1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrezatimi më i lartë afër centraleve atomike

30 Maj 2012

Pranë centraleve atomike lindin më pak vajza dhe fëmijët sëmuren më shpesh nga kanceri. Për këtë flasin studimet dhe faktet, por konsekuenca deri tani nuk ka.

Centrali atomik dhe një biçikletë fëmijësh.
Fotografi: Annette Feindt/Elterninitiative Geesthacht

Rafael Röther vdiq nga leukemia duke qenë vetëm 3 vjeç. Ai jetonte me familjen vetëm katër kilometra larg centralit atomik të Gjermanisë jugore Gundremmingen. Ai është centrali më i madh atomik dhe në bazë të vendimit të qeverisë gjermane për distancimin nga energjia atomike, do të prodhojë rrymë deri në fund të vitit 2021. Nëse rrezatimi radioaktiv nga centrali bërthamor është përgjegjës për vdekjen e Rafaelit nuk mund të dëshmohet me qartësi. Megjithatë të dhënat dëshmojnë se fëmijët e vegjël sëmuren dy herë më shumë në afërsi të centraleve bërthamore.

Rafaeli jetonte pranë centralit bërthamor Gundremmingen

Raffael Röther jetonte afër centralitFotografi: Armin Röther

Sa më pranë centraleve bërthamore të jetojnë foshnjat, aq më i madh është rreziku i kancerit për to. Në këtë rezultat arrin studimi më i shtrenjtë dhe më i saktë deri më sot në botë për këtë temë. Studimi u botua në Gjermani në vitin 2007 dhe shkaktoi interesim në mbarë botën. Studimi u krye nga Regjistri gjerman për kancerin tek fëmijët i Universitetit të Mainzit, me porosi të Zyrës Federale për Mbrojtjen nga Rrezatimet, një nënagjenci e Ministrisë së Mjedisit.

Sipas studiuesve, që vlerësuan të dhënat nga viti 1980 deri në vitin 2003, në këtë periudhë kanë 120-275 foshnje janë sëmurë në Gjermani nga kanceri vetëm sepse jetonin në afërsi të një centrali bërthamor. Veçanërisht të rrezikuar janë fëmijët nën moshën pesë vjeç, të cilët jetojnë brenda një rrezeje deri në pesë kilometra larg centralit bërthamor.

Shumë dëshmi dhe shumë pyetje të pasqaruara

Dr. Alfred KörbleinFotografi: privat

Fizikani dhe studiuesi i rrezatimit dr. Alfred Kërblein e ka shoqëruar studimin për kancerin tek fëmijët dhe i ka vlerësuar për dekada me radhë të gjitha studimet e njohura mbi këtë temë. Ai ka shqyrtuar edhe të dhënat nga studimet e mëvonshme nga Franca, Zvicra dhe Britania e Madhe. Në një intervistë me Deutsche Welle Kërblein tha se analizat e të dhënave të të gjitha studimeve tregojnë se rreziku i leukemisë tek fëmijët e vegjël pranë centraleve bërthamore rritet.

Studimet e mëparshme kanë ngritur edhe disa pyetje. Ekspertët e rrezatimit nuk kanë mundur të shpjegojë lidhjen mes shtimit të rasteve të kancerit dhe punës së impianteve bërthamore. Sipas të të vlerësimeve të deritanishme zyrtare të Komisionit gjerman të Mbrojtjes nga Rrezatimet, emisionet radioaktive të centraleve bërthamore duhet të ishin në faktë 1000 herë më të larta për të shpjeguar këtë kontekst.

Arsyeja mund të ishte ndërrimi i elementeve ndezës

Studjuesi i rrezatimit Kërblein vazhdoi kërkimet. Ai konstatoi se gjatë ndërrimit të elementeve ndezës një pjesë e madhe e emisioneve radioaktive vjetore lëshohet për një kohë të shkurtër në ajër nga oxhaqet e centraleve bërthamore. Në qoftë se radioaktiviti takon një trup të ndjeshëm ndaj rrezatimit, për shembull një embrion, rritet rreziku i kancerit. Sipas mendimit të Kërblein ky rrezatim shumë i lartë i përqëndruar, që shfaqet në zonën, ku dalin gazrat, është shpjegimi logjik për shtimin e rasteve të leukemisë.

Mjeku dhe biologu i rrezatimit Edmund Lengfelder konstaton gjithashtu këtë lidhje. Ai e krahason ekspozimin e shkurtër ndaj rrezatimit me shembullin e alkoolit: "Nëse një i rritur pi një shishe raki gjatë një periudhe prej 2 muajsh, kjo nuk përbën ndonjë problem, por në qoftë se ai e pi atë në një ditë, atëherë ai dehet. Për një fëmijë një dozë e tillë brenda një dite do të ishte ndoshta vdekjeprurëse."

Organizata ndërkombëtare e mjekëve për parandalimin e luftës bërthamore, IPPNW, kërkon për këtë arsye edhe rreptësimin e standardeve të mbrojtjes nga rrezatimi. Ajo dëshiron që mbrojtja nga rrezatimi të mos bëhet më, duke patur si orientim një burrë të ri të shëndetshëm, por grupet vewanërisht të ndjeshme siç janë gratë, fëmijët dhe embrionet.

"Deri në 20.000 vajza më pak"

Hulumtuesit e mjedisit dhe të shëndetit të Qendrës Helmholtz në Mynih ofruan edhe dëshmi të tjera, që forcojnë supozimin se rrezatimi i centraleve bërthamore ndikon në gjenetikë. Ata morën në shqyrtim regjistrat gjermanë të gjendjes civile dhe konstatuan se një rreze prej 40 kilometrash përreth centraleve bërthamore lindin gati një për qind më pak vajza.

Hagen ScherbFotografi: Scherb

Biomathematicieni dr. Hagen Scherb, që ka kryer këtë studim, i tha Deutsche Welle-s se për shkak të shfrytëzimit të energjisë bërthamore për qëllime civile në Gjermani dhe Zvicër nuk kanë lindur deri tani "10000 deri 20000 vajza". E paqartë Deri tani është, nëse nën ndikimit të rrezatimit lindin më shumë djem.

Konstatimi se nga radioaktiviteti ndryshon raporti i gjinive, nuk është i ri. Gjenetisti amerikan Hermann Joseph Muller fitoi për këtë zbulim çmimin Nobel në vitin 1946. Shkencëtarët konstatuan këtë ndryshim gjinor pas hedhjes së bombave atomike dhe katastrofës së Çernobilit.

Më pak vajza për shkak të mbeturinave radioaktive

Veçanërisht e ulët ishte mesatarja e lindjeve të vajzave në afërsi të depos së magazimit të mbeturinave bërthamore në Gorleben të Gjermanisë, konstatohet nga hulumtimet e studjuesit Scherb. Nga viti 1996-2010 atje kanë lindur një mijë vajza më pak, nga sa pritej me mesataren normale të lindjeve. Sipas Scherb veçanërisht problematike janë ato impiante, "ku materialet radioaktive janë të hapura." Biomathematicieni ka konstatuar një ndryshim të raportit gjinor të lindjeve pas mbylljes së një centrali bërthamor.

Centralet në veçanti rrezikojnë lindjen e femraveFotografi: picture-alliance/dpa

Deutsche Welle pyeti në Forumin Bërthamor gjerman dhe Zyrën Federale për Mbrojtjen nga Rrezatimet, nëse si rezultat i këtyre studimeve do të merren masa parandaluese mbrojtëse. Zyrat e shtypit theksuan se rezultatet do të merren seriozisht, ata mbështesin edhe hulumtimet e tjera, por arsye për masa parandaluese sipas tyre deri tani nuk ka.

Prindërit e Rafaelit vazhdojnë të jetojnë me fëmijët e tjerë ende në afërsi të centralit të energjisë bërthamore Gundremmingen. Që termocentrali do të jenë në funksionim edhe disa vjet të tjera dhe rreziqet e mundshme shëndetësore mbeten, kjo është një ngarkesë për familjen Rëther.

Autor: Gero Rueter/Angjelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani