1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260911 EU Handelsminister Russland

27 Shtator 2011

Ministrat përgjegjës për tregtinë të 27 shteteve të BE-së u këshilluan të hënën në Bruksel mbi anëtarësimin e dëshiruar të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë. Bisedimet treguan, se Rusia është në rrugë të mbarë.

BE-ja ka nevojë për tregti botërore të lirë: Anije me kontejnerë në Bremerhaven.
BE-ja ka nevojë për tregti botërore të lirë: Anije me kontejnerë në Bremerhaven.Fotografi: dapd

Edhe vetëm pak muaj, pastaj sipas vullnetit të shumicës së vendeve të BE-së Rusia do të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Ndër përkrahësit bën pjesë edhe ministri finlandez i tregtisë së jashtme Alexander Stubb. „Shpresoj shumë për një anëtarësim të Rusisë në OBT. Shpresoj, që deri në fund të vitit ta shoh Rusinë si anëtarin e 154-t. Ka ende disa çështje kyç të hapura në sektorin e automjeteve, por ne mendojmë se si Bashkimi Evropian ashtu edhe Rusia do të përfitonin mjaft prej anëtarësisë ruse në OBT.“

Por, Rusia nuk duhet të anëtarësohet me çdo çmim. Vende të ndryshme të BE-së kritkojnë si të mangëta para së gjithash kufizimet në importe në Rusi për mallrat e tyre dhe detyrimet për investime, që iu ngarkon Rusia prodhuesve nga BE-ja. Kjo vlen për shembull për automjetet. Komisioneri i BE-së për tregtinë Karel De Gucht drejton bisedimet me Rusinë në emër të BE-së. „Që BE-ja të tregojë pak fleksibilitet këtu, për këtë jam i gatshëm, por e vërtetë është gjithashtu, që Rusia duhet të përmbushë detyrimet e saj.“ Por, se për cilat detyrime e ka fjalën, këtë De Gucht nuk donte ta tregonte.

Automjete evropiane të shtrenjta prej doganave

Sekretari gjerman i shtetit për ekonominë Jochen Homman dhe ministri finlandez i tregtisë së jashtme Alexander Stubb: Koalicioni të vullnetëshmve apo multilaterlaizëm?Fotografi: picture alliance/dpa

Për automjete bëhet fjalë edhe në bisedimet tregtare me Indinë. Si treg shitjesh për prodhuesit evropianë tregu indian sa vjen e bëhet më i rëndësishëm. Mirëpo, doganat e importit janë një pengesë e madhe, thotë sekretari gjerman i shtetit për ekonominë Jochen Homann. „Ne duam t'i ulim mundësisht mjaft doganat, por duhet thënë se e kemi të qartë që prej Indisë nuk mund të kërkojmë të njëjtën gjë si prej vendeve të tjera të industrializuara. Ja që ajo që është ofruar sot, nuk mjafton ende.“

Oferta është kjo: doganat të ulen brenda pesë vjetësh nga 60 në 40 për qind të çmimit të automjetit. Pra, ato do të ishin ende mjaft të larta. Homann tha se qeveria gjermane dhe vende të tjera të BE-së i kanë kërkuar Komisionit Evropian, që të mos ta pranojë këtë kurrsesi.

Raundi i Dohës në qorrsokak

Ministri finlandez i tregtisë së jashtme Alexander Stubb u tregua në përgjithësi i pakënaqur me vazhdimin zvarritës të të ashtuquajturit Raund të Dohës për liberalizimin e tregtisë botërore. „Është plotësisht e qartë, që na duhet një marrëveshje tregtare shumëpalëshe. Në qoftë se nuk e arrijmë këtë, duhet të mendojmë seriozisht mbi një koalicion të të vullnetëshmve, me fjalë të tjera, ato vende, që duan ta liberalizojnë tregtinë botërore, të bashkohen dhe ta bëjnë. Kemi dhjetë vjet që me Raundin e Dohës bëjmë në vend-numëro, dhe ne na duhet përparimi, sepse kështu nuk mund të vazhdojë gjatë.“

Sekretari gjerman i shtetit Homann e refuzon një veprim të tillë. Ai shpreson që të gjithë të bashkëveprojnë, „sepse përndryshe vihet në pikëpyetje multilateralizmi.“ Por, të gjithë e dinë, që kriza e tanishme është e keqe për tregtinë botërore. Shumë qeveri thonë fjalë sa për të larë gojën në lidhje me tregtinë e lirë botërore, por në praktikë izolohen, për të mbrojtur degët e ekonomisë vendase dhe vendet e punës.

Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW