1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia refuzon armëpushimin në Ukrainë gjatë Krishtlindjeve

17 Dhjetor 2025

Deri tani, presidenti rus Putin kishte shpallur një armëpushim në luftën në Ukrainë vetëm me rastin e Krishtlindjeve ortodokse në janar 2023. Këtë herë ka një iniciativë tjetër për armëpushim. Por Rusia po vendos kushte.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov
Dmitry Peskov (05/12/2025) Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, refuzon një armëpushim për Krishtlindje në UkrainëFotografi: The Kremlin/TheKremlinMoscow-SvenSimon/picture alliance

Qendra e pushtetit rus në Moskë ka rikonfirmuar refuzimin për një armëpushim në luftën në Ukrainë. "Ne duam paqe, nuk duam një armëpushim" në të cilin Ukraina mund të marrë frymë dhe të përgatitet për të vazhduar luftën, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencive ruse, për idenë e një armëpushimi të Krishtlindjeve.

Rusiadëshiron të përfundojë luftën dhe të arrijë objektivat e saj. Do të ketë armëpushim për Krishtlindje vetëm nëse arrihet një marrëveshje paqeje, sipas Peskov.

Iniciativa erdhi nga Kancelari Friedrich Merz

Kancelari gjerman Friedrich Merz të hënën i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin për një armëpushim në Ukrainë gjatë Krishtlindjeve. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski në Zyrën Kancelarore në Berlin, Merz i bëri thirrje Putinit që "të paktën gjatë Krishtlindjeve ta lërë popullin ukrainas të paprekur nga bombardimet dhe sulmet e tjera me raketa."

Friedrich Merz dhe Volodymyr Zelensky shikojnë njëri-tjetrin gjatë konferencës për shtyp për luftën në Ukrainë, mbajtur në Berlin (15 dhjetor 2025). Friedrich Merz dhe Volodymyr Zelensky shikojnë njëri-tjetrin gjatë konferencës për shtyp për luftën në Ukrainë, mbajtur në Berlin (15 dhjetor 2025).Fotografi: Maryam Majd/AP Photo/picture alliance

Në javët dhe muajt e fundit, Rusia ka sulmuar pothuajse pa përjashtim infrastrukturën civile, kopshtet, spitalet dhe objektet e furnizimit me energji. "Ndoshta udhëheqjes ruse i ka mbetur ende një grimcë sjelljeje të njerëzishme dhe do ta lërë popullsinë në paqe për disa ditë, të paktën gjatë Krishtlindjeve," tha Kancelari.

Sipas Merz-it, ky mund të ishte fillimi, për bisedime të arsyeshme dhe konstruktive mbi mënyrën se si të arrihet një paqe e qëndrueshme në Ukrainë. Tani i takon Rusisë të arrijë një armëpushim. 

Bisedime kyçe në Berlin

Negociatorët nga Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara u takuan të dielën dhe të hënën në kryeqytetin gjerman.Në ditën e dytë, takimi dypalësh u shndërrua në një samit ndërkombëtar me përfaqësues nga Gjermania, Polonia, Franca, Italia, Norvegjia, Danimarka, Holanda, NATO-ja dhe BE-ja. Ata diskutuan për një zgjidhje paqësore për Ukrainën, e cila u sulmua nga Rusia gati katër vjet më parë.

Në një deklaratë të miratuar të hënën (15.12.2025) në mbrëmje, kryetarët e shteteve dhe qeverive evropiane bënë thirrje për një forcë shumëkombëshe për të siguruar armëpushim në Ukrainë. Përfaqësuesit rusë nuk morën pjesë në bisedimet në Berlin.

Moska kërkon të fitojë kohë

Rusia ende nuk ka marrë tekstin mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe nuk do të komentojë raportet mediatike mbi këtë çështje, tha zëdhënësi i Kremlinit, Peskov, në Moskë. "Deri tani, ne kemi parë vetëm raporte në gazetat, dhe nuk do të reagojmë ndaj tyre."

Pozicioni i Rusisë mbi konfliktin nuk ka ndryshuar, shtoi Peskov. "Pozicioni ynë është i njohur mirë, ai është i qëndrueshëm, transparent dhe i qartë për Shtetet e Bashkuara. Dhe, në përgjithësi, ai është gjithashtu i njohur edhe nga ukrainasit." 

Rusia deri tani refuzon një "forcë shumëkombëshe" për të garantuar paqen

Peskovi iu përgjigj pyetjeve për deklaratën e përbashkët të kryetarëve të shteteve dhe qeverive evropiane dhe Bashkimit Evropian, e publikuar të hënën vonë në Berlin pas konsultimeve me Zelenskin dhe të dërguarve amerikanë. Ajo propozon një "forcë shumëkombëshe" si pjesë e "garancive të forta të sigurisë" për të siguruar një marrëveshje të mundshme paqeje. 

Forcat ukrainase duhet "të kenë një forcë të përhershme prej 800.000 ushtarësh në kohë paqeje", vijon deklarata. Ajo gjithashtu parashikon "një mekanizëm të udhëhequr nga SHBA-ja për të monitoruar dhe verifikuar armëpushimin me pjesëmarrje ndërkombëtare."  

Takimi i të dërguarve nga SHBA dhe kryetarë shtetesh dhe qeverishë nga vendet e BE-së dhe me presidentin ukrainas në Berlin (15 dhjetor 2025).Fotografi: Lisi Niesner/Reuters/dpa/picture alliance

Mbrojtja e Ukrainës nga një ofensivë e re ruse në rast të një armëpushimi është një nga çështjet qendrore në negociata. Deri tani, Moska ka refuzuar vazhdimisht të lejojë vendosjen e ushtarëve nga vendet evropiane ose shtete të tjera anëtare të NATO-s në Ukrainë për të garantuar paqen. 

Në një intervistë të publikuar të hënën në ABC News, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, përsëriti se Rusia "në asnjë rast" nuk do të pranojë praninë e trupave të NATO-s në Ukrainë. 

Zelenski: marrëveshja mund të prezantohet në Kremlin brenda disa ditësh

Presidenti Zelenski e bëri të qartë të martën në Hagë se Ukraina ka vështirë të përmbushë nevojat e saj financiare. Prandaj, vendimi i Bashkimit Evropian për të përdorur asetet ruse të ngrira për të mbështetur Kievin është me rëndësi jetike.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin në detyrë të Holandës, Dick Schoof, Zelensky tha se përdorimi i aseteve ruse të ngrira do t'i ndihmonte Ukrainës të kompensonte rënien e mbështetjes nga disa prej partnerëve të saj. "Pa atë mbështetje, nuk shoh asnjë mundësi për të mbetur të fortë," sqaroi Zelenski.

Ai gjithashtu tha se një marrëveshje për të përfunduar luftën në Ukrainë mund të finalizohej brenda disa ditësh. Përfaqësuesit amerikanë do ta paraqisnin atë më pas në Kremlin, përpara se të mbaheshin ndoshta takime të tjera në Shtetet e Bashkuara fundjavën e ardhshme.

as/AR (dpa, afp, rtr, kna, AP)

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW