1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romë dhe ashkali duan të jenë pjesë e Grupit Negociator

Bekim Shehu19 Janar 2006

Pjesëtarët e pakicave rome dhe ashkali të Kosovës paraqitën kërkesat për të ardhmen e tyre në një konferencë të organizuar në Prishtinë, me temën "Statusi i Kosovës dhe pozita e romëve dhe ashkalive"

Konferencë e romëve
Konferencë e romëveFotografi: DW

Pjesëtarët e pakicës rome dhe ashkali të Kosovës, kërkojnë që të jenë pjesë e drejtpërdrejt e procesit negociator të Kosovës. Në këtë linjë, ata kërkojnë që përfaqësuesit e tyre të jenë brenda çdo grupi punues gjatë bisedave për statusin final të vendit. Këto kërkesa, përfaqësuesit e pakicës rome dhe ashkali të Kosovës, i bënë në një konferencë të organizuar në Prishtinë me temën "Statusi i Kosovës dhe pozita e romëve dhe ashkalive". Para udhëheqësve të qeverisë dhe administratës ndërkombëtare, kërkesat e tyre i lexoi njëri nga përfaqësuesit e romëve, Bashkim Ibishi.

Zoti Ibishi tha, se me realizimin e këtyre kërkesave pjesëtarët e pakicës rome dhe ashkali do ta ndjenin vetën të sigurtë dhe perspektiva e tyre do të ishte në Kosovë. Krerët e administratës ndërkombëtare ndërkaq disa herë kanë kërkuar që zëri i pjesëtarëve të pakicave të dëgjohet brenda Grupit Negociator të Kosovës. Këtë kërkesë, e përsërit njëra nga përfaqësueset e UNMIK-ut, Patricia ëaring, duke cituar të dërguarin e OKB-së, në bisedimet për statusin, Marti Ahtisari. Ai ka thënë dhe beson se procesi i zgjidhjes së statusit duhet të jetë gjithëpërfshirës, ku të gjitha pakicat në Kosovë duhet ta kenë shansin që të paraqesin pikëpamjet e tyre për të ardhmën e Kosovës. Gjithashtu, ai dëshiron që influenca e tyre të jetë edhe brenda Grupit Negociator të Kosovës, tha Patricia ëaring. Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Adem Salihaj, nga ana e tij thotë, se pjesëtarët e pakicës rome dhe ashkali, kanë kontribuar jashtzakonisht shumë në proceset nëpër të cilat kaloi vendi prej gjashtë vjetësh.

Megjithë deklarimet dhe kërkesat, pjesëtarët e pakicës rome dhe ashkali nuk bëjnë pjesë në Grupin Negociator të Kosovës dhe as në grupet punuese. Por, në kuadër të Grupit Negociator të Kosovës, është formuar Këshilli Konsultativ për Komunitete i udhëhequr nga Veton Surroi. Ky këshill ka për detyrë të dëgjojë pikëpamjet e pakicave në mënyrë që kërkesat e tyre të ligjshme të futën në dokumente zyrtare që do të dalin gjatë bisedave për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.