1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia pezullon furnizimin me gaz për Danimarkën

1 Qershor 2022

Gazprom po shkurton furnizimet me gaz pët një numër në rritje shtetesh evropiane. Sipas tij, ai ka ndaluar furnizimin edhe për Danimarkën.

Gazprom - punonjes
Fotografi: ITAR-TASS/imago

Rusia ka ndaluar furnizimin me gaz të Danimarkës. Kompania më e madhe e energjisë në Danimarkë, Ørsted, tha se arsyeja ishte se ajo refuzoi të paguante për gazin në rubla. Edhe pse dërgesat janë ndërprerë, kompania pritet të jetë në gjendje të vazhdojë të furnizojë klientët e saj. "Ne i qëndrojmë me vendosmëri refuzimit tonë për të paguar në rubla," tha shefi ekzekutiv i Ørsted-it, Mads Nipper.

Rusia ka ndërprerë tashmë furnizimin me gaz natyror edhe për Finlandën, Poloninë dhe Bullgarinë, pasi këto vende kanë refuzuar të paguajnë në rubla. Të martën, Rusia ndaloi furnizimet me gaz edhe për Holandën. Sipas Nipperit, ky zhvillim tregon qartë se BE duhet të bëhet i pavarur nga gazi rus dhe se nevojitet më shumë energji e rinovueshme. Meqenëse nuk ka tubacion të drejtpërdrejtë gazi nga Rusia në Danimarkë, qeveria ruse nuk mund të ndërpresë drejtpërdrejt furnizimin me danezët, theksoi Ørstedi. Danimarka tani duhet të blejë më shumë gaz nga tregu evropian, shtoi ai.

Qeveria gjermane: siguria e furnizimit me gaz është e garantuar

Siguria e furnizimit me gaz në Gjermani mbetet e garantuar, tha një zëdhënëse e Ministrisë Federale të Ekonomisë në Berlin. Ajo reagoi me këtë deklaratë ndaj ndërprerjeve të fundit të furnizimit me gaz prej Gazpromit në Danimarkë dhe Holandë, për shembull.

Zëdhënësja nënvizoi se qeveria federale po i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet e situatës. Lidhur me të ardhmen e rafinerisë Schwedt, ajo tha se po hartohet një zgjidhje. Synimi është që kjo rafineri të funksionojë deri në fund të vitit edhe pa naftën ruse.

Ndalimi i furnizimeve - një vendim i vështirë për t'u riparuar

Pikëpyetja e madhe është nëse Rusia do ta marrë seriozisht dhe do të mbyllë rubinetin edhe për Gjermaninë.

Sipas Jens Südekum-it, anëtar i Bordit Këshillimor Shkencor të Ministrisë Gjermane të Ekonomisë, ky do të ishte një hap i pakthyeshëm. Sepse sapo zbrazen tubacionet e gazit, një pjesë e infrastrukturës dëmtohet dhe nuk mund të ripërdoret.

Megjithatë, eksperti i ekonomisë mendon se Putini do ta ndërmarrë këtë hap përpara se të ndalojë importi i planifikuar i Gjermanisë në mesin e vitit 2024. Deri atëherë, qeveria gjermane planifikon të jetë e pavarur nga gazi rus. "A do të presë Putini kaq gjatë dhe t'i japë Gjermanisë lamtumirën që ka vendosur vetë ai? Më shumë gjasa ka që ai të veprojë më parë dhe të na mbyllë rubinetin," vuri në dukje anëtari i Këshillit Shkencor të Ministrisë Federale të Ekonomisë. Kështu, Putini mund të mbillte sërish kaos në industrinë gjermane, përpara se ta mbyllte këtë biznes.