Rock për paqë dhe shoqëri
31 Gusht 2011
Rock-u i bashkon të rinjtë
Rockerët e rinj nga Mitrovica ishin nga shkolla veriore dhe e jugut. Rock-u i ka bashkuar të rinjtë shqiptarë dhe serbë dhe kjo është e rëndësishmja e projektit që bën të mundur bashkëpunimin e nxënësve nga të dyja pjesët e Mitrovicës, thotë Edon Ramadani, trajnues i grupeve muzikore. ”Shkolla është i vetmi projekt i përbashkët serioz që ekziston në Mitrovicë e që bën të mundur bashkëpunimin e dy pjesëve të qytetit. Kjo e bën interesant këtë projekt dhe të veçantë, sepse në një masë shërben për të integruar dy anët e qytetit”, thotë Edon Ramadani.
Millosh Kabashiq është student i shkollës së rock-ut nga Mitrovica e veriut. Ai për katër vite ka marrë pjesë aktive në seminare, meqë i vlerëson ato si një përvojë të rëndësishme për karierën e tij në të ardhmen. “Kemi formuar banda të përziera, të përbashkëta dhe mundohemi që ato të funksionojnë bashkarisht. Gjuha nuk paraqet problem për t'u kuptuar, sepse kënga na bashkon “, thotë Milosh Kabashiq.
Bashkëpunimi të tërheq
“Të gjithë si të rinj që jemi e kuptonim njëri-tjetrin dhe mund të bisedonim lirshëm me ata dhe të bashkëpunonim shumë thjesht dhe shumë bukur, pa asnjë lloj problemi pa asnjë lloj kompleksi”, thotë Enkelej Ajazi nga Struga. Nga shkolla e rock-ut e Mitrovicës së jugut në koncert u prezantua Vesa Nishliu. Nga bashkëpunimi ajo ishte e fascinuar. “Ne jemi dy grupe, gjysma shqiptare, gjysma srbe, po në fakt si banda jemi të përziera, veprojmë, ushtrojmë tërë kohën bashkë, shumë mirë, pa asnjë problem, e kalojmë kohën bashkë, shëtisim bashkë”, thotë Vesa Nishliu e cila shpreson që në një të ardhme të afërt një koncert i rock-ut të mbahet edhe në Mitrovicë.
Grupet e rock-ut pjesëmarrëse në shkollën verore kishin përzgjedhur këngë dhe emra të grupeve sipas dëshirës dhe talentin e tyre e shprehën në një koncert të madh që u mbajt në parkun e qytetit në Shkup. Bashkorganizatore e këtij manifestimi ishte organizata joqeveritare “Civil”, që e organizon këtë manifestim kulturor për katër vite me radhë. “Ky është një projekt që i bashkon të rinjtë dhe talente nga muzika rock, të cilët gjatë tërë vitit punojnë që më pas të vijnë në Shkup, të marrin pjesë në shkollën verore dhe së bashku të krijojnë potencial muzikor”, thotë Xhabir Deralla, kryetar i organizatës “Civil”. Sipas tij, bashkëpunimi i këtij lloji mes të rinjve jep një mesazh të fuqishëm dhe domethënës .
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Elert Ajazaj