1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hollande sipas modelit Schröder

Carolin Lohrenz / Eliana Xhani15 Janar 2014

Pas një vit e gjysmë në post, presidenti i Francës distancohet nga politika e tij e deritanishme ekonomike. Dhe në këtë moment vendimtar, francezët interesohen para së gjithash për partneren e tij.

Fotografi: Reuters

"Unë jam socialdemokrat!" François Hollande qëndron në sallën e festave të Pallatit Elize para 600 gazetarëve dhe thekson vazhdimisht këtë fjali. Në kornizën e perdeve të rënda dhe flamurit francez ai flet në konferencën për shtyp të vitit të ri. Ajo është një ngjarje e madhe mediatike në Francë dhe e treta në mandatin e socialistit.

Ajo është gjithashtu mundësi për presidentin të përcaktojë piketat. François Hollande dëshiron të flasë për politikë dhe për rritje të ekonomisë: "Unë kam një bindje. Ajo është e fortë", thotë ai. "Nëse Franca kërkon të ruajë ndikimin e saj në botë, nëse kërkon të marrë pjesë edhe më tej në vendimmarrje në Evropë, dhe nëse kërkon të ketë edhe më tej në duart fatet e veta, atëherë duhet të rigjejë patjetër një fuqi të re ekonomike."

"Zgjedhur me mbështetjen e të majtëve"

Monologjet presidenciale 40 minutëshe i shërbejnë gjithnjë të njëjtit qëllim: të frymëzohen francezët për besim të ri në fuqinë e vendit të tyre. Rruga për atje nuk kërkon asgjë më pak sesa një kthesë radikale të politikës së deritanishme: më pak mirëqënie, më shumë treg, më shumë përgjegjësi për individin. Hollandë flet për masa për stimulimin e rritjes ekonomike, për kursime në buxhet dhe në sistemet sociale. Dhe para së gjithash flet për një "paketë përgjegjësie", e cila duhet të ulë kostot e punës për sipërmarrjet me 35 miliardë euro. Pa këtë paketë nuk do të bëhet më asgjë - në këmbim të vendeve të reja të punës.

Presidenti pozicionohet fare qartë. Burri me teserën e socialistëve nuk do të jetë më socialdemokrat i paturpshëm. "Unë jam zgjedhur me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe të majtës", thërret ai. "Natyrisht i qendroj gjithnjë besnik bindjeve të mia. A jam një socialdemokrat? Po! Por ky pakt përgjegjësie nuk është asgjë tjetër veçse një kompromis social. Unë nuk jam bërë papritur pre e liberalizmit."

Kursim deri në 2017

Këtë qendrim Presidenti e demonstron prej dy javësh tashmë. Që në fjalën e tij në televizion me rastin e Vitit të Ri, ai bëri të qartë: 15 miliardë euro duhet të kursehen në 2014, 50 miliardë deri në 2017. Për të kontrolluar çdo shpenzim është ngritur madje një autoritet i ri. Ai quhet "Këshilli strategjik i shpenzimeve".

"Disa do të më pyesin: Përse nuk stimuloni kërkesën? Unë iu përgjigjem: nëse për një politikan të majtë do të ishte e mjaftueshme të rriste vazhdimisht defiçitin, atëherë të gjithë paraardhësit e mi në detyrë duhej të cilësoheshin nga ekstremi i majtë.

Pamje nga konferenca për shtyp e Hollande-s më 14.01.2014Fotografi: Reuters

Korniza e kësaj konference shtypi me rëndësi shtetërore, lidhur ngushtë me protokollin e Republikës, nuk i përshtatet shumë Hollande-s, i cili preferon raundet e vogla. Por ajo ofron ambientin e përshtatshëm për një tjetër temë, të cilën Hollande synon ta çojë përpara vitin e ardhshëm: Evropën dhe motorrin e saj gjermano-francez.

"Iniciativat për Evropën duhet të vijnë nga Gjermania dhe Franca", thotë ai. "Na duhet konvergjencë ekonomike dhe sociale. Koalicioni i madh në Gjermani sapo ka vendosur të vendosë një pagë minimale. Ky është një hap i parë. Ne nga ana jonë duhet të harmonizojmë politikën fiskale."

Një Airbus i kthesës energjetike

Në pikën tjetër pason vizioni i një kthese energjitike të hartuar bashkarisht nga Parisi dhe Berlini: "Sa i takon energjive të ripërtëritshme Gjermania ka një përparësi. Por ne kemi përparësi në ruajtjen dhe në rrjetet e energjisë. Ne duhet të bashkëpunojmë para së gjithash në ngritjen e degëve të reja të industrisë. Jemi krenar për Airbus. Tani duam një sipërmarrje të përbashkët për kthesën energjitike!"

Hollande flet edhe për përgjegjësi të përbashkët në politikën e mbrojtjes. "Kontakt i ngushtë mes kancelares, meje dhe ministrive tona", në të gjitha temat e rëndësishme, duhet të krijojnë "një dinamikë gjermano-franceze për Evropën". "Nëse jemi të aftë për këtë", shtoi Presidenti duke rishfaqur pasigurinë e tij karakteristike.

Po shoqja e Presidentit?

Pasi morën fund njoftimet për itinerarin politik të këtij viti, erdhi dushi i ftohtë i papritur. Në mbyllje të konferencës për shtyp ishin parashikuar pyetje të shtypit, dhe e para ishte: a do ta shoqërojë Valérie Trierweiler Presidentin në vizitën e tij në Uashington në fillim të shkurtit?

Në foto: Francois Hollande dhe Valerie TrierweilerFotografi: picture-alliance/dpa

Kjo është çështja që preokupon vendin. Partnerja e Hollande gjendet prej ditësh në spital me diagnozën "lodhje ekstreme", pasi një revistë pariziane pati informuar për një lidhje të fshehtë të Presidentit me një aktore franceze. "E kuptoj pyetjen tuaj. Sigurisht ju do ta kuptoni përgjigjen time", përgjigjet në mënyrë mekanike kreu i shtetit. "Në jetën private të gjithë gjenden një herë para provash. Kjo është e dhimbshme. Por unë kam një parim: gjërat private, rregullohen privatisht."

Në gjurmët e Gerhard Schröder-it

Pastaj vijojnë pyetjet për tema vërtet më emergjente si arsimi, rinia, shëndetësia. Gjithsej dy orë e gjysmë flet Hollandë për shtypin dhe refuzon çdo pyetje për jetën e tij private.

Ai i ngjan tani më shumë një Gerhard Schröder-it se sa një Lionel Jospin, komentojnë gazetarët në mbrëmje dhe kujtojnë Hollande-n gjatë fushatës elektorale, i cili mori pushtetin me premtimet për një taksë 75 për qind për të pasurit dhe një aleancë të vendeve në jug të Evropës kundër diktatit të kursimeve të Angela Merkelit.

Pallati Elize nuk i përket bosëve të ekonomisë

Sindikatat akuzojnë se Presidenti po i shpall të falimentuara modelet e filozofisë së tij. "Ai po bën rrëfimin e liberalizmit të tij", thotë p.sh. Jean-Claude Mailly, sekretar i përgjithshëm i sindikatës Force Ouvrière.

"Politika e punësimit nuk është më problemi i tij por i punëdhënësve. Pra t'u japim atyre 35 miliardë dhe të shohim se çdo të bëhet. Këtu konfirmohet orientimi i tij i nxituar drejt një liberalizmi ekonomik. Kjo është e rrezikshme. Ai është Presidenti i Francës! Nuk është president i bosëve të ekonomisë."