1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritja e inflacionit në Turqi

5 Korrik 2022

Zyrtarisht, inflacioni në Turqi ishte pothuajse 80 për qind në qershor. Opozita dhe ekspertët e vlerësojnë shumë më lart. Opozita dhe ekspertët thonë se inflacioni është shumë më i lartë.

Türkei | Inflation
Fotografi: Emre Eser/DW

Në qershor, kostoja e jetesës në Turqi është rritur me 78,6 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021. Kjo u njoftua nga Zyra Kombëtare e Statistikave në Ankara të hënën. Në muajin e kaluar, maj 2022, norma e inflacionit ishte rreth 74 përqind.

Në qershor në veçanti janë rritur çmimet e transportit dhe gjërave ushqimore. Edhe kostot e prodhimeve janë rritur shumë. Sipas Zyrës së statistikave, çmimet që paguajnë prodhuesit për mallrat e tyre janë rritur me rreth 138 përqind në qershor.

Opozita akuzon qeverinë se ka manipuluar shifrat e inflacionit, sepse ajo supozon një normë dukshëm më të lartë. Grupi që merret me studimin e inflacionit, me seli në Stamboll, Enag, pohon madje se inflacioni në qershor ka qenë 175,5 përqind.

Inflacioni dyfish më i lartë?

Fotografi: Tolga Ildun/ZUMA Wire/imago images

Norma e inflacionit në Turqi nxitet nga disa faktorë. Monedha e dobët kombëtare, Lira, ka bërë që çmimet të rriten ndjeshëm për një kohë të gjatë, pasi mallrat e importuara në Turqi po shtrenjtohen. Çmimet e shumë mallrave po rriten gjithashtu, jo vetëm për shkak të sulmit rus në Ukrainë.

Sipas shumë ekonomistëve, Banka qendrore turke nuk po e lufton inflacionin e lartë me vendosmëri të mjaftueshme. Në fakt, Banka ka lehtësuar politikën monetare që nga vera e kaluar.

Sipas ekonomistëve, rritja e normave të interesit mund të kundërshtojë rritjen e inflacionin. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, nga ana tjetër, argumenton se normat e larta të interesit shkaktojnë inflacion. Banka qendrore ndjek linjën e Erdoganit dhe deri më tani është përmbajtur nga rritja e normave të interesit. Që nga janari ajo ka mbajtur normat e interesit në 14 përqind.

Fotografi: Emre Eser/DW

Rroga minimale dhe varfëria

Pas inflacionit të lartë, Erdogani ka kërkuar rritjen e rrogave për rreth 30 përqind. Rrogat minimale do të rriten në 5.500 lira turke neto (rreth 316 euro) në muaj, tha Erdogan të premten (01 korrik) në Stamboll. Është kjo rritja e dytë brenda një viti. Normalisht, paga minimale rishikohet vetëm një herë në vit.

Sipas organizatës ombrellë të sindikatave Türk-Is, shuma e nevojshme për të ushqyer një familje me katër anëtarë ishte 6.391 lira në qershor, gati 900 lira më shumë se paga minimale.

Ndërsa kufiri i varfërisë për një familje me katër persona në Turqi ka qenë në qershor 20.818 lira (rreth 1.200 euro). Kjo do të thotë se një familje katëranëtarëshe është dashur të fitojë dy herë më shumë se para një viti, për të mos u llogaritur në kategorinë e personave të varfër.

 

 

bc/bea/hb (dpa)