1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusi: Zgjedhjet lokale më 8 shtator nën hijen e protestave

Emily Sherwin
5 Shtator 2019

Mijëra rusë demonstrojnë për të drejtën për demokraci. Lufta për një shoqëri liberale bashkon të rinj e të moshuar. Shumë moskovitë janë të indinjuar, që vetëm një kandidat i opozitës është lejuar në zgjedhjet lokale.

Russland | Protestkundgebung gegen politischen Repressalien in Moskau
Fotografi: picture-alliance/dpa/TASS/S. Fadeichev

"Unë shoh, që qeveria po e shkatërron vendin tim", thotë 67-vjeçarja Maria Razmerova. Në karriken e invalidit ajo thërret bashkë me demonstrues të tjerë, kërkon lirinë e grumbullimit dhe dorëheqjen e Putinit, ndonëse policia u kundërvihet brutalisht demonstruesve. Çiftet, që sjellin fëmijët në protestë, shteti i kërcënon me heqjen e së drejtës së kujdestarisë për fëmijët. Ka kohë që bëhet fjalë për më shumë se sa vetëm për parlamentin në Moskë.

Duhet të protestojmë

Maria Rasmerova nuk ka aspak frikë. Moskovitja 67 vjeçare e ka të vështirë të ecë. Megjithatë bashkë me kushëririn e saj Konstantin ajo që prej dy mujash pothuajse çdo fundjavë është në rrugë në protestë. Ndonëse policia ruse disa herë ka reguar me arrestime masive. Nëse kandidatët nuk lejohen, domethënë se janë shkelur të drejtat themelore të demokracisë, atëherë duhet të protestojmë, mendon Maria: "Edhe nëse jam gjysmë e vdekur apo do të më duhet të zvarritem unë do të marr pjesë në aksionet e protestës, për të ndaluar shkatërrimin e vendit tonë dhe të popullit tim. Kjo është ajo që po shoh unë këtu. Propaganda në televizion nuk do të më ndalojë ta bëj këtë."

Prej vitesh ajo nuk e ndjek më televizionin shtetëror. Aty vetëm gënjejnë, thotë ajo. Më mirë ajo preferon bloggerat e opozitës si politikanin Aleksei Navalny dhe mediat kritike online.

Fotografi: picture-alliance/dpa/E. Biyatov


Maria vjen nga një familje politike, ka përjetuar Bashkimin Sovjetik, dhe ka shpresuar një sistem tjetër. Atmosfera në Rusinë e sotme është për të po aq represive sa edhe nën regjimin e atëhershëm: "Qeveria mund të bëjë me secilin çfarë të dojë. Mund të preket kushdo në çdo moment. Ata mund të të marrin pronën apo edhe lirinë. Kjo mund t'i ndodhë kujtdo. Edhe atyre që janë besnikë ndaj qeverisë."

Putini e justifikon ndërhyrjen e policisë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e justifikon ndërhyrjen e ashpër të policisë gjatë protestave disajavore dhe veprimin e gjykatave duke bërë krahasim me Francën dhe demonstratat e jelekverdhëve atje. Putin: "Ne e dimë të gjithë se si ka shkuar puna me jelekverdhët. Në këto aksione në Francë, sipas vlerësimit tonë kanë gjetur vdekjen njëmbëdhjetë vetë. Ne nuk duam që kjo të ndodhë edhe në kryeqytetin rus dhe do të bëjmë ç'është e mundur, që politika jonë e brendshme të zhvillohet strikt në kuaderin e ligjeve në fuqi."


Por protestat janë në kuadër të ligjeve në fuqi, thotë Maria Rasmerova. Ajo i përshëndet gjatë demonstratave policët dhe forcat speciale, sepse populli rus duhet të jetë një e jo i armiqësuar, thotë ajo. Ajo do të vazhdojë të luftojë për të drejta themelore demokratike, me çdo çmim."Ky është detyrimi im. Unë ndihem si kriminele, si mëkatare nëse nuk dal të protestoj në rrugë. Ata ndërkohë mund të fusin edhe karriket e invalidit në makinat e policisë, por besoj se këtë unë nuk do ta mbijetoja, nëse më arrestojnë. Që ta marrësh parasysh këtë risk, kjo është e drejtë." "Kush shkel kushtetutën duhet të japë llogari!" - kërkon Maria Rasmerova me një pllakatë që mban në dorë. Ajo shpreson, që nëse Rusia shkel të drejtat gjithnjë e më shumë njerëz do të dalin në protestë në rrugë, ashtu si javët e fundit.