151210 Italien Randale
15 Dhjetor 2010Bëhet fjalë për trazirat më të mëdha në Romë në këto 30 vitet e fundit. Arseyja: Rezultati i votimit mbi mocionet e mosbesimit. Kur të martën pasdite (14.12.) u njoftua se Berlusconi e fitoi betejën si në senat ashtu edhe në dhomën e deputetëve, eskaluan disa tubime të mëdha, deri në ato çaste të qeta. Për disa orë rresht disa qindra autonomë humbën kontrollin në qendër të kryeqytetit italian, dhe u vunë flakën makinave të parkuara në rrugët e njohura tregtare si Via del Corso në afërsi të parlametit dhe Via Cola di Rienzo. Ata dëmtuan dyqanet, ngritën barrikada dhe zhvilluan përleshje në rrugë me policinë.
Roma në gjendje alarmi
Sipas dëshmitarëve okularë, nga çdo anë dëgjoheshin britma, njerëzit iknin të dëshpëruar, në Romë kishte një rrëmujë të madhe.“ Një qytetar dhe shitës u shpreh kështu: "Natyrisht që duhet të ketë tubime të tilla - por ju lutem në një formë dhe mënyrë të caktuar. Nuk mund të digjet aq thjesht një qytet. Gjysmë metri para dyqanit tim iu vu flaka dy makinave."
Re të dendura tymi mbuluan qendrën e qytetit, shpërthime eksplozivi dhe granata me gaz lotsjellës! Policia veproi me forcë kundër huliganëve, disa prej të cilëve u rrahën edhe pas arrestimit të tyre. Të gjitha këto pamje u treguan drejtpërdrejt në televizion. Shumica e dyqaneve u mbyllën në mënyrë spontane pikërisht në vlugun e punës në prag të festës së kërshendellave. Turistët ikën të trembur. Bilanci paraprak i ngjarjeve të djeshme: rreth 40 arrestime, të paktën 120 të plagosur, në mesin e tyre kameramanë dhe afro 60 policë. 22 të plagosur u trajtuan në spitale. Kryebashkiaku i Romës Alemanno kritikoi trazirat. "Bëhet fjalë për një agresion të pabazë dhe të tepruar, kjo është me të vërtetë e turpshme, për këtë nuk ka asnjë justifikim social apo politik."
Votuan pro nesh nga presioni - Berlusconi megjithatë i qetë
Shkak i trazirave: 10 deputetë në parlament votuan papritur për kryeministrin Berlusconi duke penguar kështu përmbysjen e tij nga pushteti. Massimo Donaldi nga Partia e Vlerave, IdV: "Ishin dhjetë deputetë, dy nga partia jonë dhe tetë të tjerë, të cilët votuan për Berlusconin. Po mos të ishin këta dhjetë tradhtarë rezultati do të dukej ndryshe."
Sipas opozitës Berlusconi ka arritur t'i blejë me para këta deputetë duke u paguar deri në gjysmë milioni euro për një votë apo duke iu premtuar poste politike. Kjo për faktin se ishte e qartë se pas humbjes së mbështetjes nga aleati i tij, Fini, atij i mungonin shtatë vota.
Kryeministri i Italisë e komentoi me këto fjalë rezultatin e votimit të djeshëm (14.12.) në parlament: "Në minutën e fundit kishte disa persona nga grupi i Finit, të cilët ndodheshin në presion psikologjik dhe jo vetëm psikologjik, prandaj ishin disa më pak që votuan kundër nesh se sa kishim menduar."
Berlusconi natyrisht që flet për presion psikologjik të kryer nga kampi i kundërshtarit të tij. Asnjë fjalë për ndikimet nga ana e tij edhe pse opozita këtë e sheh krejt ndryshe.
Autor: Stefan Troendle/Esat Ahmeti
Redaktoi: Lindita Arapi