Rikthimi i Gjukanoviçit në Mal të Zi
12 Nëntor 2012Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviç ia ka besuar Millo Gjukanoviçit mandatin për formimin e Qeverisë së re malazeze. Kjo ka qenë kërkesë e partisë demokratike të socialistëve të Gjukanoviçit, e cila në zgjedhjet e 14 tetorit 2012 siguroi numrin më të madh të mandateve në Kuvendin Republikan.
Zëra pro dhe kundër rikthimit të Gjukanoviçit
Gjukanoviç, i cili ka kaluar më shumë se dy dekada në funksionet me të larta shtetërore të Malit të Zi në vitin 2010 u tërhoq nga posti i kryeministrit. Emërimi i Millo Gjukanoviçit si kryeministër i vendit komentohet në forma të ndryshme në Mal të Zi. Nga njëra anë partia në pushtet dhe partnerët e koalicionit të saj thonë se në kohën e krizës Mali i Zi ka nevojë për një politikan të fuqishëm, i cili t'u bëjë ballë sfidave që e presin vendin. Nga ana tjetër opozita thotë se në postin e kryeministrit është një hap prapa për demokracinë e Malit të Zi.
Ranko Krivokapiç, kryetari i partisë socialdemokrate partnere e koalicionit qeveritar, thotë se vendin e presin sfida të mëdha e nisur nga përvoja që ka, Gjukanoviçi është në gjendje t'u bëjë ballë këtyre sfidave. "Ai nuk rikthehet për t'u afirmuar më tej, por për shkak se situata është shumë e vështirë dhe ne duhet të zgjedhim ekipin më të mirë për përballimin e krizës."
Opozita thotë se Gjukanoviçi nuk është në gjendje të ndyshojë vetveten e jo më Malin e Zi. Sipas kryetarit të partisë socialiste popullore Srdjan Miliç: "Ata që e kanë sjellë Malin e Zi në këtë pozitë, vështirë se mund t'i zgjidhin problemet. Malit të Zi i duhet një politikë serioze për të luftuar varfërinë dhe për t'u bërë ballë të gjitha sfidave të tjera që na presin gjatë rrugës drejt integrimit evropian."
Shkreli: Shqiptarët në Mal të Zi kanë arsye ta përkrahin Gjukanoviçin
Ndërkaq Luigj Shkreli, deputet nga rradhët e Partisë Demokratike të socialistëve në pushtet thotë, se shqiptarët në Mal të Zi kanë arsye ta përkrahin Gjukanoviçin dhe të jenë pjesë e ekipit të tij qeveritar. Luigj Shkreli: "Mos të përmendim vitin 1999 ku në Mal të Zi gjetën strehim mbi njëqind mijë vëllezër e motra nga Kosova, meritë e z. Gjukanoviç, por njohja e Kosovës, marrëdhëniet e shkëlqyera me shtetin e Shqipërisë, hapja e pikave kufitare, fakulteti, materniteti, duhet ta pranojmë se të gjitha këto ndonëse nuk e kanë çuar deri në përsosje pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, por absolutisht që gjendja ka lëvizur nga vendi dhe po ecën përpara."
Mbetet që Gjukanoviç në ditët e ardhshme të publikojë përbërjen e kabinetit të tij të ri, i cili sipas të gjitha gjasave do të përbëhet nga koalicioni tashmë në pushtet si dhe partitë e popujve pakicë: Partija Boshnjake, Iniciativa qytetare e Kroatëve dhe Koalicioni i shqiptarëve.