1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rreziku i terrorit islamik edhe në Gjermani

5 Dhjetor 2023

Pas sulmit terrorist në Paris dhe Gjermani, situata e sigurisë është analizuar më në detaje. Rreziku potencial është i madh.

Një nga të dyshuarit për terrorizëm
Një nga të dyshuarit për terrorizëmFotografi: Bernd Thissen/dpa/picture alliance

Të shtunën, më 2 dhjetor 2023, tregu i Krishtlindjeve në Göppingen të Gjermanisë u ndërpre, pasi një person i panjohur kërcënoi me telefon me sulm. Organizatorët në qytetin me 60.000 banorë në lindje të Shtutgartit dhe policia u përgjigjën shpejt, ndërsa vizitorëve iu kërkua të largoheshin nga ky vend. Gjithçka ka shkuar mirë, sipas policisë dhe vizitorëve të tregut të Krishtindjeve. Në qendër të qytetit shiheshin policë të armatosur deri në dhëmbë, u kontrollua zona e tregut, por nuk u zbulua asnjë mjet i rrezikshëm. Policia tashmë është në kërkim të personit që ka bërë këtë telefonatë.

Nëse policia gjen personin që ka telefonuar, personi duhet të llogarisë me pasoja të rënda. Jo vetëm me dënim për veprën penale, por duhet të përballet edhe me shpenzimet e aksionit policor, si dhe të dëmshpërblimit për tregtarët në tregun e Krishtlindjeve, të cilët për këtë shkak kanë pasur humbje të konsiderueshme. Kostot mund të shkojnë shumë lehtë në dhjetëra mijëra euro. Kohët e fundit, policia ka zbuluar me sukses persona që telefonojnë në mënyrë anonime apo dërgojnë mesazhe kërcënuese me e-mail, ndonëse ndonjëherë kjo nuk ka qenë e lehtë. Policia paralajmëron, se nuk duhet bërë shaka me këto gjëra, sepse pasojat janë të rënda dhe do të dënohet ashpër ndërhyrja e policisë dhe kufizimi i sigurisë së qytetarëve.

Nervozizëm në polici

Aksione kundër terroristëve potencialëFotografi: Jonas Walzberg/dpa/picture alliance

Në komisariatet gjermane të policisë, si dhe zyrat  dhe institucionet e mbrojtjes së rendit kushtetues, nervozizmi është i lartë. Në veçanti pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe ndërhyrjes së ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, autoritetet gjermane të sigurisë kanë vënë re se skena islamike radikale dhe e gatshme për dhunë po bëhet edhe më e radikalizuar.

Edhe ata që nuk kanë asnjë lidhje me organizatën terroriste Hamas, por e konsideronin veten anëtarë të të ashtuquajturit Shteti Islamik ose Al Kaedës tashmë pothuajse të harruar, të themeluar nga Osama bin Laden, tani ndjejnë një frymëzim të ri për të luftuar, thonë analistët. Autoritetet e sigurisë janë veçanërisht të shqetësuara se organizatat terroriste po përdorin situatën në Lindjen e Mesme për të mobilizuar mbështetësit e tyre dhe për t'i ftuar ata të kryejnë sulme terroriste. Qëllimi i përbashkët, shkatërrimi i shtetit të Izraelit, i bashkon këto organizata terroriste. Në rast se ata kryejnë tani ndonjë sulm, atyre u kushtohet një vëmendje e madhe nga publiku botëror, më e madhe se vetëm pak muaj më parë.

Vëmendja e shtuar

Vëmendje e madhe i kushtohet edhe policisë gjermane në rast të ndërhyrjes ndaj personave të dyshuar për terrorizëm. Ndërsa arrestimi i Tarik S. në Duisburg në fund të tetorit mori një vëmendje të moderuar, arrestimi i dy të rinjve në Brandenburg dhe Renanin Veriore-Vestfali, në fund të nëntorit, mori vëmendjen ndërkombëtare. Këta dy të rinj, sipas policisë, po diskutonin për sulmin terrorist në tregun e Krishtlindjeve në Leverkuzen. Kjo ra menjëherë në sy të organeve të sigurisë. Kjo skenë është plot me mburravecë, ndaj mbetet e diskutueshme nëse ata vërtet donin të kryenin një sulm terrorist. Bëhet fjalë për dy të rinj të moshës 15 dhe 16 vjeç.

Në Saksoni-Anhalt, një burrë i dyshuar për terrorizëm u mor në paraburgim ​dy javë më parë. Thuhet se ai ka shprehur gatishmërinë e tij për të kryer një sulm terrorist, ndoshta në tregun e Krishtlindjeve në Hanover. Të dyja rastet të kujtojnë sulmin terrorist të dhjetorit 2016 në një treg Krishtlindjesh në Berlin, me një kamion të rrëmbyer, në të cilin 12 persona u vranë dhe të tjerë u plagosën.

Ndryshon skena terroriste

Në të njëjtën kohë, skena islamike po bëhet gjithnjë e më e papërgjegjshme nga viti në vit. Evropa Qendrore nuk kërcënohet vetëm nga organizata të mëdha si Shteti Islamik dhe Al Kaida. Rreziku vjen edhe nga shumë organizata më të vogla që janë shkëputur ose nga individë që mund të negociojnë përmes forumeve të internetit ose rrjeteve sociale.

Sidomos për shkak të situatës në Lindjen e Mesme, u krijua një përzierje e kërcënimeve terroriste, për shkak të së cilës presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen Kushtetuese paralajmëroi se rreziku është "real" dhe "aq i madh sa nuk ka qenë për një kohë të gjatë”. Ai paralajmëroi se tubimet publike, janë veçanërisht në rrezik.

Sulm terrorist në Paris

Një nga aksionet kundër terroristëve potencialëFotografi: Jonas Walzberg/dpa/picture alliance

Sulmi terrorist islamik në Paris, ku një gjerman mbeti i vrarë të shtunën (2.11.2023), duket se konfirmon vlerësimet e autoriteteve të sigurisë. Vërtetë, në kryeqytetin francez nuk ka një treg klasik të Krishtlindjeve si në Gjermani. Por sulmi ndodhi pranë Kullës Eifel, e cila tani është e dekoruar dhe e ndriçuar posaçërisht dhe përfaqëson destinacionin turistik më tërheqës në Francë.

Edhe sulmuesi përshtatet në skemën e paralajmëruar ngaautoritetet gjermane të sigurisë - ai njihej si një islamist, i gatshëm për dhunë, për planifikimin e një sulmi terrorist, i dënuar më parë me katër vjet burg, por u lirua pas vuajtjes së dënimit. Kjo pjesë e biografisë së tij përkon me biografinë e Tarik S., i cili u arrestua në Duisburg. Edhe ai kishte qenë më parë në burg dhe më pas mori pjesë në një program de-radikalizimi.

As në Francë dhe as në Gjermani këto nuk janë raste individuale. Çdo muaj, burrat dhe gratë që janë dënuar për pjesëmarrje në sulme terroriste në të kaluarën, lirohen nga burgu. Ata zakonisht e vuajnë dënimin deri në ditën e fundit. Por pas kësaj ata janë "rikthyer në rrugë”, siç thotë policia.

bc/ARD