1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Së shpejti dërgimi i tankeve luftarake në Ukrainë?

23 Janar 2023

Pas debatit për dërgimin e tankeve luftarake në Ukrainë, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock është shprehur, se Gjermania nuk do të bllokojë dërgimin e tankeve luftarake, Leopard nga shtete të treta.

Deutschland Bundeswehr Kampfpanzer Leopard 2 A7V
Fotografi: Philipp Schulze/dpa/picture-alliance

Ka disa ditë që Gjermania debaton për dërgimin e tankeve luftarake, Leopard në Ukrainë. Në një intervistë në televizionin francez, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock u shpreh, se Gjermania nuk do të bllokojë dërgimin e tankeve luftarake nga shtete të treta. "Në këtrë moment pyetja nuk është shtruar ende, por nëse pyetemi, ne nuk do të pengojmë", tha Baerbock të dielën për televizionin LCI.

Annalena BaerbockFotografi: Carsten Koall/dpa/picture alliance

Politikanja e gjelbër iu përgjigj pyetjes, se si do të vepronte Gjermania nëse Polonia do t'i ofronte Ukrainës tanket Leopard. Në këtë rast duhej një leje e qeverisë gjermane. Ndërkohë që të dielën kryeministri polak, Mateusz Morawiecki deklaroi, se "ne nuk do të shohim duarkryq, se si përgjaket Ukraina. Ukraina dhe Europa do ta fitojnë këtë luftë, me ose pa Gjermaninë. "Nëse nuk kemi një ujdi të shpejtë me Gjermaninë, Polonia dhe vendet e tjera do të krijojnë 'një koalicion të vogël'. Këto vende do të dërgojnë tanket Leopard në Ukrainë edhe pa miratimin gjerman."

Pistorius: Dërgimi i tankeve Leopard vendoset në zyrën e kancelarit

Vendimi, nëse Gjermania do të dërgojë tanket Leopard, sipas të dhënave të ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius është ende i hapur. "Por procesi i vendimmarrjes po lëviz, dhe këtë ne duhet ta presim", tha Pistorius në televizionin e parë gjerman, ARD. Gjithkush e kupton, se në çfarë gjendjeje është Ukraina, dhe për këtë do të ketë "shpejt një vendim, sido që të jetë." Sipas Pistorius kjo varet nga shumë faktorë dhe "vendoset në zyrën e kancelarit."

Fotografi: Hannes P Albert/dpa/picture alliance

Nga opozita gjermane e CDU/CSU ka pasur kritika për qëndrimin hezitues të kancelarit, por edhe nga partnerët e koalicionit, Të Gjelbër dhe FDP. Kreu i partisë konservatore, CDU, Friedrich Merz tha se ai priste që në festimet e përbashkët të Marrëveshjes së  Elysée-së, Scholz së bashku me Macron do të bënin një deklaratë të përbashkët për dërgimin e tankeve luftarake. Kreu i të Gjelbërve, Omid Nouripour u shpreh, se duhet një vendim i shpejtë. Kryetarja e komisionit të mbrojtjes në Bundestag, Marie-Agnes Strack-Zimmermann (FDP), e cilësoi stilin e komunikimit të kancelarit në këtë çështje një "katastrofë".

la/ag