Rumani: Viti shkollor nis me kaos e frikë për shkak të COVID
15 Shtator 2020"Unë nuk mund të pres nga shkolla", thotë i zhgënjyer 13-vjeçari Matei Leoveanu. "Sigurisht që do të bëj gjithçka që mundem për të mos u infektuar nga virusi Korona. Por nuk kam se ç'pres nga shkolla, sepse ne marrim përherë të njëjtën përgjigje: Mungojnë paratë. Kështu që jemi mësuar”. Ai ka frikë nga virusi, "por jo se mund të sëmurem vetë, por sepse prindërit e mi mund të infektohen prej meje".
Në gjimnazin e Mateit në qytetin rumun Ploiesti aplikohet një "model hibrid, gjysma e nxënësve të një klase shkojnë në shkollë, gjysma tjetër e bën mësimin në internet, pas një jave ndërrohen. Momentalisht në gjithë Rumaninë ka një model semafori për shkollat, me një fazë të kuqe, të verdhë dhe jeshile, në varësi të numrit të infeksioneve, të rasteve me kovid në shkolla dhe shkallës së zbatimit të koncepteve të higjienës. Shumica e shkollave të vendit janë në fazën e gjelbërt dhe të verdhë (mësim në klasë me maska, ose mësim në klasë dhe online që alternohen), por në më shumë se 260 shkolla në Rumani me fazën e kuqe, mësimi bëhet vetëm në internet. Në Rumani numri i infeksioneve të reja me korona është ende i lartë, disa rajone janë në listën e Institutit Gjerman Robert Koc si zona të rrezikuara.
Në kërkim të valëve të celularit
Në fillim të vitit shkollor Matei është i shqetësuar se interneti mund të jetë shumë i ngarkuar dhe se nuk do të jetë i mundur mësimi online. Sidoqoftë ai jeton në një qytet mesatarisht të madh, por ka fshatra në Rumani, ku valët e telefonit celular u ngjajnë valëve të lumit Danub - herë të forta, herë më të dobëta, dhe herë fare pa to.
Për të marrë pjesë dy orë në ditë në mësimin online, Agathës dhe nënës e saj iu është duhej të hipnin në makinë dhe të largoheshin nga fshati në Deltën e Danubit, ku familja nga Bukureshti e kaloi një pjesë të javëve të bllokimit nga korona. Vetëm kur arrinin te shtylla së transmetimit të telefonisë celulare ato mund të hynin në internet.
Rreth 250.000 nxënës rumunë (nga gjithsej afro tre milionë) nuk kanë qasje në mjetet teknike për mësimin online, paralajmëroi në muajin maj ministrja e Arsimit në Bukuresht, Monica Anisie. "Në vjeshtë ne duhet të jemi të përgatitur për mësimin në internet, për të mos qenë më në situatën që jemi tani”, pati thënë ajo.
Një ndër tri shkolla pa lidhje interneti
Por në fund të gushtit, pak para fillimit të shkollës, statistikat zyrtare treguan një pamje të frikshme: çdo e treta shkollë në Rumani nuk kishte qasje në internet. 12 orë para fillimit të shkollës të hënën, me 14 shtator, ministrja rumune e Arsimit tha se katër operatorë të internetit kishin premtuar të lidhnin 2.500 shkolla në rrjet, duke filluar nga 18 shtatori.
Për vite me radhë operatorët e mëdhenj të telefonave celularë kanë zgjeruar rrjetet e tyre bazuar në interesa thjesht ekonomike. Pak para fillimit të vitit shkollor DW pyeti Presidentin rumun Klaus Iohannis, nëse zgjerimi i këtyre rrjeteve është një temë për Këshillin e Sigurimit të vendit. "Është biseduar me operatorët, ata do të bëjnë më të mirën, dhe shteti do të ndihmojë, ku të mundet, përmes shërbimit të posaçëm të telekomunikacionit (STS)," i tha Klaus Iohannis DW. "Problemet po zgjidhen - hap pas hapi.”
Por edhe sikur lidhja e internetit do të ishte e përsosur në çdo fshat të largët, është edhe një problem tjetër: Rumania është një nga vendet më të varfra në BE dhe shumë prindër nuk kanë mundësi të blejnë laptopë ose tableta për fëmijët e tyre. Qeveria rumune ka njoftuar blerjen e tabletave, që do t'u shpërndahen fëmijëve në nevojë. Ministri i Financave tha javën e kaluar se dorëzimi i tabletave do të vonohet deri në fund të vjeshtës. Por burime të ndryshme i thanë DW se edhe kjo datë është shumë optimiste.
"Shumë kaos në shkolla"
"Shumë gjëra janë vetëm në letër. Në realitet ka shumë kaos në shkolla," ankohet Claudia Radu, që jep mësim në një shkollë fshati në jug të Rumanisë. "Ajo që na lodh dhe na frikëson është pasiguria. Sot ne bëjmë diçka, nesër papritmas shfaqet diçka tjetër që na kërkohet." Ajo është mësuese e një klasë me fëmijë nga familje "në gjendje relativisht të mirë". "Por nga 20 nxënës vetëm 4 kanë laptopë dhe ata i përdorin ata së bashku me prindërit dhe vëllezërit e motrat e tyre”, tregon Claudia Radu.