Sëmundja argjentinase
14 Gusht 2014Cristina Fernández de Kirchner kishte të drejtë. 30 korriku kaloi dhe bota vazhdoi të rrotullohej, siç e kishte parashikuar presidentja. Atë ditë Argjentina u shpall insolvente. Askund ky lajm nuk u regjistrua më qetësisht se sa vetë në Argjentinë. Më keq nuk mund të bëhet për ekonominë e rrënuar të Argjentinës. Mervali, indeksi më i madh i bursës, u ngjit shumë një ditë më vonë.
Edhe në vendet fqinje bota vazhdoi të rrotullohej, por me rezerva, së paku nga këndvështrimi ekonomik. Natyrisht që kjo nuk do të ketë pasojat shkatërrimtare si në falimentimin e shtetit në vitin 2001. Por sa më shumë të zgjasë mungesa e aftësisë paguese dhe grindja e Argjentinës me fondet hedge, aq më i madh bëhet shqetësimi në rajon.
Brazili duhet të përballet me rënien e eksporteve
Brazilit për shembull njërit nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Argjentinës, nuk i bëjnë mirë vështirësitë e fqinjit. Ekonomia e tij po dobësohet, të dhënat e inflacionit janë të paktën të pakëndshme, pasiguria për të ardhmen ekonomike është e madhe. Për këtë është përgjegjëse edhe situata në Argjentinë. Deri tani vendi ndodhet në vendin e tretë të blerësve të eksporteve braziliane, pas Kinës dhe SHBA-së
Por në gjysmën e parë të vitit 2014 eksporti ra në mënyrë të konsiderueshme. Eksporti i makinave ra më shumë 35 për qind. "Argjentina është një nga blerësit më të mëdhenj të mallrave të prodhuara këtu", thotë José Augusto de Castro i Shoqatës së Tregtisë së Jashtme braziliane. "Mbi të gjitha, sektori i automobilave nuk ka fare alternativa të tjera. 85 për qind e eksporteve shkojnë në Argjentinë. Por Buenos Aires ka nevojë për një suficit tregtar dhe për këtë arsye duhet të reduktojë importet".
Për shumë kompani të mesme dhe të vogla në shtetet braziliane Rio Grande do Sul dhe Santa Catarina Argjentina është tregu i vetëm. Dhe tani ata mund ta humbasin atë krejtësisht, në qoftë se ekonomia e Argjentinës tkurret më tej.
Humbja e vlerës së pesos
Është deri diku e sigurt se pesoja argjentinase do të zhvlerësohet sërish. Kjo do të ketë pasoja për vendet më të vogla fqinje. Uruguaj, për shembull, shqetësohet për turizmin: 1.76 milion argentinas bëjnë çdo vit pushimet në anën tjetër të Rio de la Plata. Që tani këto pushime nuk janë më të lira, por me zhvlerësimin e pesos ato do të bëhen krejtësisht të papërballueshme për argjentinasit. Dhe natyrisht eksporti është ai, që ka humbje edhe këtu: Në rastin e Uruguajit preken kryesisht tekstilet, letra dhe pajisjet shtëpiake.
Edhe firmat nga Kili të angazhuara shumë në Argjentinë, si rrjeti i supermarketeve Falabella, apo koncerni i shitjes me pakicë Cencosud, shohin me mosbesim nga Andet. Shvlerësimi ul edhe çmimin e aksioneve në bursë. Por në përgjithësi ekonomia e Kilit nuk e ndjen krizën në vendin fqinj, profetizon ekonomisti Alejandro Alarcón nga Universidad de Chile në Santiago: "Ne jemi shumë të shkëputur nga ekonomia argjentinase. tregtia ka një volum ndoshta prej tre përqind. Nga këndvështrimi i ekonomisë reale insolvenca nuk ka pasoja.
Garanci për gazin bolivian
Por kështu e sheh situatën edhe një tjetër partner i rëndësishëm i Argjentinës: Bolivia. Ajo dërgon çdo ditë 17 milionë metër kub gaz në shtetin fqinj dhe kërkon në kompensim dollarë të fortë amerikanë, vetëm 582 milionën në kuartalin e parë të këtij viti. Prej këhësh përflitet se Argjentina ka pagesa të prapambetura. Por shefi i koncernit shtetëror të Naftës dhe Gazit YPFB e mohon një gjë të tillë: "Argjentina paguan sipas rrgullave të rregullluara me kontratë. Nuk ka borxhe, Argjentina i paguan faturat sipas planit", thekson Carlos Villegas.