1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Rusia mund të flejë e qetë"

DW6 Tetor 2007

"Putini do të qendrojë", - kështu e komentuan disa gazeta moskovite parlajmërimin e presidentit rus, se mbas përfundimit të periudhës së tij si president, ai ndoshta do të vazhdojë punën si kryeministër

Vladimir PutinFotografi: AP

Edhe jashtë Rusisë, kjo deklaratë e Putinit ishte tema kryesore e komenteve të javës:

Gazeta LUXEMBURGER WORT mendon:

"Padyshim që është një lëvizje shumë e mençur e Putinit, duke e vënë veten si kandidatin kryesor për zjedhjet parlamentare. Falë popullaritetit që gëzon ai si president dhe falë mediave të kontrolluara tërësisht nga Kremlini, partia e tij "Rusia e Bashkuar" mund të llogarisë me dy të tretat e Dumës. Në një rast të tillë, ajo madje mund të ndryshojë kushtetutën, për të hapur kështu rrugën për periudhën e tretë legjislative të Putinit si president. Por kryeministër Putini mund të jetonte fare mirë edhe me një president të varur prej tij. Në Rusi rregullorja kushtetuese nuk po thyhet, por po lakohet tej mase."

Ndërsa TAGES-ANZEIGER nga Zvicra parashikon:

"Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Rusi me këtë u vendosën. Sepse për popullin nuk ka rëndësi se a është Putini president apo kryeministër. Ai e di, që pushteti është aty ku është edhe ai (Putini). Madje aparati shtetëror nuk do të ketë nevojë të ndryshojë aspak: Mjafton që Putini është në të. Dhe posti i kryeministrit ka edhe një përparësi tjetër: Ai nuk është i kufizuar nga ana kohore."

DER STANDARD nga Austria shkruan:

"Kur Partia "Rusi e Bashkuar" të fitojë zgjedhjet parlamentare në dhjetor, - përçka nuk ekziston as dyshimi më i voëgl, atëherë presidenti rus, nuk do të ketë rrugëdalje veçse ta vërë kandidatin e tij kryesor në postin e kryetarit të qeverisë. Ekziston diçka e pazakontë në këtë rast, sepse këta dy zotërinj përfaqësohen nga i njëjti njeri. Por duke u nisurnga kreativiteti i dëshmuar deri tani në dizenjon politike, strategëve në Kremlin me siguri që do t'u bjerë diçka në mend, për ta zotëruar situatën. Kështu edhe për kryeminsitrin e ardhshëm të Rusisë, Putinin, nuk do të ketë aspak rëndësi se kush do të jetë nën të në Kremlin. Deri në mars, kur do të jenë zgjedhjet presidenciale, sigurisht që do të jetë ai vetë. Për më pas është në gatishmëri kryeministri i ri Viktor Subkov, një ekspert i zoti në sektorin e financave dhe një njeri i besuar i Putinit. Rusia mund të flejë e qetë.'

Gazeta spanjolle EL MUNDO shënon:

"Në fakt, presidenti rus, Vladimir Putin, do të duhej të merrte lëvdata që nuk ka ndër mend ta ndryshojë kushtetutën për të kandiduar për herë të tretë për postin e presidentit. Por tani doli që kjo ishte thjesht një ballo me maska. Putini dëshiron ta mbajë timonin në dorë derisa sërish të lejohet të vërë mbi krye festen e kapitenit. Sjellja e tij është tepër larg përfytyrimeve perëndimore për ndryshimin demokratik të pushtetit. Por në Rusi një shumicë e madhe e popullsisë nuk e kanë harruar kaosin e viteve 90-të. Prandaj edhe shumë rusë preferojnë më mirë stabilitetin dhe rritjen ekonomike se sa një sistem të lirë."

Edhe gazeta holandeze TROUW kritikon mungesën e kritikave ndaj planeve të Putinit:

"Vladimir Putini dëshiron të vazhdojë si kryeministër aty ku duhet të ndalet si president. Kjo është tallje me demokracinë ruse. Do të ishte mirë sikur populli rus t'i kthente atij shpinën me përçmim. Por kjo nuk po ndodh. Dhe në këtë demokraci të pazhvilluar nuk ekziston askush që do të kundërshtonte Putinin. Edhe Europa e ka zbutur shumë shpesh zërin e saj, sepse ajo është e varur nga Rusia, para së gjithash nga furnizimet e saj me energji. Do të duhet të bëhet gjithçka për ta ndaluar këtë varësi. Dhe perëndimi duhet të kthehet me vendosmëri dhe me zë të lartë kundër politikës jodemokratike të Putinit."

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW