1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrezik populist për BE

23 Maj 2018

Qeveria populiste në Itali nuk ra nga qielli, por e zgjodhën. Programi qeveritar i saj përmban forcë shpërthyese për BE. Si do të vejë puna më tej?

Giuseppe Conte
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Lore

Italianët nuk kanë besim si parim te politikanët, të cilët ata i quajnë me përbuzje "kastë". Politikanët italianë bëjnë rrallë atë që kanë premtuar në fushatën elektorale. Tani erdhën me të vërtetë në pushtet populistët nacionalistë të së majtës dhe të së djathtës. Ata premtojnë ndryshim historik, një revolucion, preokupim të vërtetë për qytetarët. Nuk vlejnë më ligjet e dikurshme? Apo koalicioni i ri pa përvojë, por me besim shumë të madh te vetja nuk do t'i kujtojë shpejt më synimet ambicioze dhe pjesërisht të rrezikshme të marëveshjes së koalicionit? Edhe po të tingëllojë e çuditshme, do të ishte në interesin e Italisë dhe e dëshirueshme për Evropën, që mekanizmat e vjetra të funksionojnë ende dhe që revolucioni nacionalist të dështojë.

Një kryeministër si fletë fiku

Kryeministri No-Name, një jurist i administratës, shpresojmë që do të kujdeset që t'u pritet maja përfytyrimeve më radikale të populistëve. Nëse profesori Giuseppe Conte nuk do të arrijë të ecë në rrugën e ngushtë të kompromisit midis ekstremeve, atë do ta zëvendësojnë shpejt.

Të dy udhëheqësit partiakë të lëvizjes së protestës "5 yje" dhe nacionalistët e "Lega"-s u kanë premtuar mbështetësve të tyre gjëra të pabesueshme: taksa më të ulëta, shërbime sociale, dalje herët në pension, pjesërisht me kredi. Prirësit e kopesë Di Maio i 5 Yjeve dhe Salvini i Legas do të përpiqen që ta bëjnë marionetë të tyre kryeministrin dhe ta shpërdorojnë atë si fletë fiku për makinacionet e tyre populiste.

Frazat boshe nuk janë program

"Italia e para" është thirrja boshe e betejës e zotërinjve të rinj në Romë. Kjo e bën të dridhet çdo evropian që preferon kompromisin. Po ta kërkojnë të gjithë këtë, nuk mbetet shumë nga solidariteti i popujve. "Askush nuk duhet të ketë frikë nga ne", buçet kryetari ekstremist i djathtë i Legas, Matteo Salvini. Por frikë duhet të kesh. Për BE njeriu mund të ketë frikë, sepse populistët mund ta bëjnë shpejt të lëkundet Eurozonën me një politikë të papërgjegjshme financiare.

"Italia nuk është Greqia" thonë pjesëtarët e koalicionit në Romë. Kjo është e saktë. Italia, njëra nga vendet që ka themeluar BE është shumë më e madhe se Greqia, por ka edhe borxhe që i kalojnë kufijtë. Do të ishte thuajse e pamundur që t'i shpëtosh italianët me një ombrellë shpëtimi si grekët.

Monedhën Euro dhe "komisarët e kursimit" gjermanë i konstatuan si burimin e gjithë të këqijave në fushatën elektorake populistët. Nuk përjashtohet që ata të nisin qëllimisht një krizë financiare, për të shpëtuar nga Euroja. Brenda natës Italia mund të fusë një monedhë paralele dhe ta katapultojë veten nga Eurozona. Tregjet financiare, populistët thjesht duan t'i injorojnë. Banka Qendrore Evropiane ende ua mbron krahët Italisë dhe shteteve të tjera të dobëta me vërshimin e kapitalit. Pyetja që shtrohet është se sa gjatë do të vazhdojë kjo pa pasoja. Më e vonta kur BQE t'i ngrejë interesat, situata për Italinë mund të bëhet shpejt e parehatshme.

Paniku nuk bën dobi

Në politikën e migrimit dhe të azilit, Lega nacionaliste mund t'i minojë të gjitha vendimet e BE. Një sistem i përshtatshëm për ndarjen e refugjatëve bëhet edhe më i largët. Me përjashtim të mbylljes së kufijve dhe dëbimit të të huajve, Lega-s nuk i vete mendja për gjëra të tjera. Dhe këtu nuk duhet të ketë frikë njeriu? Premtimi i Matteo Salvini tingëllon bosh. Italia do të ndryshojë dhe do të përpiqet ta ndryshojë BE. Deri në ç'masë lejohet dhe mundet të afrohesh me radikalët e rinj?

BE gjithësesi nuk duhet të reagojë me panik. Sulme emocionante si ato të ministrit francez të Financave në fundjavë shkaktojnë më tepër të kundërtën. Ndaj kritikës së hapur nga jashtë, italianët reagojnë tepër të acaruar, dhe kështu reagojnë të gjithë, jo vetëm populistët. Edhe ky është një nga ligjet e politikës italiane.

 

Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE