1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

Rroftë sporti...

26 Qershor 2018

Ndeshja Serbi-Zvicër ishte një prej ndeshjeve më të mira në kampionat, por ky fakt u sfumua prej emocioneve që shkaktoi gjesti i dy futbollistëve me origjinë shqiptare.

Schweiz Fussball - Nationalmannschaft
Fotografi: picture alliance/augenklick/firo Sportphoto

Emocionet e shqiptarëve dhe serbëve pas ndeshjes Zvicër-Serbi janë të kuptueshme, kur dihet e kaluara e hidhur e raporteve shqiptaro-serbe. Por besoj se me kaq mjafton: futbolli është futboll dhe asnjë gol i Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës apo Mitroviqit nuk do t'i zgjidhë problemet në raportet mes serbeve dhe shqiptarëve; nuk do kthejë në jetë të vrarë gjatë luftës dhe nuk do të gjejë të zhdukurit nga kjo luftë.

Kjo ndeshje u solli emocione të jashtëzakonshme shqiptarëve dhe serbëve (në këtë rast pozitive për shqiptarët dhe negative për serbët). E ajo për të cilën, për fat të keq, është folur shumë pak, është kualiteti i ndeshjes Zvicër-Serbi. Kjo ishte definitivisht një prej ndeshjeve më të mira në kampionat, me tre gola fenomenal, me raste dhe kombinime jashtëzakonisht të mira në të dy anët dhe ... natyrisht me shumë emocione (shpesh të tepërta).

Fotografi: picture alliance/dpa/empics

Për kushtet në të cilat është zhvilluar ajo, kur mes shqiptarëve dhe serbëve ende ka një lloj „konflikti të ngrirë" në Kosovë, lojtarët në fushë kanë treguar gjatë tërë kohës një pjekuri të lartë sportive dhe sjellje shumë korrekte mes tyre. Madje edhe pas ndeshjes dhe humbjes, lojtarët serbë ishin shumë më të matur, se mediat dhe opinioni publik apo politik.

FIFA vendosi ndërkohë: duke dënuar Xhakën dhe Shaqirin me nga 10.000 franka zvicerane, ndërsa kapitetin e Zvicrës Lichtsteiner me 5000 franka gjobë.  Federata e Futbollit të Serbisë (për shkak të sjelljes josportive, provokimeve dhe hedhjes se sendeve të ndryshme në stadium) dhe trajneri Mladen Krstajiq (për deklaratat se gjyqtari gjerman Felix Brych pasi „ka mbajtur anën e Zvicrës" duhet të dërgohet në Hagë!) dënuan me rreth 65.000 franka. Dhe kaq. Mjafton.

Lojtarët e Zvicrës dhe të Serbisë tani duhet të përqendrohen, sepse nesër kanë para vetes dy ndeshje shumë të vështira: me Kostarikën dhe Brazilin.

Fotografi: picture-alliance/dpa/L. Gillieron

Janë populizëm dhe patriotizëm folklorik të gjitha aksionet apo thirrjet nëpër rrjetet sociale, për mbledhjet e parave për të paguar dënimet e Xhakës, Shaqirit dhe Lichtsteiner. Besoj se Federata e Futbollit në Zvicër do të gjejë një mundësi që t'i paguajë këto dënime. Në fakt, jam i bindur se Zvicra ka kaq mundësi!

Ajo që kjo ndeshje nxori në pah edhe një herë është: Rruga prej patriotizmit deri tek tradhëtia dhe anasjelltas është për popujt e Ballkanit shumë e shkurtër.

Adnan Januzajn, që luan për Belgjiken, tani shumëkush e quan, pa pikë turpi, „tradhëtar". Por jam shumë i bindur se të njëjtit do ta quanin atë „hero" dhe do ta ngrinin në qiell, sikur Januzaj të futej në një ndeshje vendimtare për Belgjikën në këtë Kampionat Botëror, të shënonte gol dhe të bënte shqiponjën!

Mos të harrojmë se edhe Xhaka, Behrami, Shaqiri... janë ofenduar dhe (pa pikë turpi) janë quajtur tradhëtar të popullit shqitpar nga shumëkush që sot i quan hero dhe krenari e kombit. E kkjo vetëm pse kanë zgjedhur të luajnë për Zvicrën, apo ndoshta edhe kanë qenë të detyruar të bëjnë këtë zgjidhje. 

Ata nuk kanë ndryshuar. Ata kanë qenë të këta që janë sot, kur kanë vendosur të luajnë për vendin, që ua ka mundësuar të gjitha. Kosova dhe Shqipëria nuk kanë investuar anjë cent për zhvillimin e tyre. Nëse janë të vërteta pohimet e Shaqirit (nuk kam ndonjë argument të mendoj ndryshe), kreu i atëhershëm i Federatës së Futbollit Shqiptar i ka kërkuar 100.000 Euro, për të veshur fanellën e kombëtares shqiptare. 

Fotografi: picture-alliance/dpa

Xhaka, Shaqiri, Behrami… janë lindur në periudhën e së kaluarës së hidhur të Kosovës dhe të shqiptarëve. Prindërit e tyre janë detyruar dikur të ikin nga vendlindja. Por ka dhe shumë lojtarë të tjerë që kanë shkuar me dëshirë në vendet e tjera dhe tani luajnë për kombëtaret „e huaja". Kjo megjithatë nuk do të thotë se në gjoksin e tyre nuk rrahin dy zemra: për vendin ku jetojnë dhe që u ka mundësuar të gjitha, por edhe për vendlindjen e tyre apo vendin e origjinës së paraardhësve të tyre. Raste të ngjashme ka sot me qindra në mbarë botën.

Prandaj Xhaka, Shaqiri, Behrami… duhen lënë të qetë. Nesër është një ndeshje tejtër, shumë e rëndësishme për Zvicrën. Në rast humbjeje, mund të largohen nga Kampionati, e besoj që këtë nuk e do askush. Do të ishte dëm për futbollin, do të ishte dëm për Kampionatin.

Viva Sport, viva futbol!