1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëIzrael

Rrezik i përhapjes së konfliktit pas goditjes së spitalit

18 Tetor 2023

Goditja me raketë e një spitali në Gaza rrezikon të ndezë edhe më tej situatën e ashpërsuar në Lindjen e Afërt. Pas bombardimit të klinikës fajësimet janë të dyanshme. Ndërkohë kancelari gjerman, viziton sot Egjiptin.

Të lënduar pas goditjes me raketa në spitalin e Gazas
Të lënduar pas goditjes me raketa në spitalin e GazasFotografi: Mohammed Al-Masri/REUTERS

Goditja me raketa e një spitali në Qytetin e Gazës rrezikon të minojë përpjekjet aktuale diplomatike. Palestinezët militantë dhe Izraeli bënë përgjegjës njëri-tjetrin për goditjen me raketa, ndaj spitalit, me disa qindra të vdekur e shumë të plagosur. Ky ishte spitali i vetëm i krishterë në Rripin e Gazës, Al-Ahli Arab. Autoriteti shëndetësor në Rripin e Gazës i kontrolluar nga Hamasi militant islamist fajësoi ushtrinë izraelite për goditjen. Izraeli e hodhi poshtë këtë fajësim. Kreu i qeverisë izraelite, Benjamin Netanjahu deklaroi, se "e gjithë bota duhet ta dijë, se ishin terroristët barbarë në Gaza që goditën spitalin në Gaza." Nuk ishte ushtria izraelite, theksoi Netanjahu. "Ata që vranë brutalisht fëmijët tanë, vrasin edhe fëmijët e tyre."

Benjamin NetanjahuFotografi: Chad J. McNeeley/AA/picture alliance

"Spitali është goditur nga një raketë e devijuar e organizatës terroriste Xhihadi Islamik", bëri të ditur ushtria izraelite natën e së mërkurës. Izraeli ka pohuar, se do të bëjë publike provat. Më parë thuhej, se të dhënat të "orientojnë" tek përgjegjësia e organizatës terroriste, Xhihadi Islamik. Pas një verifikimi shtesë të sistemeve operative dhe të shërbimit sekret izraelit u tha "se ushtria izraelite nuk e ka goditur spitalin në Gaza". Zëdhënësi i ushtrisë, Danial Hagari bëri të ditur, se do të jepen prova për këtë publikisht. Pamje të dronëve ushtarakë tregojnë "një lloj objektivi në vendparkim", sipas Hagarit. Ushtria ka përgjuar një bisedë të grupit terrorist palestinez, Xhihadi Islamik, në të cilin luftëtarët e pranojnë gabimin në goditje. Ushtria do të publikojë një regjistrim të bisedës. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka bërë të ditur se numri i viktimave arriti shifrën e 500 vetëve. Të dhënat nuk mund të provohen në mënyrë të pavarur.

Goditje për përpjekjet diplomatike

Sulmi me raketë ndaj një spitali ka shkaktuar reagime të tronditura në të gjithë botën. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, pavarvsisht variantit të paraqitur nga Izraeli u shpreh i tronditur në X, ish-platforme twitter. "Zemra ime është tek familjet e viktimave. Spitalet dhe personeli mjekësor ndodhen nën mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare."

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus e dënoi sulmin. "Ne kërkojmë mbrojtjen e menjëhershme të civiliëve dhe kujdesit shëndetësor si edhe tërheqjen e rregullit të evakuimit", bëri të ditur Ghebreyesus në platformën X, ish-twitter.

Joe Biden viziton Izraelin, 18.10.2023Fotografi: Mandel Ngan/AFP/Getty Images

Sulmi minon përpjekjet ndërkombëtare diplomatike aktualisht. Jordania anuloi një takim të planifikuar për sot (18.10.) mes Mbretit Abdullah i II dhe presidentit amerikan, Joe Biden. Joe Biden viziton sot Izraelin. Takimi, në të cilin do të merrte pjesë edhe presidenti i Egjiptit, Abdel Fata-al Sisi do të zhvillohet atëherë, kur të ketë një ujdi për të ndalur luftën dhe "këtë masakër", tha ministri i Jashtëm jordanez, Aiman al-Safadi për televizionin jordanez, Al-Mamlaka.

Ndërkohë kancelari gjerman, Olaf Scholz pas vizitës solidarizuese në Izrael, qëndron të mërkurën në Egjipt për t'u takuar me presidentin, Abdel Fatah al-Sisi. Në Tel Aviv, Scholz tha se do të bisedojë me të për gjendjen humanitare të popullsisë civile në Rripin e Gazës, por edhe për mënyrat si të lirohen 200 pengjet e Hamasit, mes të cilëve ndodhen edhe disa gjermanë. Egjipti është vendi i vetëm që kufizohet me Rripin e Gazës.

Scholz në Izrael, konferencë shtypi me kryeministrin izraelit, Netanjahu- kancelari gjerman viziton më pas EgjiptinFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Shtetet arabe bëjnë përgjegjës Izraelin për sulmin

Shtetet arabe bënë përgjegjës Izraelin për sulmin ndaj spitalit. Presidenti palestinez, Mahmud Abas shpalli tre ditë zie. Në mjaft vende myslimane ka pasur protesta pas goditjes së spitalit në Gaza. Arabia Saudite e dënoi atë sulmin ndaj spitalit si "krim të shëmtuar" ashpërsisht si edhe "sulmet e vazhdueshme". Liga Arabe kërkoi nga perëndimi të ndalë luftën.

 

la/ag