Romët i tërheq Gjermania
24 Shtator 2012
Në atdheun e tyre nuk duan të qëndrojnë. Rreth 930 serbë dhe më shumë se 1.000 maqedonas kanë kërkuar në gusht strehim në Gjermani. Vetëm në krahasim me muajin paraardhës ka një rritje me gati katërfishin, thuhet në Entin federal për migrimin dhe refugjatët (BAMF). Pothuajse të gjithë janë romë dhe sinti. Pakicat shpesh diskriminohen dhe përjashtohen në vendet e tyre të origjinës, pjesërisht edhe përndiqen.
Arsye ekonomike
Ata i tërheq një sistem më i mirë shëndetësor dhe perspektiva për shërbime sociale, i shpjegon Deutsche Welles presidenti i BAMF-së Manfred Schmidt. "Kjo thuhet sheshit edhe në intervistat që zhvillojmë", thotë Schmidt. Shkaku për rritjen e shpejtë të kërkesave për azil është për të i qartë: Në korrik Gjykata Kushtetuese Gjermane vendosi që vlerat e referimit për mbështetjen e azilkërkuesve në Gjermani të rriten ndjeshëm dhe të barazohen me ndihmën sociale. "Që prej këtij vendimi janë rritur jashtëzakonisht shifrat e ardhjeve, shumë më tepër sesa në vitet e mëparshme", shpjegon presidenti i BAMF-së.
Megjithatë, kërkesat nuk janë me shanse të mira. "Ata jetojnë në kushte të pasigurta, s'ka përse të shtiremi", pranon Schmidt. Mirëpo, ata nuk përndiqen politikisht, kështu që situata e tyre nuk bie në kategorinë e Konventës së Gjenevës për refugjatët ose në atë të ligjit gjerman për të drejtën e qëndrimit, shton ai. Prandaj, përqindja e njohjes për kërkesa të tilla azili është vetëm 0,1 për qind.
Edhe shtetas të BE-së përballen me probleme
Romët nga Rumania dhe nga Bullgaria mund të jetojnë fare pa kërkesë azili në Gjermani. Qëkurse këto vende iu bashkuan në 2007-n Bashkimit Evropian, shtetasit e tyre mund të lëvizin lirisht në BE. Kësisoj që prej zgjerimit të fundit të BE-së vetëm në Duisburg kanë ardhur më shumë se 5.000 bullgarë dhe rumunë, të tërhequr nga banesat e lira në lagjet Marxloh, Hochfeld dhe Laar. "Tek ne vijnë njerëz të cilët jetojnë në varfëri në vendet e tyre të prejardhjes", shpjegon e ngarkuara e qytetit për integrimin, Leyla Özmal. "Në rastin e kombësisë rome dhe sinti dimë gjithashtu që ata largohen prej diskriminimit të fortë."
Mirëpo me të dyja problemet ata ballafaqohen edhe këtu. Për shkak të kufizimeve në të drejtën e punës për shtetasit nga Evropa Lindore, atyre nuk u lejohet të punojnë në Gjermani. Ajo që ju mbetet janë punë si mëditës të lirë për tri euro ora ose rruga e kriminalitetit. Shumë fëmijë nuk shkojnë në shkollë, sigurim shëndetësor kanë një numër i vogël, dhe meqenëse pothuajse nuk kanë të holla, ata jetojnë në shtëpi tejet jo të mirëmbajtura.
Të huajt ndeshin refuzim
Popullsia e vjetër ndihet shpesh e bezdisur nga të ardhurit e rinj. Vazhdimisht ka ankesa për mbeturinat para shtëpive dhe për zhurmë të tepruar. Burrat që presin rrugëve për punë shkaktojnë pakënaqësi. Shpesh të ardhurit e rinj diskriminohen e përjashtohen edhe në Gjermani.
Dhe komunat janë të mbingarkuara. Për shembull Duisburgu, ku që prej perëndimit të xehetarisë dhe të industrisë së çelikut shumë njerëz janë të papunë dhe jetojnë nga ndihmat sociale. Arkat publike janë prej dekadash të zbrazura. Tani shtohet edhe integrimi i qytetarëve të rinj nga BE-ja.
Integrimi kushton para
Mirëpo së afërmi situata e romëve nga Rumania dhe nga Bullgaria mund të përmirësohet: Më 1 janar 2014 do të bien kufizimet për punë për evropianolindorët. "Ne duhet ta shfrytëzojmë kohën për t'i përgatitur njerëzit për tregun e punës", kërkon e ngarkuara për integrimin Özmal. Por ajo shton se kurset e gjermanishtes dhe kualifikime të tjera janë të mundura vetëm po të ketë para shtesë për projekte. Ajo nuk është e kënaqur nga integrimin e romëve të shpallur nga BE-ja dhe me fondet e përkrahjes që janë ngritur. Paratë janë parashikuar enkas për komnbësinë rome, mirëpo shumë romë e mohojnë prejardhjen për shkak të përvojës me diskriminimin. Prandaj Leyla Özmal kërkon që njerëzit të mos shihen aq shumë si pjesëtarë të një kombësie, po si evropianë: "Në kuadër të integrimit evropian është mirë që të gjitha vendet (edhe Evropa) të thonë: Ne po përcaktojmë standarde dysheme për njerëzit që jetojnë në Evropë."