Rrëfimet e dy brezave
20 Mars 2012
Sondazi është kryer nga Fondi Evropian për Ballkanin i Fondacionit Robert Bosch dhe instituti Ipsos në Beograd. Hedvig Morvai-Horvat është drejtore ekzekutive e fondit Evropian.
DW: Zonja Morvai-Horvat së fundi Ipsos Strategic Marketing në Beograd dhe European Fund for the Balkans i fondacionit gjerman Robert Bosch kanë paraqitur rezultatet e një sondazhi për mirëkuptimin e qytetarëve të Ballkanit perëndimor. Cili ishte synimi investigativ i këtij sondazhi?
Morvai-Horvat: Viti 2011 shënoi 20 vjetorin e shpërbërjes së Federatës Jugosllave. Këto dy dekada lanë një vragë të rëndë në Ballkan. Për shkak të së kaluarës jo të largët famëkeqe për rajonin janë bërë vazhdimisht analiza, për ngjarjet, rrethanat e funksionimin e sistemit. Por shumica e tyre ka lënë pas dore dimensionin njerëzor të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe të tranzicionit. Sondazhi kryhet në një kohë, kur procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit në BE bëhet në kushtet e sfidave të reja. Realiteti i krizës financiare dhe politike brenda BE ndikon në procesin e zgjerimit. Mund të thuhet se idetë e dezitengrimit të BE sot kanë dalë jashtë qarqeve të mbylluara të dikurshme, duke u bërë të pranishme në shumë diskutime. Nisur nga situata në rajon perceptimi i mundësive për anëtarësim bëhet gjithnjë e më kompleks dhe mbështetja për procesin zbehet. Njerëzit në Ballkan janë të zhgënjyer, kur është fjala për BE, për shoqëritë ku ato jetojnë dhe dy dekadat e një tranzicioni të gjatë.
Për realizimin e sondazhit keni zgjedhur brezin e fundit të Jugoslavisë të lindur 1971, dhe brezin e lindur 1991, kur Jugosllavia nisi të shpërbëhej. Përse u fokusuat në këto breza?
Morvai-Horvat: Gjatë 20 viteve të historisë së vështirë, në këtë rajon është lindur dhe rritur një brez i ri. Këta njerëz, të lindur në vitin 1991, përbëjnë gjeneratën e së ardhmes, sepse ata janë shumë të rinj, që të mund të kujtojnë luftërat, konfliktet dhe shkatërrimin e sistemit të vjetër. Ndërsa datëlindja 1971, përfaqëson njërin nga brezat e fundit të Jugosllavisë, që është rritur në sistemin e mëparshëm dhe ka parë fundin e tij. Këta njerëz ishin të rinj në kohën, kur sistemi i vjetër u shkatërrua dhe u është dashur të mbajnë mbi vete barrën e rëndë të tranzicionit. Mund të pritej, që për shkak të konsolidimit të demokracisë në këto shoqëri, brezi i ri të ketë një vizion më pozitiv për sistemin aktual dhe ta ndjejë veten si "fituesin e procesit të transformimit", në krahasim me brezin më të vjetër. Megjithatë kompleksiteti i përvojave personale, si pasojë e transformimit politik dhe socio-ekonomik, ka bërë që brezi i ri të jetë njëlloj si brezi i vjetër pa iluzione për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Megjithëse sistemet, ku janë rritur këto dy breza u bazuan në vlera të ndryshme nga ato të prindërve të tyre, duket se sjellja dhe mendimet e tyre nuk ndryshojnë fort nga sjellja dhe mendimet e më të moshuarve. Studimi tregon se dallimet mes popujve dhe grupeve etnike ende vazhdojë të luajnë një rol më të madh në formësimin e sjelljes, se sa dallimet në mes brezave.
Sipas sondazhit qytetarët e Ballkanit Perëndimor nuk e perceptojnë këtë rajon si një hapësirë unike kulturore, edhe besimi i ndërsjellë mungon. Kjo nuk i korrespondon frymës së BE. A i shihni si dekurajuese rezultate të tilla?
Morvai-Horvat: Rëndësi ka të thuhet se studimi përfshin vetëm përfaqësuesit e dy brezave, rezultatet nuk përfaqësojnë qëndrimin e përgjithshëm të qytetarëve të rajonit. Të dhënat, që kemi mbledhur, tregojnë se në të gjitha vendet në mes 70 dhe 90 për qind e të dy grupeve të të anketuarve i konsiderojnë të rëndësishme marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe komunikimit midis shteteve të tyre. Bashkëpunimi ekonomik gjithashtu mbështetet nga shumica e të anketuarve por për shembull brezi më i ri serb ka tendencë më shumë se më të rriturit të besojë se ekzistojnë rrethana politike, që mund të pengojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal. Kur është fjala që rajoni të konsiderohet si një hapësirë kulturore unike, vetëm brezi i lindur 1971 në Kroaci është shprehur në një përqindje të madhe negativisht për këtë pyetje. Këtu duhet të theksojmë edhe çështjen e ekzistencës së sferave të ndryshme kulturore në rajon, ku dallohen qartë të ashtuquajturat "jugosferë" dhe "sfera shqiptare". Ky është grupimi i shteteve në bazë të kriterit të ngjashmërive gjuhësore.
