1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa barrë merr gruaja në shoqërinë kosovare

20 Janar 2010

Edhe pse në krahasim me vendet perëndimore dhe ato të rajonit, numri i shkurorëzimeve në Kosovë është më i vogël, fenomeni është aktual dhe në rritje. Cilat janë arsyet më të shpeshta të shkurorëzimit në Kosovë?

Numri i shkurorëzimeve në Kosovë është në rritje.
Numri i shkurorëzimeve në Kosovë është në rritje.Fotografi: dpa/KPA/Theissen

Një barakë e drunjtë rrëzë pishave të Deçanit është vendbanimi i S. B., e shkurorëzuar tashmë, e cila dy vjet pas lindjes së vajzës është nxjerrë në rrugë nga bashkëshorti dhe familja e tij. Ndërsa, barrën e fanatizmit të traditës patriarkale duhet të bartë e vetme, sepse kjo grua tashmë është braktisur edhe nga familja e saj. “Unë jetoj këtu veç me vajzën. I kam tre vllezër e dy motra. Po, nuk m´ndihmojnë se m´kanë thanë: “E ke marr burrin pa na pyet neve!“ Kurrkush s´më ndihmon, veç një motër e nëna fshehurazi familjes…50 euro i kam social. A me ble dru, a me ble miell, a me shku te mjeku? Pasha Zotin e kokën e këtij fëmije, kurrë ma ngushtë veten s´e di!“

Institucioni i martesës nuk është me një tempull i shenjtë

Ndarja e bashkëshorteve, shkapërderdhja e familjeve dhe vënia në pikëpyetje e të ardhmes së fëmijeve, s´është më pengese sa ishte dikur. Stigmatizimi nga shoqëria i thyesve të kurorës nuk ndodh më, përderisa flijimi për nder të familjeve ka mbetur i së kaluarës. Si rrjedhojë, numri i shkurorëzimeve është në rritje dhe kjo me kërkesën e të dyja palëve. Por, duke qënë se të dhënat përfundimtare të një viti kalendarik dalin vetëm në fund të muajit janar, Hamide Konjushevci, shefe e Departamentit të Statistikave të Popullsisë në Entin e Statistikave të Kosovës, vjen me shifrat e vitit 2008 të cilat janë të përafërta me vitin që lamë pas.

Hamide Konjushevci-Head of the Statistical Office of Kosovo's population das Bild ist von Mir Ajete Beqiraj am 18 januar 2010 gemacht worden.Fotografi: DW

„Shkurorëzimet kanë qënë 57.2 promil, që don të thotë, në 1000 të kurorëzuar, shkurorëzohen 52 çifte…Në total i kemi 1,026 shkurorëzime, me numrin më të madh në Prizren me 9 për qind, në Gjakovë 8,3 për qind, kurse në Prishtinë me 8 për qind. Grupmosha e grave është 20-40 vjeç, ndërsa mosha e meshkujve është 25-45 vjeç. Shkurorëzimi dominon tek personat me shkollë të mesme si dhe tek ata me shkollë fillore, e cila kategori shënon perqindjen më të madhe të shkurorëzimeve. 69 per qind të të shkurorëzuarve janë pa fëmijë. Pra, 722 çifte nuk kanë fëmijë, ndërsa ndër 191 fëmijë të të shkurorëzuarve, kujdestaria për 173 fëmijë I takon nënës, ndërsa për 18-të prej tyre, baballarëve. Pra, është brengosëse se sa barrë merr gruaja në shoqërinë kosovare”.

Dhuna shkaku kryesor i shkurorëzimeve

Këto të dhëna zyrtare burojnë nga Zyrat e Gjendjes Civile apo nga Gjykatat e Qarkut, nga të gjashtë qendrat më të mëdha të Kosovës, prej të cilave si shpjegim për shkurorëzimet vjen dhuna përbrenda familjes, karakteret e ndryshme të bashkëshorteve, mosha e re si dhe gjëndja e rëndë ekonomike.

Por, a është më i mire shkurorëzimi apo një martesë e dhunshme?- pyet Vaxhide Berisha Sopjani, sociologe. „Rrjedhimisht po vjen deri te problemet të cilat për çiftin po duken të pakapërcyeshme. Atëherë, si alterantivë e vetme po mbetet divorci. Pastaj, varfëria, pabarazia gjinore…Sa më shumë të jenë çiftet të ngritur, ata bëjnë kërkesë për shkurorëzim pa dhënë arsyet. Ndërsa sa më e ulët shkalla e arsimit, ata e paraqesin dhunën si shkak të shkurorëzimit„.

Për shkurorëzimet, por edhe kurorëzimet, lindjet dhe vdekjet, Enti i Statistikave nuk ka mbulesë në gjithë territorin e Kosovës. “Për arsye se, komuniteti serb nuk raporton statistikat te ne. Ndërsa, për komunitetet tjera-pakicë posedojmë me të gjitha të dhënat, çfarëdoqofshin ato sepse ata raportojnë te ne. Ndërsa, statistikat e shkurorëzimeve në bazë të perqindjes nuk dallojnë nga komuniteti shqiptar, se mbase mentaliteti është deri diku, i njëjtë" - thotë z.Konjushevci, shefe e Departamentit të Statistikave të Popullsisë.

Shkurorëzimet në Kosovë dhe kurorëzimet formale me shtetas të huaj për shkaqe ekonomike, martesat pa kurorë dhe shumë dukuri të tjera pengojnë sjelljen e një pasqyre të realtë të martesave dhe shkurorëzimeve në Kosovë, poashtu. Por, megjithëse ardhja e bashkësisë ndërkombëtare bashkë me frymen e një demokracie evropiane, shpeshherë të keqkutuar dhe të keqinterpretuar, rriti grafikun e shkurorëzimeve në Kosovë, sipas Entit të Statistikave të Kosovës, Kosova në krahasim me Evropën qëndron ende larg. Ndërsa, krahasuar me shtetet e rajonit ka një perqindje më të vogël të shkurorëzimeve, po ashtu.

Autor : Ajete Beqiraj

Redaktoi : Aida Cama