Rritje e vazhdueshme çmimesh në Kosovë
19 Shtator 2007
Me 3 gusht të këtij viti, qeveria e Serbisë mori vendim për ndalimin e eksportit të produkteve bujqësore: grurit, misrit, sojës dhe lulediellit, në Kosovë dhe në disa vende të rajonit, për afat 90 ditësh. Prej datës 7 gusht, në Kosovë u bë edhe ngritja e çmimit të bukës, për arsye se 90 për qind të miellit në Kosovë importohej nga Serbia. Zyrtarët e Kosovës patën thënë se Serbia nuk ishte kanali i vetëm i furnizimit me miell, ndonëse hapja e rrugëve të reja të importit do të kushtonte më shumë. Pas një muaji e gjysmë, shitja e bukës vazhdon me valën e re të ngritjes se çmimit, prej 25, 30 e në fund, edhe në 40 cent. Më të goditurit janë shtresat e varfëra dhe pensionistët.
Buka shitet me çmimet e reja
“O shtrejtu po, qare pa e ble s’ po kom! Kush ka-e blen, e kush s´ka-kruhet. Mo Zo ma keq! Buke me hangër po, a me pa gjo t’ mbarë, jo pasha Zoten!”-thotë Rrustemi, nga Deçani.
“Jetohet disi. Pa punë, shtatë anëtarë familjeje. Çmimi i bukës është rritur, pastaj tjerat…Shtrenjtime, shtrenjtime, shtrenjtime, tej mase…”-ankohet Ata Haxhia, Gorane nga Dragashi i Rajonit të Prizrenit. “Kurrqysh hiç. çdo ditë më së paku një buke, e s´është as një kile. E ku është gjella? Ku është dreka? Ku është darka?”.
“Ai si e ka rrogën e mirë s´është shtrejt. A për atë që i ka 40 euro e s’ ka kah ia ngjet kurrkah… Është katastrofë mos me i kujdes kurkush për pensionistët e Kosovës. Të mirë e të këqij! Duart e tyre e kanë ndërtu Kosovën. Ata, çka kanë ditë, çka kanë mujt, kanë ba. Në punë 30-40 vjet e me i marr 40 euro, kjo është katastrofë!”
Pensionistët më të prekurit nga ngritja e çmimeve
Si rrjedhojë, Shoqata Rajonale e Pensionistëve e cila numëron rreth 10.000 anëtarë, kohëve të fundit morri vendim për bojkotimin e zgjedhjeve të sivjeme. “Me 40 euro as bukën nuk mundët ta sigurojë, as bukën, e lëre më diçka tjetër ta hash me bukë. Deri me tash, në çdo hap kemi has njerëz tuj kërku copa të bukës nëpër kontejnera. E tash, ky numër do të rritet edhe më shumë, sepse njeriu duhet të ekzistojë!”- thotë i revoltuar, kryetari i kësaj shoqate, Ismet Sheremeti.
“Ashtu…Disi ec puna…Çmimi është rrit në 40 cent se është shtrejtu mielli. Shitja ka ra…”-thotë Qamil Qoqaj, furrtar në furrën 200 vjeçare, “Qakorri” në Pejë.
“Thesi i miellit 25 kg, përpara ka qënë 6-të euro apo në 6,50. Ndërsa, tash shkon deri në 10 euro. Kurse, mielli 1 kilogramësh që ka qenë 35 cent, tashmë është ngritur 50 deri në 60…Edhe prodhimet vendore edhe prodhimet nga Serbia, Italia etj.janë shtrejtu. Dhe, jo vetëm mielli por qumështi, vaji, sheqeri...”-thotë Ilir Gaska, pronar i një vetëshërbimi.
Toka megjithëse pjellore, nuk mbillet
Dhe, ndërkohë që popullata e Kosovës përballet me mungesë të artikujve bazë, me mijëra hektarë tokë shndërrohen në djerrina, ngulfaten nga mbetjet e shtëpive të rrënuara gjatë luftës apo nga male mbeturinash që rriten përditë, me arsyetimin më të
shpeshtë “se nuk ka leverdi”. E, në një të kaluar jo të largët, familjet e gjëra kosovare jetonin vetëm nga prodhimet e kësaj toke, ndër më të pjelloret në rajon. Rrustemi dhe Zefi, janë dëshmtiarë të asaj kohe. “Në njëfare vakti, vetëm nga toka jonë i merrshim 5000 kile pasul. Unë ju kam grah kuajve e kijeve kur i plehëronim se kishim dhenë e lopë. Atëherë, veç me kmesë me i këput kollomoqat. Mbillnim kollomoq, grurë e tetana. Po more per Zotin! çka të mbjellësh korr. E tash shko, ke me gjet veç ferra e murriza“.
“Kush mundet me punu-nuk don e kush don, nuk mundet! Kështu domethanë i kemi dhanë rast Serbisë me na shërbye me gjana ushqimore, tuj mujt na me i ba në vendin tonë e në tokën tonë”. Sipas Zyrtarëve të Odës Ekonomike të Kosovës, importi në Kosovë është 800 milionë, përderisa eksporti është vetëm 70 milionë euro.