjë," ankohet adoleshenti.

Integrim shembullor

Erson TatariFotografi: Jürgen Larocque

Krejt ndryshe e kalonte kohën ai në Gjermani: paradite shkollë, mbas dite trajnim ose aktivitete të tjera në futboll, hendboll e kujdestar shkolle. Ish-trajneri i tij Juergen Larocque thotë se njerëzit në Seelbach janë të shokuar: "Familja jeton që prej 18 vjetësh në këtë qytet, këtu kanë lindur e janë rritur fëmijët. Si mund t'i thuhet një djali që ka qenë kujdestar shkolle, që ka marrë çmim për angazhim social e që ka qenë me nota mbi mesataren, se nuk je i integruar? Ne këtë nuk jemi në gjendje ta kuptojmë", ankohet Larocque.

Dy muaj rresht nuk pushuan së protestuari qytetarët e vendlindjes së Ersonit: Ata dërguan ankesa, peticione, letra e më në fund ia kthyen mendjen zyrës së të huajve. Michael Loritz, përgjegjës për sigurinë dhe rendin në qarkun Ortenau, tashmë ka kërkuar që për Ersonin të anulohet ndalimi i shkeljes së territorit gjerman. "Një familje me fëmijë zakonisht riatdhesohet së bashku me prindërit, sepse prindërit e kanë të drejtën e kujdestarisë për fëmijët. Në këtë rast, meqenëse ky djalë kishte rezultate kaq të mira në shkollë, dhe ndërkohë një teze e tij ka deklaruar se e merr ajo përsipër kujdestarinë për nipin, vendosëm që ky djalë të kthehet në Gjermani dhe të përfundojë këtu shkollën", sqaron Loritz për Deutsche Wellen.

Projektligj për migrantët e rinj

Një vendim i rrallë, por një rast shumë i shpeshtë. Avokatit të Ersonit, Reinhard Kirpes, i është dashur të përcjellë sa e sa të rinj të mirë integruar në Gjermani, vetëm sepse prindërit e tyre nuk kishin qenë në gjendje të integroheshin. "Kjo përgjegjësi familjare do të duhej të ishte hequr me kohë nga ligjet gjermane," thotë Kirpes.

Që nuk është e drejtë, që një fëmijë të paguajë gabimet e prindërve, këtë tashmë e ka pranuar edhe qeveria gjermane. Ajo i ka paraqitur parlamentit për shqyrtim një projektligj për zbutjen e problemit. Shumë organizata joqeveritare e përshëndesin parimisht ndryshimin e ligjit, por ato nuk janë të kënaqura me restrikcionet e tij: "Nga njëra anë është pozitiv fakti që tani çdo i ri nga mosha 15 deri në 20 vjeçar, që jeton prej gjashtë vjetësh në Gjermani e që është i integruar në shoqëri, tani e fiton lejen e qëndrimit. Por është problematik që kur fëmijët mbushin 20 vjeç, prindërit duhet të kthehen," thotë Bernd Mesoviç nga organizata e mbrojtjes së të drejtave të refugjatëve, Pro Asyl.

Këndvështrim i ri

Demostratë kundër dëbimit nga Pro AsylFotografi: AP

Për Erson Tatarin dhe motrën e tij më të re, Alisën, ky ndryshim erdhi vonë. Shteti vërtet që e lejoi kthimin e tij në Gjermani, por rrugën, sigurimin dhe shpenzimet e shkollës, do t'i paguajnë banorët e qytezës. Larocque e ka përgatitur dokumentacionin dhe është në kontakt me ambasadën gjermane në Prishtinë, në mënyrë që Ersoni të kthehet sa më shpejt e të mos e humbasë vitin e parë të shkollës profesionale që sapo kishte filluar në Lahr, e cila nuk e ka zëvendësuar ende.

"Nuk kam fjalë për ta shprehur mirënjohjen ndaj këtyre njerëzve," thotë Ersoni i emocionuar. Kur të ketë marrë vizën ai do të niset menjëherë në Gjermani. Tre muajt e Kosovës megjithatë do të mbeten në kujtesën e tij edhe për diçka tjetër: "Është një vend ku gjysma e popullsisë është e papunë dhe unë e shoh se çfarë shansi i madh është të bësh shkollën në Gjermani e të kesh një punë atje. Këtë unë tani e vlerësoj edhe më shumë."

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW