1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëUkrainë

Armëpushim energjitik? Sulme kundër Ukrainës

12 Tetor 2026

Rusia ka sulmuar sërish infrastrukturën energjetike të Ukrainës, megjithë njoftimin e presidentit amerikan për një “armëpushim energjetik” mes Kievit e Moskës. Armëpushimi energjitik nuk është konfirmuar.

Zjarrfikës në terren pas sulmit ndaj godinave në Kharkiv, 11.10.2026
Rusia ka sulmuar sërish infrastrukturën energjetike të Ukrainës, megjithë njoftimin e presidentit amerikan për një “armëpushim energjetik” mes Kievit e MoskësFotografi: Vyacheslav Madiyevskyy/REUTERS

Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ushtria ruse ka goditur objektiva energjetikë në Ukrainë edhe pas shpalljes së armëpushimit. "Rusët sulmuan një termocentral në Kiev me një dron tip Shahed", shkroi Zelensky në rrjetet sociale.

Ky sulm ngre pikëpyetje serioze mbi vlefshmërinë dhe zbatimin e armëpushimit energjetik të shpallur nga Trump. Deri tani, as Moska dhe as Kievi nuk kanë konfirmuar ekzistencën e një marrëveshjeje formale për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.

Të vrarë nga sulmet në Kharkiv dhe në Ukrainën Perëndimore

Më vonë pati edhe sulme të tjera ndaj objekteve energjetike në rajonin e Kharkivit, në verilindje të Ukrainës. "Dhe e gjithë kjo ndodhi pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara bëri deklaratën e tij për një armëpushim energjetik," shtoi Zelensky.

Po ashtu, gjatë një sulmi rus pranë një dyqani ushqimor në Kharkiv, tre persona u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën, njoftoi guvernatori rajonal Oleh Synjehubow në Telegram. Në Ukrainën Perëndimore, kryetari i bashkisë së Ivano-Frankivskut raportoi se dy persona humbën jetën si pasojë e një sulmi rus.

Sulmet e reja vijnë në një moment kur po diskutohet për një armëpushim të mundshëm që do të ndalonte goditjet ndaj infrastrukturës energjetike, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e tij në terren.

Edhe katër aeroportet e kryeqytetit rus, Moskës i pezulluan përkohësisht trafikun ajror në mbrëmje për shkak të dronëve ukrainas që po afroheshin. Edhe në qytete të tjera të Rusisë, trafiku ajror u ndërpre ose u kufizua përkohësisht nga kërcënimi i dronëve.

Trumpi duket se e shpalli "armëpushimin energjetik” pa koordinim paraprak

Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar më herët, për herë të disatë, se Ukraina dhe Rusia synojnë të heqin dorë nga sulmet ndaj sektorit energjetik të njëra-tjetrës. Ai shkroi në platformën e tij Truth Social se "armëpushimi energjetik” hyn në fuqi menjëherë. "Të dyja palët kanë rënë dakord. Ju lutem, respektojeni!", shkroi ai.

Trumpi kishte dalë me një deklaratë të ngjashme edhe në mesin e shtatorit. Megjithatë, pas asaj deklarate, të dyja palët vazhduan sulmet e tyre.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se nuk kishte dijeni paraprakisht për "armëpushimin energjetik” të shpallur nga Trump.Fotografi: Dan Bashakov/AP Photo/picture alliance

Zelensky: Nuk dinim për armëpushimin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se nuk kishte dijeni paraprakisht për "armëpushimin energjetik” të shpallur nga Trump. Megjithatë, ai deklaroi se është i gatshëm ta pranojë një marrëveshje të tillë, nëse edhe Rusia bie dakord. Këtë Zelensky e tha në një intervistë për portalin amerikan të lajmeve Axios.

Në rrjetin X, Zelensky njoftoi se kishte biseduar me kryeministrin kanadez Mark Carney, presidentin finlandez Alexander Stubb dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte lidhur me nismën e Trumpit. "Ukraina e mbështet armëpushimin, por është e rëndësishme që edhe Rusia ta bëjë këtë," shkroi ai. "Tani po presim detajet nga pala amerikane."

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se e mirëpret thirrjen për një "armëpushim të vërtetë energjetik”. Komisioni Evropian njoftoi se presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen e mbështet kërkesën e Zelenskyt për një armëpushim me Rusinë.

Përveç kësaj, BE-ja do të diskutojë nevojat financiare të Ukrainës për vitin e ardhshëm dhe do të ofrojë fonde shtesë për dronë dhe raketa me qëllim forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit.

la/tgsch

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW