1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa dihet për dhunën ndaj meshkujve në Kosovë

13 Maj 2011

Policia e Kosovës raporton për qindra raste të dhunës ndaj meshkujve, në dhjetëra prej të cilave ushtruese të dhunës janë gratë. Për shkak të ndikimit të moralit tradicional denoncimet e tilla numërohen me gishta.

Symbolbild zu Verletzung, Veilchen Bild: Fotolia somenski 19973408
Dhunë kundër meshkujveFotografi: Fotolia/somenski

Me t´u përmendur nocioni "dhunë", paraftyrohet femra si viktimë dhe mashkulli si ushtrues I dhunës. Por, jo rrallë mund të jetë e kundërta dhe atë pa medyshje, mendon Fatmir Qollaku, sociolog. "Dhuna mund të ushtrohet ndaj atyre që janë të pabarabartë, në kuptimin e fuqisë, të statusit social dhe të trajtimit të përgjithshëm. Me një fjalë, edhe meshkujt mund t´jenë viktima të dhunës, qoftë nga femra, qoftë nga mashkulli tjetër, qoftë nga relaconi familjar. Por, edhe në rrathët e tjerë social, dhuna psiqike, fizike dhe forma të tjera të dhunës janë të shprehura“.

Edhe meshkujt i nënshtrohen dhunës permanente

Policia e Kosovës raporton për qindra raste të dhunës ndaj meshkujve, në dhjetëra prej të cilave të dyshuarat janë gratë. Rajonet në të cilat është më e shprehur kjo formë dhune janë Prishitna dhe Prizreni.

Fatmir QollakajFotografi: DW

Arber Beka, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, vjen me statistikat e tremujorit të parë të vitit 2011: „Në tremujorin e parë të vitit 2011, gjithsejt janë raportuar 130 raste të dhunës familjare. Ndërsa, në vitin 2010 janë gjithsejt 944 raste të raportuara, 190 prej të cilëve janë meshkujt. Gjithsesi, nuk dihet numri i errët i shifrave,sepse Policia e Kosovës nuk posedon statistika për rastet të cilat nuk janë raportuar. Mirëpo, bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, dhuna në familje është në rënie falë fushatave të realizuara me ndihmën e institucioneve vendore dhe organizatave ndërkombëtare. Kjo ka ndihmuar vetdijësimin e popullatës se rastet e dhunës në familje nuk janë çështje interne, të cilat duhet trajtuar brenda familjes por një trajtim institucional është i domosdoshëm”, thotë z.Beka sipas të cilit ndër rastet e raportuara për dhunë ndaj meshkujve nga babai, axha, vëllai apo lidhje të tjera, përfshihen edhe 11 rastet e denoncuara si dhunë fizike ndaj burrit e dyshuara është gruaja.

Nuk dihen shifrat e errëta të dhunës ndaj meshkujve

Sipas sociologut Qollaku, është një komnglomerat faktorësh të cilët nxisin dhunën ndaj meshkujve, si mosmarrëveshje, mospajtime, dallime në perceptime dhe në pranimin e vlerave, xhelozia e ndërsjelltë, etj. Por, për dhunën ndaj meshkujve në Kosove pak dihet, më pak flitet, ndërsa denoncimet numërohen me gishta. Dhe kjo ndodh për shkak të ndikimit të moralit tradicional dhe të mentalitetit, pohon edhe prof. Fatmir Qollaku: „Hulumtimet e bëra janë tregues të dhunës kur viktima janë meshkujt, por shumë rrallë denoncohet kjo dhunë. Pra, mashkulli në cilësinë e viktimës në njëfarë mënyre heziton ta denoncojë dhunën, përveç në nëse kjo ndodh në mënyrë të rastësishme”.

Arber Beka, zyrtar për informim në Policinë e KosovësFotografi: DW

Por, kur dhuna nuk denoncohet, e keqja shumëfishohet. Ahmet Fejzullahu, drejtor i njërës ndër tri Qendrat për Punë Sociale në Prishtinë, sjell një shembull të tillë nga përvoja si punëtor social. „E ka sulmu gruaja bashkëshortin sëpatë dhe ajo është ngulur në derë. Por, gruaja e ka paraqit rastin si dhunë ndaj saj, ndërsa para policisë burri e ka prani se e ka marrë veprën përsipër dhe tre muaj ka qëndru n´burg. Pas një kohe të shkurtër nga lirimi, ka vazhduar tortura dhe rruga e pakthim e gruas, e cila ka ushtru dhunë permanente ndaj tij, deri në ndarje. Ai sot është rimartuar dhe ka një jetë tejet të qetë dhe të lumtur me martesën e dytë“, thotë drejtori Fejzullahu.

Meshkujt hamenden të denoncojnë dhunën ndaj tyre

„Dhe këtë e thëm me bindje të plotë. Por, ata hamenden gjatë ta denoncojnë dhunën, deri në një moment kur pësojnë një thyrje personaliteti dhe kur kupa mbushet ata rrëfehen pa kufizim fare“, thotë drejtori Fejzullahu, sipas të cilit në asnjërën prej të 11 strehimoreve për viktimat e dhunës në Kosovë, nuk ka vend për meshkuj mbi moshën 15 vjeçare.

Dhe, kur paraqitet rasti, ne i kemi duart e lidhura. Dhe; njerëzit qe ju ndodhin këto gjëra ata i ledahtojnë problemet në vend që të ballafaqohen me to. Shkojnë me shpresën se bëhet mirë, por rrallë ndodh kjo dhe gjendja vazhdon deri në shkëputje. Nuk ka martesë as bashkëjetesë me çdo kusht. Më e mirë një ndarje e dinjitetshme dhe njerëzore se sa një bashkim i deformuar dhe i dhunshëm”, thotë drejtori Fejzullahu. Kurse, prof. Fatmir Qollakaj, sociolog, kërkon nagazhim më të shtuar në parandalimin e kësaj forme e dhunës.

Ahmet Fejzullahu Drejtor i Qendrës për Punë Sociale në PrishtinëFotografi: DW

Më e mirë një ndarje e dinjitetshme se një martesë e dhunshme

„Nevojitet një senzibilizim, një vetdijësim dhe një shkarkim nga paragjykimet në kuptimin e komunikimit të drejtpërdrejtë. Mediat kanë një rol të rëndësishëm në shembjen e atyre paragjykimeve, të asaj qasjeje stereotipe, se pavarësisht nga kush vjen dhuna, që ajo të mbahet nën kotroll duhet të denoncohet”.

Sipas Policisë së Kosovës, prej të 954 rasteve të raportuara për dhunën në familje gjatë vitit 2010, 190 prej tyre janë meshkuj. Ndërsa, në 11 raste ushtrueset e dhunës ndaj tyre janë femrat.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW