Rusia ndalon furnizimin e Ukrainës me gaz
16 Qershor 2014![](https://static.dw.com/image/16427471_800.webp)
Pas dështimit të negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës për furnizim me gaz, "Gazpromi" rus ka vendosur që në të ardhmen të furnizojë Ukrainën vetëm me sasitë e paguara më parë të gazit. Sot në mëngjes (e hënë, 16.06.2014) ka skaduar ultimatumi rus për pagesën e borxheve. Koncerni shtetëror rus i gazit "Gazprom" njoftoi se Ukraina do të marrë në të ardhmen vetëm gazin që e ka paguar më parë. Njëkohësisht "Gazprom" ka paralajmëruar edhe Komisionin Evropian për "mundësinë e pengesave", në furnizimin e Evrpës Perëndimore me gaz nga Rusia.
Kërcënohet edhe Evropa
Koncerni ukrainas për furnizimim me gaz "Naftogaz" e ka për obligim që, edhe në rast ndërprerjeje të furnizimit të mëtutjeshëm të Ukrainës, të mos e pengojë transferimin e gazit nga Rusia në vendet e tjera evropiane, përmes territorit ukrainas. Raundi i fundit i negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë, me ndërmjetësimin e komisionerit të Bashkimit Evropian për Energji, Günther Oettinger, ka përfunduar të hënën pa ndonjë marrëveshje. Qeveritë në Kiev dhe në Moskë nuk kanë rënë dakord për çmimin e gazit. Negociatat i kanë ngarkuar në masë edhe tendosjet e fundit dhe luftimet në Lindje të Ukrianës, ku ka pasur dhjetëra të vrarë. Si kundërpërgjigje, ukrainasit kanë sulmuar në fundjavë edhe ambasadën ruse në Kiev.