1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa efektive janë sanksionet kundër Rusisë?

23 Shkurt 2023

Sipas ekspertëve, masat ndëshkuese janë efektive – edhe nëse ende nuk e kanë arritur qëllimin e tyre përfundimtar. Cilat janë efektet e sanksioneve?

Sanksionet kundër Rusisë
Sanksionet kundër RusisëFotografi: Alexander Sayganov/SOPA Images/ZUMA/picture alliance

Asnjë vend në botë nuk ka aktualisht aq shumë sanksione sa Rusia. Para luftës kishte 2500 sanksione ndaj këtij vendi, ndërsa tani janë shtuar edhe më shumë se 11.000 të tjera. Këto sanksione i kanë vënë, ndër të tjera, Bashkimi Evropian, vendet e G7, Australia dhe Zvicra. Sanksionet janë vënë kundër individëve, degëve të biznesit apo institucioneve të vendit, siç thuhet në platformën e internetit Castellum.AI.

Stop karburanteve të PutinitFotografi: Nicolas Landemard/Le Pictorium/MAXPPP/dpa/picture alliance

Më shumë se një mijë kompani të huaja u larguan nga Rusia brenda një viti. Presidenti Vladimir Putinpak ditë më parë bërtiti: "Gjithë të mirat! Po humbisni tregun tonë, do të pësoni humbje të mëdha. Por ky është vendimi juaj." Dhe më pas shtoi: "Nëse dikush beson se gjithçka këtu do të shembet dhe do të dështojë - jo, asgjë nuk është rrëzuar apo shembur".

"Lista e turpit"

Produktet, mallrat dhe shërbimet ruse duhet të bëhen "një subjekt i krenarisë sonë kombëtare", theksoi Putin, duke shtuar: "Këto mallra dhe shërbime nuk duhet të jenë të suksesshme vetëm në tregun e brendshëm, por natyrisht edhe në tregjet ndërkombëtare".

Por nuk mund të bëhet fjalë për tërheqjen e plotë të kompanive perëndimore nga Rusia. "Lista e turpit”, e publikuar nga profesori i ekonomisë në Universitetin Yale, Jeffrey Sonnenfeld, liston se cilat kompani janë larguar nga Rusia dhe cilat kanë mbetur aktive në këtë vend.

Numri i turistëve të huaj ka rënë me 96%

Në kryeqytetin rus, për shembull, sanksionet perëndimore nuk janë menjëherë të dukshme për turistët. Logot e shumë firmave perëndimore janë zëvendësuar me tabela ruse, të cilat duken të ngjashme.

Problem është edhe turizmi - numri i vizitorëve të huaj ka rënë me 96 për qind. Në vend të pesë milionë turistëve, sa kishte një vit para virusit korona, vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare të Shoqatës Turistike të Rusisë, këtë vend e kanë vizituar vetëm 200 mijë vizitorë.

Sanksionet kundër Rusisë - RosbankFotografi: Alexander Sayganov/SOPA/ZUMA Press/picture alliance

Nëse shikoni listën gjithnjë në zgjerim të sanksioneve të BE-së, mund të shihni se ato përfshijnë makineri dhe automjete, mallra luksoze dhe armët, teknologji të lartë, pajisje për transportin ajror dhe hapësinor dhe teknologjinë për shfrytëzimin e naftës. Degët për ofrimin e shërbimeve si auditimi, sektori i IT-së, konsultimet dhe këshillat tatimore si dhe reklamat janë gjithashtu tabu. Hapësira ajrore evropiane është e mbyllur për linjat ajrore ruse dhe rrugët për shumicën e transportuesve rusë dhe bjelloruse të mallrave. Banka Qendrore e Rusisë dhe shumica e bankave tregtare janë të shkëputura nga flukset e parave ndërkombëtare.

Mungesa e teknologjisë për sektorin e energjisë

Verën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dha një shembull të suksesit të sanksioneve, i cili u duk i çuditshëm për shumë njerëz: "Ushtria ruse merr çipa nga lavatriçet apo frigoriferët dhe i instalon në pajisjet e luftës sepse nuk ka gjysmëpërçues."

"Sanksionet po funksionojnë ngadalë,por po funksionojnë," thotë eksperti rus, Eric Woydte nga Instituti Civil i Dyseldorfit për gazin, sepse ka mungesë teknologjie për shkak të sanksioneve. Rusia është shumë e varur nga kjo teknologji”, thotë Woydte.

Një shembull tjetër është industria e automobilave. "Përbërësit si ABS ose Airbag nuk janë më të disponueshëm. Kjo do të thotë, për shembull, se Rusia po ul standardet. Po trajtohet edhe kthimi në normën Euro2, e cila është aplikuar në Gjermani në vitet 1990."

Një minus i madh në buxhetin e shtetit

Prodhimi i makinave në Rusi ra me pothuajse 70 për qind vitin e kaluar, që është niveli më i ultë në histori. Edhe sanksionet kundër industrisë së naftës, të cilat janë shtrënguar disa herë, duket se po funksionojnë. Në janar, buxheti i shtetit rus kishte një deficit prej 23 miliardë euro, ndaj u detyrua të fillojë me shitjen e rezervave të arit.

Pamje simbolike - largimi i kompanive gjermane nga RusiaFotografi: Igor Golovniov/ZUMA/picture alliance

Megjithatë, ekonomia ruse është dëshmuar të jetë më e fortë se sa pritej në fillimin e sanksioneve. Pra, sa të suksesshme janë sanksionet?

Eksperti rus Woydte nuk i konsideron ato shumë të suksesshme për momentin. "Sanksionet kanë shkaktuar një humbje të konsiderueshme të pasurisë tek popullata, ndërkohë që shtresa e lartë, oligarkët, të pasurit ende mund të sigurojnë produktet perëndimore. Ata gjejnë mënyrën për të udhëtuar, përderisa nuk janë në listën e zezë, megjithëse ka shumë përjashtime."

Qeveria ruse duket se nuk është e gatshme të ndryshojë kursin. "Putini aktualisht nuk pengohet nga sanksionet," thotë Woydte. Nga pikëpamja perëndimore, sanksionet "nuk kanë sjellë ende suksesin e dëshiruar" - fundin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

 

 

ARD-Tagesschau.de/bc