Rritet çmimi i bukës në Kosovë
20 Gusht 2010
“Çmimi i bukës është shumë i shtrenjë për qytetarët e Kosovës. Pagat janë shumë të ulëta dhe çmimi i bukës natyrshëm ndikon shumë në familje. Për standardin që është në Kosovë, buka është shumë shtrenjtë”
Kështu shprehen disa qytetarë, te të cilët rritja e çmimit të bukës ka ndikuar mjaftueshëm për të rënduar edhe më shumë koston e shpenzimeve në shportën ditore. Disa nga furrtarët thonë se ata kanë qenë të detyruar që të rrisin çmimin e bukës, sepse prodhuesit dhe importusit e miellit tashmë e kanë bërë një gjë të tillë.
“Ka familje, që ankohen për çmimin, kur blejnë bukë, por nuk është problemi te ne e as te familjet, problemi është te qeveria, shteti, që nuk ka rezerva. Ne një kilogram miell e marrim me 40 cent dhe jemi të detyruar qe një bukë ta shesim të paktën 30 cent."
Morina: Çmimi i grurit rritet nga zvogëlimi i eksporteve të tij
Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, nga ana e tyre thonë se Kosova nuk është një ishull i izoluar dhe nuk mund të jetë jashtë ndikimeve të zhvillimeve ndërkombëtare. Xhabir Morina, zëvëndësministër i bujqësisë, thotë se zvogëlimi i sasisë së eksporteve nga prodhuesit më të mëdhenj botërorë ka nxitur një rritje çmimi të grurit dhe prodhimeve të tij.
“Këtë ngritje të çmimit të grurit e ka shkaktuar rendimenti i ulët jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon dhe ndalja e eksportit të grurit nga exportuesi më i madh i grurit në botë, Rusia. Por njëkohësisht edhe në nivel botëror ka rënie të prodhimit të grurit dhe kjo nuk është veçanti vetëm e Kosovës”, thotë zëvëndësministri, Xhabir Morina.
Kosova aktualisht sipas eksperteve të këtushëm nga prodhimi vendor i grurit mund të sigurojë vetëm 40 për qind të nevojave të qytetarëve. Pjesa tjetër varet nga importi.
Sindikatat kërkojnë zgjidhje nga qeveria
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e vendit që të marrë mbi vete përgjegjësinë dhe të gjejë një zgjidhje për çmimin e miellit dhe të bukës, që është duke u ngritur në një kohë, kur siç thotë Haxhi Arifi, kryetar i sindikalistëve, në Kosovë janë duke u dëmtuar edhe tokat e bukës.
“Eshtë një defekt jashtëzakonisht i madh dhe në këtë drejtim është shumë pak duke u punuar. Edhe ato toka, që i ka Kosova dhe i ka pasur në të kaluarën, janë zvogëluar dhe po zvogëlohen në mënyrë drastike. Kosova ka pasur mbi 110 mijë hektarë tokë, që mbilleshin me grurë”, thotë Haxhi Arifi.
Rritja e çmimeve rëndon gjendjen e popullsisë
Sindikalistët tërheqin vërejtjen se rritja e çmimit të bukës, bashkë më rritjen e çmimeve të mallrave të tjera të domosdoshme mund të ndikojnë në gjendjen e rëndë të popullsisë, që përballet me shkallë të lartë të papunësisë, që ka kushtëzuar edhe një shkallë të lartë të varfërisë. Sipas Bankës Botërore dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale 15 për qind e popullatës së Kosovës jetojnë në varfëri me nga 0.45 cent në ditë, ndërsa edhe 18 për qind e popullatës rrezikohet nga varfëria. Ndërkohë numri i të papunëve shkon më shumë se 50 për qind. Sipas të dhënave të MPMS-së në Kosovë janë 34 mijë familje, që marrin ndihmë sociale prej 60 deri në 80 euro në muaj. Kjo gjendje e rëndë sociale ka bërë që sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtarë dhe Bankës Botërore Kosova të radhitet njëri ndër vendet më të varfra në Evropë.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Angjelina Verbica