1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rumani: Mbështetësit e Georgescut protestojnë me akte dhune

10 Mars 2025

Calin Georgescu kryeson në sondazhet e opinionit me rreth 40% të votave. Ai pritet ta çojë në apel vendimin për përjashtimin e tij nga zgjedhjet.

Mbështetësit e kandidatit presidencial Calin Georgescu përleshen me policinë gjatë një proteste jashtë Zyrës Qendrore të Zgjedhjeve në Bukuresht, 9 Mars 2025.
Rreth 500 vetë sipas dolën për të protestuar kundër përjashtimit të Georgescu nga zgjedhjet presidenciale.Fotografi: Daniel Mihalescu/AFP/Getty Images

Komisioni zgjedhor i Rumanisë ndaloi të dielën politikanin e ekstremit të djathtë Calin Georgescu të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Zyra elektorale tha në një deklaratë se kishte miratuar "refuzimin e regjistrimit të kandidaturës së pavarur" të Georgescut, pa dhënë detaje që justifikonin masën.

Georgescu e denoncoi lëvizjen në një postim në platformën e mediave sociale X, duke thënë se ishte "një goditje e drejtpërdrejtë në zemrën e demokracisë në mbarë botën".

"Evropa tani është një diktaturë, Rumania është nën tirani!" Ai pritet ta çojë në apel vendimin.

Calin Georgescu ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me Rusinë, por e ka përshkruar veten si "ultra pro" Presidentit të SHBA Donald Trump.Fotografi: Andreea Alexandru/AP Photo/picture alliance

Mbështetësit e kandidatit të ekstremit të djathtë me akte dhune në Bukuresht

Qindra mbështetës të Georgescut dolën në rrugë në kryeqytetin Bukuresht dhe u përpoqën të futeshin me forcë në ndërtesën e komisionit zgjedhor, thanë autoritetet.

Policia u përgjigj me gaz lotsjellës pasi protestuesit depërtuan nëpër barrikada të dielën vonë. Më pas ata nisën të gjuajnë me gurë dhe i vunë zjarrin objekteve në kafenetë fqinje.

Mediat rumune raportuan gjithashtu përmbysjen e një furgoni që i përkiste një kanali televiziv që konsiderohet të jetë mbështetës i rivalëve të Georgescut.

Shtatë vetë u arrestuan dhe 13 oficerë policie u plagosën në shpërthimin e dhunës, raportoi Pro-TV i Rumanisë.

"Katër prej tyre janë në spital dhe duan mjekim," tha një zëdhënës i policisë, sipas kanalit televiziv.

Pse u anulua fitorja elektorale e Georgescut?

Politikani i ekstremit të djathtë fitoi papritur raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të kaluar, por Gjykata Kushtetuese e Rumanisë e anuloi votimin pak përpara se të mbahej balotazhi. Gjykata e mori vendimin në lidhje me akuza për ndërhyrjen e Rusisë në emër të Georgescut, diçka që ai dheMoska e kanë mohuar.

Përpara se kandidatura e tij të anulohej, Georgescu kryesonte në sondazhet e opinionit me rreth 40% të votave.

Por ai aktualisht po përballet me një mori problemesh ligjore. Përveç akuzës për mbajtjen e lidhjeve të ngushta me Rusinë, ai përballet me akuza të shumta, duke përfshirë dhënien e "deklaratave të rreme" për financimin e fushatës së tij.

Protesta para Komisionit zgjedhor të Rumanisë Fotografi: Cristian Ștefănescu/DW

Ai është akuzuar gjithashtu për "tentativë për nxitje të veprimeve kundër rendit kushtetues", si dhe "fillim ose themelim i një organizate fashiste, raciste ose ksenofobike, anëtarësim ose mbështetje në çfarëdo mënyre në një grup të këtij lloji".

Qëndrimi "ultra pro" Trumpit i Georgescut

Georgescu ka bërë fushatë kundër dërgimit të ndihmave në Ukrainë dhe gjithashtu është paraqitur si "ultra pro" presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Zyrtarë të lartë të administratës Trump e kanë mbështetur publikisht Georgescu-n.

"Kjo është çmenduri!", tha në "X" këshilltari i Trumpit, Elon Musk, në përgjigje të vendimit të komisionit zgjedhor. Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vendimin e saj për të anuluar votën presidenciale, duke akuzuar qeverinë rumune se "anuloi zgjedhjet sepse nuk i pëlqeu rezultati" dhe se "keni aq frikë nga populli juaj sa i mbyllni gojën".

(A.Berry/DW)