1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Rreziku vjen nga Arabia Saudite"

5 Dhjetor 2011

Peter Scholl Latour nxori kohët e fundit librin "Ora e së vërtetës e botës arabe - kryengritje në pragun e Evropës". Analizat e tij shumë herë kanë dalë të vërteta për këtë arsye libri ka tërhequr vëmendjen.

Der Publizist und Journalist Peter Scholl-Latour, aufgenommen am 25.11.2008 in Berlin bei der Vorstellung seines neuen Buches "Der Weg in den neuen Kalten Krieg". Das Buch beschäftigt sich mit den jüngsten weltpolitischen Ereignissen. Foto: Peer Grimm +++(c) dpa - Report+++
Peter Scholl-LatourFotografi: picture-alliance/ ZB

Që nga vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar Scholl Latour udhëton në të gjithë vendet arabe. Përvoja e tij gjashtëdhjetëvjeçare lidhet me përshtypjet aktuale gjatë udhëtimeve të fundit në Afrikën e Veriut, Sudan, Egjipt dhe Algjeri. Libri i tij nuk është vetëm një analizë politike. Ai përcjell botën magjike të pazarit, qyteteve të vogla dhe oazeve. Në të janë të lidhura elemente të raportimit aktual dhe udhëtimeve interesante.

Tunizia ka gjithnjë e më shumë probleme ekonomike

Numërimi i votave në TuniziFotografi: AP/dapd

Sipas vlerësimit të autorit në "pranverën arabe" nuk mund të bëhet më fjalë. Shpresojmë vetëm që kjo "vjeshtë arabe" të mos kthehet në "dimër të akullt." Pas entuziazmit fillestar ka ardhur zhgënjimi. Në Tunizi, ku filloi e gjitha, problemet ekonomike po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Rinia, që rrëzoi Ben Alinë, është e paqartë. Shumë prej tyre largohen me barka në drejtim të Mesdheut, lëvizja islamike, El Nahda, ashtu siç pritej, fitoi zgjedhjet. Por kjo nuk është ndonjë tmerr: "Ajo, që është e rrezikshme, është se të ashtuquajturit salafistë minojnë partinë e moderuar islamike. Ky rrezik vjen nga Arabia Saudite. Përveç kësaj Tunizia ka probleme ekonomike, pasi të ardhurat nga turizmi kanë rënë. Të rinjtë, të cilët të gjithcka e kanë nisur me forume interneti dhe mesazhe SMS, nuk kanë ide të qarta politike. Ata nuk dinë për kë të votojnë dhe kështu me radhë. Masat mendojnë në kategori të islamit të moderuar dhe nuk duhet të bëjnë gabim të krijojnë front kundër kësaj lëvizjeje të moderuar islamike, gjë që do të conte ujë në mullinjtë e ekstremistëve ... "

Egjipt - Vehabistët rreziku më i madh

Feldmarshali Hussein TantawiFotografi: picture alliance/dpa

Në Egjipt në prag të zgjedhjeve feldmarshalli Tantavi, kreu i Këshillit Ushtarak, aktualisht ka më shumë pushtet nga sa ka patur dikur Mubaraku dhe vështirë është që ushtria të bjerë dakord, që të heqë dorë nga privilegjet e saj, thotë Scholl Latour dhe shton:

"Nuk ka dyshim se "Vëllazëria myslimane "dhe partitë, që e kanë themeluar atë, do të jenë më të fortat. Por pikërisht në Egjipt ekziston rreziku më i madh që ky proces të minohet. Rreziku vjen nga Arabia Saudite. Sulmet mbi koptët janë provokime të grupeve të caktuara, që duan të pengojnë zhvillimin e islamit të moderuar. Unë mendoj se kjo është shumë e rrezikshme, pasi besoj se rryma vahabiste nga Arabia Saudite paraqet rrezikun më të madh të botës islame. Unë nuk e kuptoj pse Perëndimi e toleron këtë regjim ... Banorët e fshatrave egjiptiane, të cilët nuk  kanë protestuar në Sheshin Tahrir në Kajro, dëgjojnë atë, që u thotë imami. Dikur predikimet e të premteve i ka kontrolluar Mubaraku. Tani nuk ndodh më kështu ... "

