Rusët në Letoni
26 Prill 2014Në tregun qendror të Rigës askush nuk shqetësohet nëse dikush është letonez apo rus. Shitësja e luleve Ineta flet letonisht, klientja e saj Alla përgjigjet rusisht. Tregu, thonë dy gratë, ka gjuhën e vet.
Ineta thotë: "Si kalojmë me njëri-tjetrin? Normalisht! Nuk ka asgjë të veçantë, përse të mos kalojmë mirë me ta? Ata kanë lindur dhe janë rritur këtu." Alla e mbështet: "Këtu në treg gjuha nuk është aq e rëndësishme, tregu ka gjuhën e tij. Madje më pëlqen të flas letonisht këtu në treg. Sidoqoftë këtu nuk më duket se dikush kërkon të më edukojë."
Alla Berezovska është 50 vjeç. Ajo ka ardhur në Riga nga Rusia kur ishte vajzë e vogël. Alla ka luftuar për pavarësinë e Letonisë nga Bashkimi Sovjetik, e megjithatë nuk është bërë shtetase letoneze. "E dini, gjatë 20 viteve që prej pavarësisë janë grumbulluar shumë fyerje, megjithëse unë i kam mbështetur ata. Por ata thanë: ju nuk jeni asgjë, jeni të huaj këtu. Në të vërtetë ne të gjithë duhet t'ia nisim nga e para."
Qortim nga Kombet e Bashkuara
Alla Berezovska është një nga 300.000 të ashtuquajturit joqytetarë në vend, nuk ka të drejtë as të votojë dhe as të mbajë poste publike. Veç kësaj ajo nuk mund të punojë në polici apo zjarrfikës. Alla ankohet: "Në vend ekzistojnë tashmë dy shoqëri, që jetojnë veçmas: ajo letoneze dhe ajo ruse. Por nuk duhet të jetë kështu, pra që letonezët të na diktojnë se në çfarë gjuhe duhet të mësojnë fëmijët tanë, cilat festa duhen festuar dhe cilat jo."
Nëse do që të bëhet letoneze Berezovska duhet të kalojë një provim gjuhe dhe historie. Besnikëria e saj do të vihej në provë. Por një test të tillë për marrjen e shtetësisë ajo e refuzon parimisht.
Kombet e Bashkuara e kanë kritikuar ndërkohë ashpër Letoninë dhe e akuzojnë vendin për mungesë vullneti në integrim. Gjithsesi një në tre banorë të Letonisë flet rusisht e megjithatë vetëm letonishtja vlen si gjuhë zyrtare. Tani do të hiqet nga shkolla edhe mësimi në rusisht.
Të burgosur në "mentalitetin post-sovjetik"?
Ilmars Latkovskis drejton në parlament komisionin përgjegjës për rregullat e natyralizimit. Ai nuk arrin të kuptojë as kritikën nga OKB dhe as zemërimin e pakicës me origjinë ruse në vend. "Ka rusë të cilët janë integruar shumë mirë dhe janë shumë besnikë ndaj nesh. Por ka edhe rusë të cilët vazhdojnë të jenë të burgosur në mentalitetin post-sovjetik. Ata ende besojnë se janë këtu çlirimtarë apo pushtues. Kështu ndihen dhe kështu i edukojnë edhe fëmijët e tyre", thotë deputeti i partisë Aleanca Kombëtare.
Ashtu si Latkovskis mendojnë shumica në Letoni. Edhe Ineta, shitësja e luleve në tregun qendror, nuk pranon se ka diskriminim: "Unë nuk mund ta kuptoj që kjo quhet diskriminim. Çfarë do të thotë kjo vërtet për këta njerëz? Po, ata nuk mund të votojnë, por vetëm kaq."
Joqytetarët organizohen
"Letonë" e quajnë veten ata që nuk kanë të drejtë të votojnë , që nuk janë as rusë dhe as letonezë. Shumë prej tyre megjithatë - ose pikërisht për këtë arsye - marrin pashaportë ruse. Qeveria në Moskën e largët gëzohet. Edhe Alexander Gaponenko prej kohësh ka dy letërnjoftime. Ai është zëdhënës i radikalëve në mesin e joqytetarëve letonezë. Gaponenko e shoqëron propagandën e tij me muzikë të zymtë marshi, flet për një "hierarki etnike" në vend, prej së cilës pakica duhet të mbrohet. Kombi i Rusisë duhet të bashkohet.
Por fitilat e Gaponenkos deri tani nuk janë ndezur vërtet. Në tregun qendror në Riga parrullat e tij korrin më shumë refuzim, pavarësisht se në çfarë gjuhe. Një aksion proteste i planifikuar për të premten (25.04.2014) u ndalua: gjykatat flasin për një "rrezik për sigurinë".
Test për nënshtetësinë në vend të protestës
Në Letoni jetojnë edhe njerëz si Nijonila Kuharthuk. Ajo jeton prej 20 vjetësh në Riga, por ka lindur në Ukrainë. Tani pas 20 vjetësh si joqytetare ajo ka marrë një vendim: do të japë provimin për nënshtetësinë. Ajo dëshëron të bëhet letoneze. "Përfundimisht më motivuan ngjarjet e trishtueshme në atdheun tim të vjetër Ukrainë. Unë nuk dua që të më mbrojë Putini, që dikur ai të vijë edhe në Letoni për të ndihmuar 300.000 joqytetarët këtu."