1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU Italien

10 Nëntor 2011

Momenti erdhi: Italia gjendet nën mbikëqyrje. Inspektorë të Komisionit Evropian kontrollojnë prej ditës së mërkurë (9.11.) nëse vendi i mban premtimet dhënë evropianëve të tjerë. Edhe FMN do nisë mision në Romë.

Borxh i kushtueshëm - Italia duhet të paguajë interesa gjithnjë e më të larta në tregjet financiareFotografi: dapd

Gjithçka duket pothuajse si në Greqi, Irlandë, Portugali. Mirëpo ka dallime të rëndësishme: Në kundërshtim me këto vende Italinë nuk e zë ombrella e shpëtimit, madje edhe sikur të përdorej efekti i levës. As recetat e zakonshme nuk i përshtaten Italisë.

Në vend që të kursejë, të reformojë dhe të privatizojë, thonë ekspertët, Italia duhet para së gjithash të përmirësojë sistemin e saj të drejtësisë dhe udhëheqjen shtetërore.

Berlusconi nuk pranon kritikat

Në samitin e parafundit, Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy sa i patën treguar me zemërim gabimet që kishte bërë Silvio Berlusconit. Më në fund duhet të kursesh më shumë, i thanë. Kryeministri italian doli para ndërtesës së Këshillit Evropian në Bruksel dhe deklaroi para gazetarëve se Italia ishte për bukuri. Ai tha shprehimisht (citat): “Të dhënat bazë të Italisë janë shumë solide. Po të merren borxhet publike dhe private së bashku, atëherë Italia është vendi më solid në Evropë.” Vetëm pas Gjermanisë dhe ende para Suedisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe kështu me radhë, tha Berlusconi.

Megjithatë, pak më vonë ai premtoi një listë të tërë kursimesh e reformash dhe i ftoi inspektorët e Komisionit Evropian dhe të FMN-së në Romë. Ata le të bindeshin vetë, tha ai, që premtimet do të mbaheshin. Pra, gjithçka si në Greqi. Jo mor jo, të sigurojnë ministrat e financave të Evropës, nuk është akoma aq keq.

“Italia nuk është në situatë të krahasueshme. "Pas Italisë qëndron një fuqi e madhe ekonomike”: kështu thonë ministri gjerman i financave Wolfgang Schäuble dhe kolegia e tij austriake Maria Fekter.

Nën trysni - kryeministri Berlusconi do të japë dorëheqjenFotografi: picture alliance/dpa

Korrupsioni gjatë qeverisjes së Berlusconit ka dëmtuar Italinë

Italia ka qenë vërtet shembullore për dhjetë vjet me radhë, gjykon edhe Daniel Groß, shefi i së njohurës „Qendër për Studime Politike Evropiane“ (CEPS) në Bruksel. Në investimet në infrastrukturë dhe arsim, në novacion, në reformën e tregut të punës, kudo Italia arrin nota të mira, ndonjëherë madje më të mira sesa Gjermania, thotë Groß. E megjithatë, gati dhjetë vjet Berlusconi nuk kanë kaluar pa lënë gjurmë në Itali.

"Problemi i mirëfilltë është se ka pasur një keqësim të ngadaltë, por të vazhdueshëm të cilësisë së aparatit shtetëror, të traditës politike se si qeveriset vendi, mosrespektim të ligjeve, korrupsion. Të gjitha këto janë shtuar pa u vënë re tamam nga populli a nga bota e jashtme.“

Shefi i kësaj qendre këshilluese nuk i thotë këto kot. Ai u referohet analizave të Bankës Botërore. Prej vitesh ajo krahason gjendjen e vendeve të ndryshme për sa i takon korrupsionit, sa mirë janë gjykatat, ç'japin administrata dhe nëpunësit.

“Ajo që shihet atje është se pozicioni i Italisë është keqësuar vazhdimisht vitet e fundit dhe se Italia është ndërkohë pas Greqisë.”

Prandaj, druan eksperti, nuk sjell gjë që vendit të Berlusconi-t t'i jepen thjesht të njëjtat receta si Greqisë apo Portugalisë, kursim, reformim, privatizim.

„Njerëzve në vend duhet t'u mbushet vetë mendja që kështu nuk mund të vazhdohet, që vendit nuk i duhet vetëm një qeveri tjetër, më e mirë, por më e mirë në kuptimin që të jetë e pastër, të respektojë ligjet e veta, të kufizojë korrupsionin e kështu me radhë. Kjo është diçka që nuk mund thjesht të urdhërohet nga Brukseli, kjo duhet të vijë nga brenda vendit.“

Autor: Andreas Reuter / Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani