Gratë dhe karriera
5 Shkurt 2014Ato janë të reja, të zgjuara dhe duan të bëjnë karrierë. 16 shkencëtare të reja nga Universiteti i Lajpcigut diskutojnë për komisionet e emërimit të profesorëve, të cilët vendosin se kujt do t'i jepet vendi i punës si profesor. Problemi i komisioneve është mjaft i rëndësishëm për studjueset e reja sepse lidhet me karrierën e tyre shkencore dhe profesionale.
Kur dikush paraqet dokumentet për vend pune dhe ftohet nga komisioni nuk mjafton vetëm që kandidati të ketë vetëm rezultate të mira shkencore, por duhet të jetë informuar edhe për universitetin, projektet e atjeshme, kolegët e kështu me radhë që ta ketë të qartë nëse përshtatet edhe si njeri në atë ambient, thotë Ursula Kania duke përmbledhur rezultatet e diskutimit. Gjuhëtarja 33- vjeçare është pjesë e programit "Gratë në shkencë", program i Zyra Ndërlidhëse të Shkencës me Botën e Punës (Kowa) në bashkëpunim me Universitetin e Lajpcigut.
Distancë e madhe mes gjinive
Ursula Kania ka mbrojtur doktoraturën në gjuhësi dhe gjendet tani në fazën e studimeve të post-doktoraturës. Ajo punon me një kontratë të përkohshme në një projekt kërkimor. Por shpesh karriera akademike e grave mbaron në këtë fazë. Ndërsa në Gjermani një ndër çdo dy studentë që mbrojnë doktoratura dhe një ndër tre persona që kryejnë studimet postgraduale janë femra, në postet e profesorëve vetëm një ndër pesë janë gra. "Ne duam ta ndryshojmë këtë," thotë Jana Wünsch, drejtore e Kowa-s. Askund distanca mes gjinive nuk është kaq e madhe sa në Gjermani. Në Rumani dhe Letoni, për shembull, më shumë se një e treta e profesorëve janë gra.
Familja si pengesë për karrierën
Shumë gra të reja që merren me shkencë jetojnë me bursa. Përveç kësaj për shkencëtaret e reja shpesh shtrohet pyetja se si mund t'i përballojnë familjen dhe karrierën universitare. Në Gjermani kjo është ende e vështirë për shkak se orët e punës janë mjaft të parregullta, paga që merr një student post-doc është e ulët. Ofertat për kopshte e çerdhe për fëmijët janë të rralla dhe të shtrenjta. Pretendimet shkencore të shkencëtareve të reja janë të larta. Ato nuk duhet vetëm të hulumtojnë, por edhe për të japin mësim dhe të botojnë. Për këtë arsye familja shihet shpesh si një pengesë, dhe grave u duhet të vendosin në këtë fazë të karrierës së tyre, nëse duan të kenë familje apo të vazhdojnë të merren me shkencë.
Ursula Kania ka fat, sepse vajzën e saj pesëmuajshe e mban partnerja e saj dhe ajo mund të shkojë për të marrë pjesë nëpër konferenca nëpër botë. Për Ursulën profesioni i profesores është një ëndërr për të cilën ajo do të bëjë sakrifica dhe të përballet me shumë "peshkaqenë".
Stimulim i karrierës
Në kuadër të programit "Gratë në shkencë" ajo mëson në workshope metodat e punës shkencore dhe të drejtimit të grupeve shkencore. Në fushën e shkencave sociale ka rreth dhjetë për qind më tepër profesore se sa në shkencat ekzakte, por edhe kërkesat janë të larta.
Jana Wünsch thotë,"ne duam t'i lidhim gratë me njëra-tjetrën" që të integrohen më mirë në jetën universitare dhe t'i prezantojnë më shpesh studimet e tyre shkencore nëpër konferenca. Po ashtu qëllimi i KOWA-s është t'i nxisë gratë për karrierën e tyre duke i lidhur edhe me profesorë dhe profesore të degëve të tjera që të mësojnë më tepër për mundësitë për karrierë.