1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110411 IWF World Economic Outlook

13 Prill 2011

Me katër përqind e gjysëm pritet të rritet ekonomia botërore këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Ky është parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për zhvillimin e ekonomisë botërore, paraqitur në Uashington.

Rimëkëmbja e ekonomisë botërore po vazhdon, thotë kryeekonomisti i FMN, Olivier Blanchard. Megjithatë, kjo rimëkëmbje kryhet me shpejtësi krejt të ndryshme. Sepse pas rritjes mesatare të ekonomisë botërore prej 4,5 përqind, të cilën e parashikon FMN për vitet 2011 dhe 2012, fshihen dallime të konsiderueshme.


Kryeekonomisti i FMN, Olivier Blanchard.Fotografi: picture alliance/dpa

Ritmet e ndryshme të rritjes mbartin rreziqe

Kështu, vendet e industrializuara besohet se do të rriten mesatarisht vetëm me 2,5 përqind, në një kohë që vendet në ekspansion ekonomik do të shënojnë një rritje prej 6,5 përqind. Pra rritja ekonomike është tepër e pabarabartë. Kjo sjell me vete rreziqe, thotë kryeekonomisti i FMN, Olivier Blanchard:

"Në shumicën e vendeve të industrializuara, rendimenti ekonomik mbetet shumë pas potencialit të prodhimit, papunësia është e lartë dhe përballë kuotave të ulëta të zhvillimit ekonomik kjo gjendje do të mbetet për një kohë të gjatë e tillë".

Kriza ka çuar në shumë vende në një rrënim dramatik të financave shtetërore. Tani shtetet janë të detyruara që t'i konsolidojnë buxhetet e tyre. Dhe bankat luftojnë për kuota më të larta të kapitaleve vetjake, sepse duhet të llogarisin gjithnjë e më tepër me mungesa kërkese.

FMN rekomandon rregullim të rreptë të sektorit bankar.Fotografi: picture alliance/dpa

Konsolidim i buxheteve dhe rregullim i sektorit bankar

Në vendet periferike të Evropës kjo vihet re gjithnjë e më shumë:

"Këshillat që u japin vendeve të industrializuara janë të vjetrat: sistemi bankar duhet të bëhet më rezistent ndaj krizave dhe konsolidimi i buxhetit duhet të bëhet në mënyrë të barazpeshuar. Ai nuk duhet të bëhet me shpejtësi të madhe, sepse kjo e frenon rritjen ekonomike, por as edhe shumë ngadalë, sepse kjo e dëmton kredibilitetin. Rregullimi dhe mbikqyrja e bankave duhet të përmirësohet- para së gjithash në Evropë. Dhe duhen ndërmarrë edhe më tej reforma, të cilat ta forcojnë potencialin e rritjes", thotë Oliver Blanchard.

Rreziqet e inflacionit, FMN momentalisht nuk i vlerëson shumë të larta. Çmimi i lartë i lëndëve të para paraqet vërtet një barrë, por ai nuk do ta pengojnë në mënyrë të konsiderueshme shlodhjen globale. Ndryshe paraqitet situata në vendet në ekspansion ekonomik, ku kërcënon pjesërisht një mbinxehje e ekonomisë, nëse shkalla bazë e inflacionit, duke hequr energjinë dhe ushqimet, mbetet në njëfarë mënyre e moderuar:

"Sfida për vendet në ekspansion ekonomik është krejt e ndryshme nga ajo e vendeve të industrializuara. Ato duhet të shmangin një mbinxehje të ekonomisë së tyre dhe të përballojnë shtime të larta kapitalesh."

Prandaj, FMN-ja u rekomandon vendeve të prekura në ekspansion, që herë pas herë të shqyrtojnë mundësinë e kontrollit të kapitaleve dhe që të mos ta luftojnë me të gjithë fuqinë një vlerësim të monedhave të tyre. Lokomotiva më e fortë ekonomike, sipas Blanchardit mbetet Kina, me kuota të pandryshueshme rritjeje ekonomike 9,6% këtë vit dhe 9,5% vitin e ardhshëm. Pasojat ekonomike të katastrofës së Japonisë, FMN, megjithë pasigurinë aktuale i konsideron të kufizuara.

Autor: Rolf Wenkel / Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani