1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga e vështirë e rigjallërimit të ekonomisë shqiptare

Arben Muka23 Korrik 2013

Ekspertët e shikojnë rrugëdaljen tek përmirësimi i klimës së biznesit, thithja e sa më shumë investimeve vendase e të huaja, hapjes së vendeve të reja të punës etj.

Fotografi: DW/A. Muka

Fushata elektorale përfundoi. Po kështu u ndërpre dhe fluksi i ekzagjeruar i premtimeve për çdo aspekt të zhvillimit ekonomik, social, kulturor etj. Pritmëria e publikut është tashmë tek lista e propozimeve dhe angazhimeve të koalicionit të majtë të Edi Ramës, që është fituesi i zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit dhe ushtruesi i qeverisjes nga muaji shtator e në katër vitet e ardhshme. Maxhorancën e re e presin sfida të mëdha sidomos në sektorin ekonomik, ku problemet janë krijuar jo vetëm nga valët negative të krizës globale, por dhe nga rëndimi i parametrave të brendshëm makro.

Pak ditë më parë, në një dalje pubkike në fund të mandatit të saj si përfaqësuese e përhershme e Bankës Botërore në Tiranë, Kseniya Lvovsky, hapur parashtroi një "recetë" për përballimin e situatës së vështirë. Zyrtarja e BB-së nxiti ekipin e ri qeverisës të kryeministrit të zgjedhur Edi Rama, që të fokusohet më shumë tek rritja e besimit dhe besueshmërinë e institucioneve publike. Sipas Lvovsky me këtë kishte parasysh disa aspekte thelbësore të transparencës së vendimmarrjes dhe të të dhënave, pavarësi të vërtetë për institucionet e pavarura, forcimi i reformave, rregullimi qeverisjes qendrore kundrejt asaj lokale etj.

Në mënyrë konkrete Kseniya Lvovsky e BB-së nënvizoi si prioritare përzgjedhjen strategjike nga ana e qeverisë së re, konsolidimin fiskal dhe kryerjen e pagesave të prapambetura.

Është shumë e rëndësishme të përfundojë procesi i pagesave të prapambetura dhe atyre të vonuara të sektorit privat. Dhe sado ambicioze të jetë axhenda e çdo qeverie, nuk ka hapësirë fiskale për investime të reja të rëndësishme. Është shumë e rëndësishme të hartohet një program i dedikuar dhe i besueshëm për të krijuar gradualisht hapësirën fiskale. Gjithashtu ne i rekomandojmë qeverisë së re të marrë në konsideratë futjen e rregullit fiskal, ngritja e një këshilli të pavarur fiskal dhe rinisja e një programi me FMN-në".

Sfida e rritjes së punësimit

Për drejtorin ekzekutiv të Institutit të Studimeve Ekonomike në Tiranë, dr. Zef Preçi, fakti që viti 2013 është vit elektoral ka ndihmuar që t'i bëhet një skaner i kujdesshëm ekonomisë, të gjitha palët kanë konsensus për situatën e vështirë dhe problematikën, me të cilën përballet Shqipëria. Për qeverisjen e arshshme sfidë kryesore është punësimi, një sëmundje e shtrirë për një kohë të gjatë në tranzicionin shqiptar, thotë për DW, dr. Zef Preçi.

Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Ekonomike në TiranëFotografi: DW/A. Muka

"Tashmë vendi nuk ka më burime të mëdha, që krijohen nga privatizimi a shitja e asetve strategjike. Fokusimi duhet të jetë në përmirësimin e shërbimeve publike, fuqizimin e arsimit dhe të shëndetësisë, por dhe përballimi i borxheve në nivele të ndryshme, ato që biznesi i ka shtetit, që shteti u ka bizneseve, borxhet mes subjekteve të biznesit etj., duke mos lënë mënjanë dhe borxhin e jashtëm. Kjo amalgamë problemesh kërkon rritjen e prodhimit dhe rritjen e treguesve të eksporteve. Punësimi nuk mund të zgjidhet me vendet, që ka në dispozicion sektori publik, sektori buxhetor, por nëpërmjet përmirësimit të klimës së biznesit, nëpërmjet thithjes së investineve vendase dhe të huaja dhe aplikimit të teknologjive të avancuara."

Dr. dr. Zef Preçi nga Instituti i Studimeve Ekonomike mendon se harmonizimi i politikave fiskale me ato monetare është me shumë rëndësi në këto kohë, sepse, sipas tij, ekonomia shqiptare nuk mund të stimulohet vetëm me politika të uljes, apo heqjes së taksave, por me përmirësim të klimës së bizneseve, më tepër hapësira të bashkëpunimit mes qeverisë dhe bankave, që të arrihet kreditim i ekonomisë reale.

"Kreditimi i ekonomisë reale duhet të gjallërohet dhe të dalë nga gjendja aktuale, kur ky kreditim është si me pikatore. Kreditimi është një rezervë e konsiderueshme, që rrit treguesit e punësimit".

Zëri i biznesit duhet të dëgjohet në vendimarrje

Për Luan Bregasin, president i shoqatës "Business Albania", mandati i dytë i qeverisë së djathtë ishte shume i vështirë për sipërmarrjen vendase dhe te huaj. Kriza globale në vitet e fundit preku dhe Shqipërinë, por autoritetet u kujdesën më shumë se si ta fshehin atë dhe jo si ta menaxhojnë e ta amortizojnë, thotë Luan Bregasi për DW.

Luan Bregasi, president i shoqatës "Business Albania"Fotografi: DW/A. Muka

"Pati selektivitet në zbatimin e ligjit dhe të shlyerjes së detyrimeve nga biznesi, duke prishur konkurrencën e ndershme, duke prishur barazinë në treg. Në një vit elektoral sipas zakonit shqiptar buxheti i shtetit u telendis në pak muaj, element që krijon vështirësi në gjetjen e fondeve për gjithë periudhën vjetore. Qeverisja e re duhet t'i lexojë mirë pozitivitet dhe negativitet e qeverisjes së mëparshme. Besoj se duhet të ketë zënë mend. Ajo duhet rishikojë të gjithë premtimet, që janë bërë në fushatë, duke i hequr emocionalitetin elektoral dhe duke i bërë objektiva të kapshëm për ekonominë. Të shikohen me seriozitet të gjitha propozimet, që ka bërë komuniteti i biznesit vendas dhe ai i huaj. Kjo sjell natyrshëm atë që quhet si kontrata mes qeverisë dhe sipërmarrjes. Po të ketë vullnet vështirësitë dhe problemet e akumuluara kapërcehen".

Për Bregasin për fat të keq në Shqipëri ekziston mentaliteti, që biznesin ta trajtojmë si 'lopë, që duhet mjelë", kur ka nevojë për "qumësht" arka e shtetit. Nuk vlerësohet sipas tij si një faktor zhvillimi, punësimi, realizmi investimesh etj.

Ai i referohet dhe mënyrës, se si bashkëpunon e bashkëvepron qeveria dhe biznesi, kur janë shumë të rralla rastet, kur ekzekutivi ose parlamenti kanë marrë mendime dhe propozime direkt nga grupet i interesit në rradhët e komunitetit të biznesi për ndërtimin e rregullimin e kuadrit ligjor.

"Ose kanë bërë sikur na kanë dëgjuar ose nuk na kanë përfillur fare. Kështu ka ndodh në këto dy dekada. Me të majte e me të djathtë. është arritur deri aty sa janë bërë ligje kundër biznesit, ose për të favorizuar vetëm një grup klientelist të afërt me qeverinë ose me qeveritarë të veçantë. Ndaj dhe reformat kanë qenë gjysmake ose pa sukses, ndaj dhe sapo është miratuar një ligj, apo është marrë ndonje vendim nga ekzekutivi, ka dalë nevoja në një kohë të shkurtër për arnime, ose ndryshime thelbësore. Kjo është kosto e mos bashkëveprimit me komunitetin e biznesit".