1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia dëbon diplomatin gjerman

5 Shkurt 2026

Së pari, Gjermania dëboi një punonjës të ambasadës ruse në Berlin me akuza për spiunazh. Tani Rusia reagon - dhe shpalli një diplomat gjerman person non grata.

Ambasada gjermane në Moskë
Ambasada gjermane në MoskëFotografi: Petrov Sergey/Russian Look/IMAGO

Rusia ka shpallur një anëtar të stafit të ambasadës gjermane në Moskë person non grata, pas dëbimit të njërit prej diplomatëve të Rusisë nga Berlini. Ministria e Jashtme ruse njoftoi në Moskë, se përfaqësuesi i ambasadorit ishte thirrur dhe ishte informuar për vendimin.

Sipas Ministrisë, një anëtar i stafit të ambasadës gjermane në Moskë u shpall person non grata. Rusia protestoi kundër vendimit të qeverisë gjermane të 22 janarit për të dëbuar një anëtar të stafit të ambasadës së Federatës Ruse.

Moska kishte hedhur poshtë akuzat gjermane për spiunazh kundër diplomatit, duke deklaruar, se ato ishin të pabaza dhe se buronin nga "mania e spiunazhit" gjerman.

Ambasada ruse në BerlinFotografi: Michael Bihlmayer/CHROMORANGE/picture alliance

"Ne i konsiderojmë veprimet e palës gjermane një provokim që synon diskreditimin e misionit diplomatik rus në Gjermani", deklaroi më tej Ministria në Moskë. Reagimi rus u përshkrua si një "përgjigje simetrike". Vetëm Gjermania mban "përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin e ri në marrëdhëniet dypalëshe".

Gjermania thirri ambasadorin rus

Më 22 janar, Ministria e Jashtme Gjermane thirri ambasadorin rus në Berlin dhe e informoi atë se një anëtar i stafit të ambasadës së Federatës Ruse, i akredituar si diplomat dhe i akuzuar për spiunazh në Gjermani, ishte shpallur person non grata me efekt të menjëhershëm.

Sipas Agjencisë Gjermane të Shtypit (dpa), individi në fjalë është zëvendësatasheu ushtarak rus. Ministria e Jashtme deklaroi se anëtari i stafit të ambasadorit duhet të "largohet menjëherë nga Gjermania".

"Ambasadori u informua në emër të Ministrit të Jashtëm, se aktivitetet e spiunazhit në Gjermani nuk do të tolerohen nga Republika Federale e Gjermanisë dhe do të kenë pasoja", thuhej në shpjegim.