Russland und der Erste Weltkrieg
15 Prill 2014Me turp më duhet ta pranoj, se unë jam rritur në Moskë në afërsi të stacionit të metrosë "Sokol" dhe deri para pak kohësh nuk e dija, që ky vend ka qenë dikur i shenjtë për shumë rusë, të cilët kishin humbur të afërm të tyre në Luftën e I Botërore. Në park, ku ka qenë sheshi ynë i lojërave, ku ne kemi luajtur me slita e kemi bërë ski, ku ne jemi takuar me shokët, ka qenë dikur një varrezë nderi. Këtu dikur preheshin mijëra ushtarë e oficerë, infermiere dhe mjekë ushtarakë.
Deri në vitin 1917 këtu kishin gjetur prehjen e fundit mbi 18 mijë vetë. Në 1918 këtu u inagurua edhe një katedrale e vogël. Por pak pas ndërtimit të saj sovjetikët e hodhëhn atë në erë duke e rrafshuar edhe varrezën. Asgjë s'duhej t'u kujtonte më qytetarëve sovjetikë nga "imperializmi luftarak". Vendin e së "shkuarës" së pa lavdi e zuri e "ardhmja" e lavdishme - në formën e një parku argëtimi duke përfshirë edhe ambjente qitjeje, park lojërash për fëmijë dhe kinema.
Lufta e harruar
Në kohën e Bashkimit Sovjetik me vetëdije synohej që të mos përkujtohej Lufta e I Botërore. Tek e fundit Lenini këtë luftë e kish cilësuar si "imperialiste", "cariste" dhe "armiqësore ndaj popullit". Lufta e cënonte vështrimin drejt fitores heroike të revolucionit botëror socialist. Më vonë - jo më pak e rëndësishme - tmerret e Luftës së II Botërore i mbuluan të gjitha kujtimet e mbetura nga ajo e para.
Vetëm në mesin e viteve 1980 Lufta e I Botërore sërish u kthye në temë - kur në pushtet erdhi Mikail Gorbaçovi me reformën e tij "Perestrojka" - me të cilën nisi ndryshimi i jetës politike, ekonomike dhe shoqërore.
Era e papritur e ndryshimeve e lëkundi memorjen kolektive. Tani mund të përkujtohet gjithçka, që ishte e ndaluar prej partisë komuniste. Kësisoj janë përkujtuar viktimat e urisë së madhe në vitet 1930 në kampin famëkeq të të dënuarve Gulag të Stalinit - e po ashtu edhe heronjtë e Luftës së I Botërore. Në fund të viteve 1980 edhe në parkun e fëmijërisë sime në stacionin e metrosë së Moskës "Sokol" u vendos një kryq i madh druri– në përkujtim të viktimave të Luftës së I Botërore.
Historianët, që shtrojnë çështje aktuale
Varreza është vetëm një shembull i ndrydhjes së kujtesës. Nëpër libra p.sh., lufta është trajtuar thjeshtë si një skenë, si një "ekselerator gjigant i revolucionit", thotë për DW Irina Zhuravskaja nga Muzeu Historik i shtetit në Moskë. As studimet lidhur me luftën në Bashkimin Sovjetik nuk janë përpunuar. Vetëm tani në vitet e fundit në Rusi po publikohen libra për Luftën e I Botërore. "Kjo është rruga për të rifituar memorjen tonë historike", thotë Zhuravskaja.
Një ndër këto libra (Lufta e I Botërore, 2013) e ka shkruar Anatoli Utkin. Historiani i njohur rus është i bindur, se Rusia në vitin 1914 nuk e kaloi provimin e pjekurisë. Një fitore e përbashkët përkrah Antantës do ta kishte lidhur Rusinë me Europën, argumenton Utkin. "Bashkë me Francën e Britaninë e Madhe, Rusia do të kishte mundur të ishte bashkëpërcaktuese e zhvillimit europian. "Shkëputja e parakohshme e Rusisë nga lufta, e ashtuquajtura paqja e veçantë me Gjermaninë në vitin 1917, ia hoqi pushtetin shtresës së vogël ruse me orientim europian. Në pah dolën ato masa, që asnjëherë s'kanë pasur domethënie për Perëndimin dhe vlerat e tij. Këto njerëz, sipas Utkin, e asocionin Europën me një objekt: me artilerinë gjermane, që pati vrarë rusë në masë. Në këtë mënyrë asnjëherë nuk u arrit në një union mes Rusisë dhe Europës. "Rusia e humbi në 1914 lidhjen me Europën", mendon historiani dhe thekson, se "kush e di, nëse ndonjëherë do të vijë një shans i ri".
Ky libër është sot më aktual se kurrë, sepse pas botimit të tij pasuan aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe gjendja e tensionuar në Ukrainë, sanksionet e BE-së, përjashtimi i Rusisë nga grupi i vendeve të industralizuara G8. Rusia është sërish shumë larg afrimit me Europën.
Përkujtimi në muzeume dhe në kinema
Shpërthimi i luftës 100 vjet më parë është marrë si shkas në Rusi për organizimin e një sërë veprimtarive përkujtimore, zyratre dhe jozyrtare. Filmi "Batalioni i vdekjes" p.sh. do të jetë një nga pikat kulmore të sezonit veror të kinemasë në Rusi. Në këtë film trajtohet tema e një batalioni real të Ushtrisë Ruse, i cili duhej t'i nxiste burrat e lodhur nga lufta që të kryenin vepra të reja heroike në front. Filmi i kushtueshëm në pjesën më të madhe është financuar nga shteti. Premiera botërore e tij është parashikuar për në gusht 2014 - dita kur perandori gjerman Wilhelm i II në 1914 dha urdhërin e mobilizimit dhe i shpalli luftë Rusisë.
Edhe muzeu i Luftës së I Botërore në qytetin Pushkin më 1 gusht 2014 do të rihapet. Muzeu Historik i shtetit në Moskë në verë do të hapë dy ekspozita për luftën.
Që nga 1 gushti 2013 në Rusi ka një ditë zyrtare përkujtimore ndaj viktimave të Luftës së I Botërore. Rusia përpiqet që të bashkojë pjesëza të mozaikut të historisë. Në një vend, ku historia gjithmonë është krakterizuar prej ideologjisë, kjo nuk do të jetë e lehtë. E me siguri që kjo as nuk mund të realizohet shpejt. Por qysh tani mund të konstatosh, se ka interes dhe se kujtimet rikthehen.
Në parkun e fëmijërisë sime, më 1 gusht 2004, pikërisht me rastin e 90 vjetorit të fillimit të Luftës së I Botërore u përurua një monument i madh përkujtimor. Por unë e zbulova atë vetëm sivjet.