Dëshira për të njohur vendet fqinje është më e madhe tek brezi i 1991 në Maqedoni. Mosinteresimin më të madh e kanë shprehur shqiptarët e lindur 1971 e pas tyre serbët. Sipas anketës në vendet e Ballkanit perëndimor ekziston tendenca e izolimit nga njëri-tjetri. A vjen kjo antipati nga përvojat e viteve të fundit, nga paragjykimet më të vjetra, apo edhe nga faktorë të rinj?
Morvai-Horvat: Siç është thënë në analizën e rezultateve të këtij sondazhi me titull "20 years after 1991: The Tale of two Generations", mbizotërues është mosbesimi në mes popujve të rajonit dhe në disa vende brezi i ri është edhe më mosbesues se ata, që kanë përjetuar luftën. Pra te të gjithë ekziston mosbesim në përgjithësi, si dhe mosbesimi midis grupeve të ndryshme etnike. Megjithatë në të gjitha vendet shumica, mes 56% dhe 75% e të intervistuarve, besojnë se për një konflikt i ri në rajon ka pak gjasa.
Hulumtimi ynë tregon se në Ballkan është e vështirë të flitet për qëndrime dhe dallime në mes brezave. Mbizotërojnë dallime midis vendeve, që dëshmojnë se trashëgimia e së kaluarës dhe konteksti nacional kanë ndikuar në formimin e opinioneve individuale.
E parë nga një perspektivë pak më e largët, nga ajo e BE, a mund të thuhet se ky rajon megjithatë perceptohet si një hapësirë politike, ekonomike dhe kulturore?
Morvai-Horvat: Për të formuluar strategjinë e afrimit të vendeve të Ballkanit me BE është krijuar një rajon politik, i ashtuquajturi Ballkan Perëndimor. Kjo nënkupton një qasje të caktuar nga perspektiva e Bashkimit Evropian dhe e komunitetit ndërkombëtar ndaj këtyre vendeve. Evidente është se në këtë rajon ekzistojnë lidhje tradicionale dhe interesa, që lidhin shtetet tona. Pa patur parasysh thirrjet për nxitjen e bashkëpunimit rajonal nga disa faktorë të jashtëm, nëse shikojmë më mirë përreth, do të pranojmë se këmbimi me fqinjët në fusha të ndryshme është një nevojë dhe realitet i komunikimit tonë të përditshëm. Më i qartë dhe më i prekshëm është bashkëpunimi ekonomik, por në të gjitha sferat e mundshme ekziston një farë lidhjeje. Jeta hedh poshtë konkluzionin që mund të arrihet bazuar në përgjigjen e pyetjes për ekzistencën e një hapësire unike kulturore, dhe na bën të ditur se për individët është e vështirë që të pranojnë se ngjashmëritë dhe ndërvarësitë janë realiteti i tyre i përditshëm.
Me përjashtim të Kroacisë dhe Kosovës, të anketuarit nga vendet e tjera mendojnë se është jetuar më mirë në kohët e ish Jugosllavisë. Si shpjegohet ky ndryshim në vlerësime?
Morvai-Horvat: Shumica e të anketuarve janë të mendimit se situata për to do të kishte qenë më e mirë, sikur të kishin vazhduar të jetonin së bashku në ish Jugosllavi. Kjo me siguri tregon pakënaqësinë me situatën e tanishme në vendet e tyre për shkak të procesit të vështirë të tranzicionit. Pra të dhënat, që tregojnë asociime pozitive me shtetin e mëparshëm, duhet të kuptohen në rradhë të parë si nostalgji për raporte të rregullta, si siguria ekonomike dhe mundësia e punësimit. Kjo dëshmohet nga fakti se të dy brezat e pyetur në të gjitha vendet mendojnë në shumicën e rasteve se prindërit e tyre kanë jetuar më mirë se ata. Por nteresant është fakti se megjithë ndjenjat pozitive në lidhje me ish Jugosllavinë, të gjithë të anketuarit janë të një mendimi se shpërbërja e shtetit ishte e pashmangshme.
Çfarë konkluzionesh të tjera të rëndësishme, apo pozitive mund të nxirren prej këtij studimi në lidhje me kapërcimin e së kaluarës si për shembull në vende si Serbia dhe Kosova?
Morvai-Horvat: Megjithëse ekzistojnë dallime ndërmjet vendeve dhe popujve, dy brezat e pyetur kanë shumë të përbashkëta. Mosbesimi ndërmjet njerëzve ekziston ende dhe të pyeturit ndahen në pyetjen e përgjegjësisë për luftën. Në Kroaci shumica fajëson liderët politikë, në Kosovë fajësojnë kryesisht popullin, në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë në Maqedoni dhe Serbi shumica bëjnë fajtor bashkësinë ndërkombëtare. Brezi më i ri beson më pak se më i vjetri, se bashkësia ndërkombëtare përzihet shumë në çështjet e brendshme, sidomos në Kroaci dhe Serbi.
Përsa i përket të ardhmes, janë shumë realistë dhe të merakosur, por ka edhe shpresë. Dhe ndërsa të rinjtë kanë frikë se do të jetojnë më keq se prindërit e tyre, ata edhe më tej besojnë në të ardhmen evropiane. Prandaj ky studim tregon se BE-ja, megjithëse ka humbur magjinë, nuk e ka humbur rëndësinë e tij. Edhe pse shumë njerëz në rajon janë kritikë, kur është fjala për BE, ai prapë se prapë paraqet mundësinë më të mirë për të ardhmen për brezin e ri.
Intervistoi: Angjelina Verbica
Redaktoi: Esat Ahmeti