1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rumania e Bullgaria bëhen anëtarë të Hapësirës Shengen

12 Dhjetor 2024

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian kanë vendosur të heqin kontrollet në kufijtë e brendshëm tokësorë me Bullgarinë dhe Rumaninë.

Rumania hyn ne Shengen
Rumania dhe ShengeniFotografi: Cristian Cristel/Xinhua/picture alliance

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian kanë vendosur të autorizojnë anëtarësimin e dy vendeve të Evropës Lindore në hapësirën e lëvizjes së lirë Shengen. Austria, vendi i fundit që kundërshtoi vendimin, hoqi tani dorë nga vetoja ndaj këtij vendimi.

Ministrat e brendshëm evropianë u takuan në Bruksel të enjten dhe vendosën të lejojnë Bullgarinë dhe Rumaninëtë hyjnë në zonën Shengen, duke hequr kufijtë midis dy vendeve dhe pjesës tjetër të Evropës.

Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 janar 2025.

"Është një moment historik për të mirëpritur përfundimisht Bullgarinë dhe Rumaninë”, deklaroi ministri i Brendshëm hungarez Sandor Pinter, i cili mban Presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian.

Procesi kishte nisur që në mars, kur u hoqën kontrollet e pasaportave në kufijtë ajrorë dhe detarë të këtyre vendeve me vendet e tjera të BE.

Bullgaria e ShengeniFotografi: Valentina Petrova/AP Photo/picture alliance

Pse hynë tani në Shengen Bullgaria dhe Rumania?

Rumania dhe Bullgaria janë anëtarë të BE që nga viti 2007 dhe kanë përmbushur kushtet për hyrje në hapësirën Shengen që nga viti 2010. Megjithatë, gjatë viteve disa shtete e kanë kundërshtuar anëtarësimin e tyre për shkak të shqetësimeve mbi 'emigracionin'. Kroacia, e ardhur në BE në vitin 2013, u bë pjesë e Shengenit qysh më 1 janar 2023, megjithëse asokohe Komisioni i BE-së u angazhua për anëtarësimin e tre vendeve në BE.

Që nga viti 2022, Austria në veçanti ka kundërshtuar lejimin e anëtarësimit të këtyre dy shteteve. Megjithatë, Vjena e kishte bërë të ditur tashmë përpara votimit të së enjtes se nuk do të vërë veton ndaj vendimit. Ky vendim u mor pjesërisht për shkak të një marrëveshjeje sipas së cilës Bullgaria ra dakord të vendosë më shumë roje kufitare në kufirin me Turqinë.

E krijuar në vitin 1985, Hapësira Shengen pa kufij është zona më e madhe e llojit të saj në botë. Ajo përfshin të gjitha vendet e BE-së përveç Qipros dhe Irlandës, si dhe Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin, të cilat nuk janë anëtarë të BE.

Përgatiti Auron Dodi (me materiale nga agjencitë)