1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thirrje për bojkot

Keno Versek/ Dr. Pandeli Pani25 Korrik 2012

Opozita në Rumani ka bërë thirrje për të bojkotimin e referendumit, në të cilin do të vendoset për heqjen nga posti të presidentit Traian Basescu.

Komisioni Evropian ka reaguar jashtëzakonisht ashpër duke e akuzuar qeverinë Ponta për mospërfillje të rregullave demokratike
Komisioni Evropian ka reaguar jashtëzakonisht ashpër duke e akuzuar qeverinë Ponta për mospërfillje të rregullave demokratikeFotografi: picture-alliance/dpa

Opozita në Rumani ka bërë thirrje për të bojkotimin e referendumit, në të cilin do të vendoset për heqjen nga posti të presidentit Traian Basescu. Rumunët "nuk duhet të marrin pjesë në këtë maskaradë", tha të martën Vasile Blaga i Partisë Liberal- Demokratike. Sipas sondazheve të fundit 68 përqind e rumunëve do të votojnë ditën e dielë për largimin e Basescut, por që vendimi të jetë i vlefshëm në votime duhet të marrin pjesë 50 përqind e votuesve.

"Shkeljet e vazhdueshme" të partisë Socialdemorkatike në pushtet nuk mund të durohen më, tha Blaga. Ai njoftoi dërgimin e një vëzhguesi në çdo qendër votimi për pë penguar manipulimet e mundshme. Opozita druhet se votat mund të jepen dy herë, pas vendimit që mori qeveria për krijimin e qendrave shtesë të votimin në hotele dhe restorante.

Rumänien Abstimmung Amtsenthebung Traian BasescuFotografi: AP

Betejë mes baronëve të dy kampeve për pushtet

Referendumi për fatin e Basheskut është kulmi i luftës së hidhur për pushtet në mes të shumicës aktuale social-liberale në pushtet dhe mbështetësve të presidentit. Në fakt kjo është "betejë mes baronëve të dy kampeve", thotë publicisti dhe historiani nga Universiteti i Kluzhit Ovidiu Pecican për luftën për pushtet. Megjithatë, qeveria i ka shkelur  pa mëshirë rregullat e lojës demokratike.

Qeveria rumune përbëhet nga një aleancë treshe mes "Bashkimit Social Liberal" (USL), që përfshin ndër të tjera, Partinë Social Demokratike (PSD). Pas vitit 1989 kjo qe një rezervuar për krerët shërbimit sekret dhe ish-partisë të kohës së diktaturës së Çausheskut. Kjo aleancë arriti shumicën në fund të prillit, kur disa deputetë partish të tjera kaluan në radhët e USL-së.

Ndryshimi i pushtetit për shkak të kalimit të deputetëve nga një parti në tjetrën apo formimi i aleancave të reja partiake janë një praktikë e zakonshme në Rumani, sidomos në periudhën e fundit përpara zgjedhjeve, kur deputetët kalojnë shpejt në anën e fituesit të mundshëm të zgjedhjeve të ardhshme.

Kritika nga BE

Mandati i presidentit përfundon në vitin 2014. Po USL nuk do të presë kaq gjatë deri në marrjen e plotë të kontrollit në vend. Pa kaluar as tre javë në pushtet qeveria e kryeministrit Viktor Ponta filloi  në fund të qershorit përgatitjet për shkarkimin e presidentit. Që të mos ndodhte ndonjë gjë e paparashikuar, me dekret u cunguan kompetencat e Gjykatës Kushtetuese dhe u ndryshua ligji për referendumet.

Rumänien Traian BăsescuFotografi: picture-alliance/dpa

Përveç kësaj u ndryshuan edhe kryetarët e dy dhomave të parlamentit dhe Avokati i Popullit. Më 6 Korrik me një shumicë parlamentare u miratua më në fund pezullimi i presidentit. Kjo gjë tani pritet të konfirmohet të dielën (29 korrik) në një referendum.

Qeveria e Pontas dhe presidenti i përkohshme Crin Antonesku nuk e kishin pritur se veprimet e tyre do të kishin një jehonë katastrofale brenda dhe jashtë vendit. Në Rumani shumë opinionistë dhe intelektualë, madje edhe kritikë të presidentit Traian Bashesku, i quajnë këto veprime "puç" ose "një lloj grusht shteti".

Victor PontaFotografi: picture-alliance/dpa

Komisioni Evropian ka reaguar jashtëzakonisht ashpër duke e akuzuar qeverinë Ponta për mospërfillje të rregullave demokratike dhe ligjit dhe duke kërcënuar me sanksione të ashpra Rumaninë, përfshi edhe heqjen e të drejtës të votës për Rumaninë në organet e BE-së. Vendi për momentin është nën vëzhgimin e fortë të BE-së, anëtarësimi në zonën Shengen, është një herë për një herë një vizion i largët.