Kush qeveris në Libi

Abdelhakim BelhadjFotografi: picture alliance/dpa

Për këtë çështje Peter Sol-Latour jep këtë përgjigje: "Nuk ka dyshim se njeriu më i fuqishëm në Libi është Abdul Hakim Belhadj, terrorist i Al Kaedës dhe salafist, i cili ka qenë në Guantanamo dhe të cilin SHBA ia dorëzuan Gadafit. Iu fal dënimi nga djali i Gadafit, Saif al Islami. Abdul Hakim dhe mbështetësit e tij nuk do lenë t'i komandojnë burokratët dhe pak a shumë ish-ithtarët e Gadafit."

Siria është sipas mendimit të Scholl-Latour e rëndësishme për ekuilibrin në Lindjen e Mesme. Për Izraelin ky është armik, të cilin ai e njeh mirë. A është kjo arsyeja se përse Perëndimi heziton aq shumë për të ndërhyrë? Për sa kohë më do të shohin me duar lidhur gjakderdhjen? "Perëndimi shumë gjëra të këtilla i ka parë me duar kryq. Për shembull kur unë vetë në vitin 1982 kam kaluar nëpër Aman, 20.000 njerëz u vranë dhe askush nuk reagoi. Unë mendoj se ka shumë propagandë dhe se disa  demonstrata proregjimit tregohen si kundër regjimit. Unë gjithashtu besoj se këtu përzihen agjentët sauditë..."

Kush është Scholl-Latour

Scholl-Latour ka lindur në vitin 1924 në Bochum. Prindërit e tij ishin nga Alsace dhe Saarland, zona që vazhdimisht kanë kaluar nga duart e gjermanëve tek francezët dhe anasjelltas. Për shkak të origjinës hebreje, me qëllim që ta fshehnin nga nazistët, prindërit e dërgojnë atë në një shkollë manastir në Zvicër, por meqenëse ata nuk ishin në gjendje ta financonin shkollimin e tij deri në fund, e kthejnë në Kassel, ku në vitin 1943 ai merr maturën.



Gjatë Luftës së Dytë Botërore Scholl-Latour dëshironte t'i bashkohej ushtrisë franceze, por përpjekja e tij për të kaluar në Mec, në territorin e kontrolluar nga francezët dështoi, prandaj ai vendosi të bashkohet me partizanët e Titos. Në Steiermark e arrestuan në vitin 1945. Ka qenë në burgjet e Gestapos në Grac, Vjenë dhe Pragë. Pastaj në vitet 1945/46 luftoi në anën e francezëve në Indokinë. Ai studioi në Mainz, në Sorbonne dhe në Bejrut: filozofi, shkenca politike dhe arabistikë.

Scholl-Latur për vete thotë se është golist. Kritikët e tij thonë se ngjarjet në Ballkan, Afrikë dhe Azinë Lindore i sheh nga pikëpamja e politikës franceze. Ai vetë është shumë kritik, kur bëhet fjalë për rolin e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe në luftërat në Irak dhe Afganistan. Al Kaeda, thotë ai, është krijesë e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Rusisë. Ai është një përkrahës energjik i politikës së përbashkët evropiane të mbrojtjes dhe kundërshtar i zgjerimit të BE-së drejt Lindjes, pasi ai e konsideron këtë zgjerim të parakohshëm. Tema e "mbrojtjes së klimës" për të është vetëm fenomen i modës. Dhe këto janë vetëm disa nga tezat e tij kontroverse...

Peter Scholl-LatourFotografi: Cornelia Laqua

Autor: Mirjana Kühne Veljkovic

Redaktoi: Angjelina Verbica