Rinia dhe media në shoqëritë e tranzicionit
8 Dhjetor 2005
Jelena Milosevic tregon regjistrime nga emisionet që ofrojnë televizionet kroate për të rininë. Ajo punon si gazetare në programin për fëmijë të Televizionit publik kroat HRT. Miloshevic është ftuar në një takim të organizuar në Berlin nga Fondacioni Robert Bosch dhe Instituti gjerman për marrëdhëniët kulturore me jashtë ifa. Tema e takimit dyditor është "Rinia dhe media në shoqëritë e tranzicionit". Të ftuar në takim mbi 30 ekspertë të mediave nga Gjermania, Shqipëria, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Polonia.
Si mund të mbrohet brezi i ri? Si mund të ndikojë media në mbrojtjen e rinisë? Cili është roli i mediave dhe si mund të ndikojë rinia në këtë rol? Këto janë pyetjet që shqetësojnë pjesëmarrësit e takimit.
Prof. Dr. Jo Groebel, nga Instituti Europian i medias në Dortmund vëren se nuk duhet të ketë vetëm ndikim të mediave tek të rinjtë por edhe ndikim të të rinjve tek mediat.
Dr. Orlin Spassov, Lektor në Fakultetin e gazetarisë në Sofia mendon se studentët e tij të tjera gjëra mësojnë në sallat e leksioneve dhe me të tjera përvoja ndeshen në praktikën e punës. Spassov flet për deintelektualizimin që i shkaktojnë mediat shoqërisë, deintelektualizim i cili sipas tij ka ardhur për shkak të komercializimit.
Lost in tranzicion, "i humbur në tranzicion" është titulli i studimit që prezanton Dushan Rjelic. Studimi i bërë me porosi të institutit për marrëdhëniet me jashtë, ifa, ka marrë nën vëzhgim gjashtë vende Gjermania, Polonia, Serbia, Rumania, Kroacia, BH. Në të gjitha vendet është parë se televizioni është media më e preferuar për të marrë informacionin politik edhe nga të rinjtë, të cilët e përdorin radion kryesisht për të dëgjuar muzikë. Shtypi i përditshëm po humb gjithnjë e më shumë përdorimin nga brezi i ri. Interneti është duke u bërë gjithnjë e më popullor për rininë, por interneti kushton dhe edukimi nëpërmjet internetit ka limite.
Profesori i Universitetit Të Lajpcigut, Bernd Schorb mendon se në Gjermani situata është pak më e ndryshme nga ajo e prezantuar nga vendet në tranzicion. Në vendet në tranzicion nuk i kushtohet shumë rëndësi rinisë, kurse në shoqërinë gjermane shancet për të rinjtë janë më të mëdha se ato të moshave të tjera. Televizioni ndjek moton se sa më shumë teleshikues të rinj aq më i mirë është imazhi. Grupi kryesor të cilit i drejtohen programet e emisioneve gjermane janë të rinjtë. Revistat televizive për të rinjtë në Gjermani janë për shembull bravo-tv ofruar nga Pro 7 dhe Dr. Mag love ofruar nga ZDF. Ndërkohë që programet që pëlqejnë të rinjtë gjermanë janë komeditë, formatet soap, gjyqet.