"Rusia ka shkelur marrëveshje të ndryshme"
23 Maj 2014DW: Minister Linkevičius, në fillim të javës, presidenti i Rusisë, Putin shpalli se trupat ruse do të tërhiqen nga kufiri me Ukrainën. A ndiheni i lehtësuar?
Linas Linkevičius: Jo, sepse edhe në të kaluarën ka pasur deklarata të ngjashme dhe ato nuk u vunë kurrë në jetë. Shpresoj që të zbatohen këtë herë. Prania e trupave shkakton tensione shtesë në një rajon, i cili është edhe pa këtë i tensionuar. Unë do të ndihem i lehtësuar vetëm kur të jetë kryer tërheqja.
Në shtetet baltike njerëzit janë shumë të shqetësuar, kanë me plotëkuptimin e fjalës frikë nga Rusia. A ju mungon një qendrim më i vendosur i partnerëve evropianë si Gjermania apo Britania e Madhe?
Unë nuk kam shkak që të dyshoj për garancitë e sigurisë të NATO-s dhe të BE. Por keni të drejtë: njerëzit janë të pasigurtë, sepse shohin shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare në fqinjësinë tonë. Eshtë e vështirë të parashikosh se çfarë mund të presim. Na duhen më shumë masa që forcojnë besimin. Përforcimi së fundi i mbikqyrjes së hapësirës ajrore dhe trupat e manovrës që vunë në dispozicion aleatët tanë ishin shumë të dobishme. Por duhet të ndodhë më shumë: një prezencë e përhershme do të krijonte më shumë besim.
Pse është kaq e rëndësishme kjo prani e përhershme për ju dhe kolegët tuaj në Estoni dhe Letoni?
Sepse deri tani ajo nuk ekziston. Një shkak për këtë është marrëveshja NATO-Rusi e vitit 1997, në të cilën NATO-ja shpreh detyrimin, të mos ketë, citoj "asnjë prani të rëndësishme ushtarake në territorin e shteteve të reja anëtare". Ky ishte një zotim i njëanshëm.
Por që atëherë Rusia i ka shkelur të gjitha marrëveshjet. Ideja ishte që të ndërtonim një partneritet, të bazuar në vlera të caktuara, në parime dhe detyrime nacionale. Kjo tani është shkatërruar. Dhe po të flasim ndershmërisht: kur ka rëndësi për sigurinë e aleancës, marrëveshjet duhet të verifikohen dhe të ndryshohen.
Ne duhet të reagojmë si duhet ndaj këtij konflikti: ndaj trupave, që dërgohen pa shenja dalluese në territorin e shteteve sovrane, mohimit të pranisë së tyre dhe fushatat ofensive të propagandës- kjo është diçka, ndaj të cilës ne duhet të jemi të përgatitur.