1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rogosin Russland NATO

16 Janar 2012

Ambasadori rus në NATO Dimitri Rogosin, kthehet pas vitesh në Moskë si zëvendëskryeministër. Megjithatë ai do të vazhdojë të kujdeset për mbrojtjen nga raketat. Kjo mund të shkaktojë ftohje midis NATO-s dhe Rusisë.

Dimitri Rogosin, Ambasadori rus në Nato largohet nga Brukseli
Dimitri Rogosin, Ambasadori rus në Nato largohet nga BrukseliFotografi: DW

Mes marrëdhënieve të akullta dhe bashkëpunimit: Raportet e Rusisë me NATO-n gjatë katër viteve të shkuara kanë qenë të paqëndrueshme. Fillimisht konflikti në Gjeorgji çoi në mpirjen e marrëdhënieve, më pas NATO vendosi për një sistem të përbashkët me Rusinë për mbrojtjen nga raketat. Gjithmonë i pranishëm ka qenë Dimitri Rogosin, ambasadori rus në NATO dhe "fëmija plangprishës" në radhët e diplomatëve në Bruksel. Pas vitesh ai kthehet në Moskë si zëvendëskryeministër. Megjithatë ai do të vazhdojë të kujdeset për mbrojtjen nga raketat, por pikërisht për këtë mund të ketë sërish ftohje, sepse SHBA-ja dhe Rusia grinden për sistemin e mbrojtjes nga raketat.

Vladimir Putin dhe Dmitri RogosinFotografi: AP

Asnjë konferencë shtypi nuk zhvillohet pa një libër: Dmitry Rogosin preferon të shpërndajë libra para ose pas konferencave të shtypit. Titulli i fundit është "Fajkojtë e paqes – Shënimet e ambasdorit rus“. Në kopertinën e librit shihet ai vetë me kostum dhe me llastik në dorë. Imazh tipik ky i Rogosinit. Ai është provokues, preferon humorin, por në thelb sjell gjithmonë një mesazh politik.

Diplomatët në Bruksel e konsiderojnë atë si inteligjent, negociator të fortë, diplomat të talentuar dhe me ambicje politike. Këto dhunti i ka vlerësuar udhëheqja në Moskë. Dmitry Rogosin është emëruar tani zëvendëskryeministër. Të tillë ka shtatë në federatën ruse, sidoqoftë posti i ri është një ngjitje në karrierë për të. Këtej e tutje ai do të vendosë një rend të ri në industrinë e armatimeve dhe do të vazhdojë të jetë përgjegjës për bashkëpunimin me NATO-n lidhur me çështjet e mbrojtjes nga raketat.

"Nëse mbrojtja prej raketave drejtohet kundër nesh, atëherë ne duhet të sigurojmë, që të kemi përgjigjen e duhur. Kjo do të thotë, se paratë, që investon SHBA-ja në këtë sistem, janë të hedhura kot," thotë Rogosin. Ai paralajmëron nga rreziku i një gare të re armatimi. Kërkesa e tij është, krijimi i një sistemi të përbashkët mbrojtës prej raketave. Por NATO e ka të vështirë këtë, e kryesisht SHBA-ja.

Këshilli NATO RusiFotografi: dapd

Ndonëse 28 anëtarët e aleancës kanë vendosur bashkëpunimin me Rusinë në samitin e Lisbonës në vitin 2008, aktualisht bisedimet kanë mbetur në vendnumëro. Amerikanët as që mund ta përfytyrojnë një sistem të përbashkët me ushtarët rusë në qendrën e komandimit. Ndaj SHBA-ja ka propozuar dy sisteme të lidhura në rrjet me njëri-tjetrin. Por kjo nuk u mjafton rusëve. Ata kërkojnë një premtim të detyrueshëm në bazë të së drejtës ndërkombëtare, se sistemi mbrojtës nga raketat nuk drejtohet kundër Rusisë. Kjo është e ekzagjeruar për amerikanët. Deri në maj partnerët e bisedimeve duhet të gjejnë një zgjidhje, e paskëtaj në samitin e radhës duhet të nënshkruhet bashkëpunimi. Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë sërish do të ftohen. Rogosin i njeh mirë rrethana të tilla. Në konferencën e tij të fundit për shtyp si ambasador në Bruksel ai bëri një retrospektivë, duke theksuar, se ai kish ardhur para katër vjetësh në Bruksel. Kur shpërtheu konflikti mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, ish-Sekretari i Përgjithshëm Jaap de Hoop Scheffer e pezulloi përkohësisht bashkëpunimin me Rusinë.

"Pikërisht atëherë kur ne kishim më shumë nevojë se kurrë për Këshillin NATO-Rusi, ky këshill nuk u mblodh," thotë Rogosin.

Më vonë marrëdhëniet sërish u qetësuan. Sekretari i ri i Përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen, insistoi për bisedime: Ai e riaktivizoi Këshillin NATO-Rusi. Pavarësisht se Rogosin tani largohet nga Brukseli, 48 vjeçari do të vazhdojë të drejtojë bisedimet për Rusinë lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat. Ai është gjithmonë besnik ndaj kryeministrit Putin, dhe e kryen këtë deri në detaje: nëpër fotografi Rogosin pozon në turet e gjuetisë së ujqëve me slitat me motor, apo duke u zhytur në det. Putini ka fotografi të ngjashme çdo verë - ndonjëherë madje edhe me torsin zhveshur. Por Rogosin ka edhe aftësi të tjera: Në konferencën e lamtumirës para gazetarëve në Bruksel, si ingarkuari i ri i Rusisë për industrinë e armtimeve ai i ofroi bashkëpunim NATO-s në zhvillimin e sistemeve të armatimit. Me sa duket duke pasur si qëllim vendosjen e paqes me armë e duke fituar paralelisht edhe para.

Autor: Christoph Prössl/ Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Aida Cama