Rusia në prag të anëtarësimit në OBT
22 Qershor 2012
Veturat gjermane janë shumë të preferuara në Rusi. Por ai që do të ketë një Mercedes-Benz, një BMW apo VW duhet të ndajë shumë para, sepse për mallrat e reja që importohen nga vendet tjera rusët duhet të paguajnë dogana në vlerë prej 30 %. Ndërkohë që doganat për automjetet e përdoruara janë edhe më të larta - 35 %. Qëllimi është që veturat e huaja të jenë sa më pak atraktive dhe të pamundësohet blerja e prodhimeve të huaja në Rusi. Kjo nuk vlen vetëm për automjete por edhe për shumë prodhime të tjera. Ky është një lloj protekcionizmi, pohon Peter Balas, i ngarkuari për mbrojtjen e interesave të BE-së në OBT. Që prej vitit 2006/2007 Rusia po përpiqet të kufizojë tregjet e saja për mallrat e huaja.
Masat ruse për mbrojtjen e ekonomisë vendore
"Duke u bazuar mbi një marrëveshje shumë të hapur të partneritetit dhe bashkëpunimit me BE-në, Rusia ka ndërmarrë në vitet e fundit një varg masash për të mbrojtur sektorin e saj agrar. Më pas janë futur edhe taksa të larta për eksportin e drurit. Ndërsa në vitin 2009 janë futur masa të tjera në dogana, të cilat janë në fuqi edhe sot", pohon ai.
Por këto masa i shërbejnë ekonomisë ruse vetëm në dukje të parë, mendon Balas. Duke iu referuar statistikave të fundit ai shpjegon se investimet nga BE-ja kanë rënë shumë në Rusi, si pasojë e kufizimeve tregtare por edhe pengesave burokratike. Kjo ka rezultuar edhe me rritjen e shkallës së korrupsionit në këtë vend. Të gjitha këto zhvillime kanë bërë që Rusia të shënojë stanjacion ekonomik, që të mos ripërtërihen fabrikat e vjetruara, që prodhimi të jetë i ulët dhe që infrastruktura të mbetet në një gjendje të mjerë.
"Anëtarësimi i Rusisë në OBT është i rëndësishëm për të dy palët - si për këtë vend ashtu edhe për BE-në. Rusia nuk do të bëhet kurrë një partner interesant ekonomik dhe vend atraktiv për investime, përderisa nuk ka kushte stabile për partnerët e huaj tregtarë dhe nuk ekziston shteti juridik. Anëtarësimi në OBT do të sjellë ndryshime dhe mund të modernizojë ekonominë ruse", thekson Balas.
Modernizimi i domosdoshëm
Sa i përket modernizimit: masat më të mëdha kërkohen në sektorin e teknologjisë dhe makinerisë. Rusia sot është një ndër katër fuqitë më të mëdha të eksportit. Nëse interesi i eksportit të bie mesatarisht nga 9,4 në 6,4 % atëherë është shumë e mundur që të rritet edhe niveli i eksportit. Bilanci tregtar mes Gjermanisë dhe Rusisë, prej 70 miliardë euro, ka qenë vitin e kaluar më i lartë se kurrë më parë. Me anëtarësimin në OBT, mërrëdhëniet mund të rriten edhe për dy miliardë euro. Edhe prodhuesit e automjeteve në Gjermani shpresojnë se me anëtarësimin e Rusisë në këtë organizatë do të ulet niveli i doganave për importim deri në 15 %. Por Hans-Joachim Henckel, nga Ministria gjermane për Ekonomi, paralajmëron nga pritjet e tepruara.
"Kjo natyrisht që mund të ketë sukses, ne qoftë se Rusia i rrespekton rregullat e lojës. Por këtu ka dhe brenga se Rusia do të përpiqet të mbrojë sektorë të ndryshëm të ekonomisë së saj. Është shumë e mundur që ajo të vendosë taksa shtesë apo lehtësime për sektorë të ndryshëm të industrisë, apo nuk do të zbatojë si duhet rregullat e parashikuara me këtë marrëveshje", pohon Henckel.
Rusia është duke keqpërdorur periudhën e tanishme kalimtare, kritikon edhe Balas. Gati çdo javë po miratohen rregulla të reja që janë në kundërshtim me ato të OBT. Ndërkohë që Rusia zyrtarisht ka rënë dakord se do të zbatojë të gjitha rregullat e kësaj organizate.
Rrezistenca më e madhe ndaj liberlizimit të tregut vjen nga ekonomia ruse. Sipërmarrjet vendore kanë frikë nga konkurrenca e jashtme. Ndërsa qeveria ruse shpreson se me rritjen e konkurrencës do të ulet niveli i çmimeve për konsumatorët. Kjo do të mund të zbuste edhe paknaqësinë e popullatës ruse me gjendjen ekonomike në vend.