1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rio+20: Cilën rrugë do të ndjekë Amerika Latine

25 Prill 2012

Në Forumin Ekonomik Botëror në Meksikë do të disktuohet edhe për rolin e Amerikës Latine në reduktimin e varfërisë. Amerika Latine duhet të tregojë se është e gatshme për të ndjekur rrugë të reja në ekonomi.

Rio 20 +
Rio 20 +Fotografi: Fotolia

Alicia Barcena është sekretare ekzekutive e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Amerikën Latine. Kur flitet për uljen e varfërisë ajo është emocionale. Meksikanja dëshiron të arrijë që në konferencën e OKB-së Rio+20 që do të mbahet në qershor në Rio de Janeiro, gozhdat më në fund të bëhen me kokë.

"Para 20 vitesh kur në Rio u mbajt konferenca e parë e Kombeve të Bashkuara, 48 për qind e njerëzve të Amerikës Latine jetonin ende në varfëri. Ndërsa sot janë 30 për qind. Kjo do të thotë që ne nga varfëria kemi larguar 110 milionë njerëz. Kjo është punë e mirë, por "- dhe në këtë pikë ajo ngre gishtin e saj tregues:" Kjo nuk mjafton!"

Amerika Latine dëshiron të jetë aktive

Se cilës rrugë duhet të shkojë Amerika Latine, çfarë propozimesh duhet bërë në mënyrë që konferenca e OKB-së të ketë sukses dhe mos të përfundojë vetëm me deklarata boshe? Kjo çështje u diskutua në debatin e organizuar në Puerto Vallarta, në një nga aktivitetet më të rëndësishme të Forumit Ekonomik Botëror të këtij viti në Amerikën Latine.

"Nuk ka as edhe një zgjidhje të vetme për reduktimin e varfërisë. Në Afrikë nevojiten masa të tjera të ndryshme nga ato në Amerikën Latine", thotë Ingo Ploger nga Këshilli Brazilian i Biznesit të Amerikës Latine, i cili është ulur afër Alicia Barcenas në podium. "Por ne duhet ta bëjmë të qartë atë që ne duam të arrijmë në Rio dhe pastaj ta themi po ashtu qartë se sa kohë na nevojitet për zbatim dhe të fillojmë menjëherë nga puna". Ploger e konsideron si një parashikim realist synimin që brenda dhjetë vitesh varfëria globale të reduktohet për 20 për qind. Megjithatë ai nuk e thotë se si do ta arrijë konkretisht një gjë të tillë.

Rio+20 me përmbajtje?

135 kryetarë të shteteve dhe të qeverive kanë konfirmuar ndërkohë pjesëmarrjen e tyre në konferencën që do të zhvillohet nga 20 deri më 22 Qershor. Përveç tyre në konferencë do të jenë të pranishëm edhe qindra përfaqësues të organizatave joqeveritare. Rreziku është i madh që konferenca do të ofrojë pamje të mira por pak përmbajtje, thonë latinoamerikanët dhe duan t'i tregojnë botës se bëhet edhe ndryshe. Meksika e cila aktualisht ka kryesimin e grupit të vendeve të industrializuara dhe vendeve në zhvillim, G20 dëshrion që vendet e G20-ës qysh tani të kenë të harmonizuara qëndrimet e tyre rreth objektivave të konferencës. Sigurimi i ushqimit, zhvillimi i qëndrueshëm dhe reduktimi i varfërisë janë pjesë e tyre "por pa zhvillim ekonomik nuk ka as lëvizshmëri sociale", thotë Rogelio Grangguillhome, shefi i Agjencisë meksikane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar.

Pamje nga takimi në Puerto VallartaFotografi: picture-alliance/dpa

Jo zhvillim me çdo çmim

Por me këtë mendim, ai has në kundërshtim. "Vlerat tona të duhet të ndryshojnë. Jo çdo lloj i zhvillimit është i mirë për njerëzit. Ne po zhdukim burimet tona. Kjo nuk siguron mirëqenie por në aspektin afatgjatë vetëm më shumë varfëri. Ne duhet t'i edukojmë fëmijët tanë që të kenë kujdes me mjedisin dhe gjërat mos t'i hedhin thjesht por ato t'i përdorin përsëri", thotë Helio Mattar. Ai është një sipërmarrës social dhe ka themeluar në Brazil "Institutin për konsum të ndërgjegjshëm". Me organizatën e tij, ai është duke punuar për të ndryshuar sjelljen e konsumatorëve. Sipas motos "më pak është më shumë."

Rezultate të matshme

Në fund Ingo Ploger del me një propozim praktik. "Ne duhet të vendosim një indeks të zhvillimit shoqëror në Rio. Kjo duhet të bëjë qartë të matshme nëse situata ekonomike ka ndryshuar në të vërtetë për popullin e një vendi." Për këtë ai merr duartrokitje në Puerto Vallarta: vetëm Alicia Barcena ngre përsëri gishtin tregues: "Objektivat, koha dhe mënyra se si duam të financojmë këto masa", kjo duhet të qartësohet në konferencën Rio+20. "Këtë duhet ta bëjmë ne latinoamerikanët."

Autor: Manuela Kasper-Claridge / Esat Ahmeti

Redaktoi: Elert Ajazaj