1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa rezultat kanë pasur grupet e punës në Kosovë?

Bekim Shehu19 Janar 2006

Autoritetet ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë, kanë kritikuar ashpër grupet e punës të Kosovës. Sipas tyre ata kanë dështuar gjatë bisedimeve teknike me autoritetet e Beogradit

Unmik-u në Prishtinë
Unmik-u në PrishtinëFotografi: DW

Dialogu teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit i filluar dy vite më parë nuk ka sjellë shumë rezultate kanë deklaruar udhëheqësit ndërkombëtarë dhe vendorë në Kosovë. Për të aktualizuar edhe njëherë këtë çështje, qeveria ka formuar edhe tri grupe të tjera pune. Grupet do të bisedojnë edhe për çështjet sociale, përfshirë këtu fondet pensionale, për dokumentacionin civil e kadastral të Kosovës të mbetur në Serbi si dhe për çështjet e shëndetësisë.

Krerët ndërkombëtarë dhe vendorë në Kosovë, kanë kritikuar ashpër grupet e punës në Kosovë, se nuk kanë bërë shumë gjatë bisedave teknike me autoritetet e Beogradit. Këtë dialog të filluar dy vite më parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, udhëheqësit e këtushëm e kanë cilësuar pothuaj të dështuar. Janë katër çështje për të cilat autoritet e Prishtinës dhe Beogradit, tash e dy vite kanë zhvilluar vetëm disa takime pa rezultate. Është çështja e energjisë, çështja e transportit, kthimi i personave të zhvendosur dhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur. Kjo e fundit, fati i personave të zhdukur cilësohet një çështje shumë e ndjeshme në të cilën rezultatet janë shumë të vogla. Lari Rosin, është zëvëndësshef i UNMIK-ut, në Kosovë. Siç e dimë ka pasur shumë insistime nga udhëheqësit e grupit të punës të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, që të jepen të gjitha informacionet për personat e zhdukur, por në këtë drejtim informacionet kanë qenë shumë të pakta, tha Lari Rosin.

I pakënaqur me punën e grupeve punuese, është shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi. Zhvillimi i dialogut teknik me autoritet e Beogradit, përbën një nga tetë standardet kryesore të kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar që Kosova duhet të përmbushë. Kjo po kërkohet vazhdimisht edhe tash nga autoritet ndërkombëtare të cilët thonë, se krahas bisedave për statusin duhet vazhduar edhe me procesin e standardeve. Këtë mesazh qeveria e Kosovës, sipas kryeministrit Kosumi, e ka kuptuar drejt. Në këtë linjë, qeveria ka formuar edhe tri grupe të tjera pune që pritet të fillojnë së shpejti dialogun teknik me autoritet e Beogradit. Grupet do të bisedojnë edhe për çështjet sociale, përfshirë këtu fondet pensionale, për dokumentacionin civil e kadastral të Kosovës të mbetur në Serbi dhe për çështjet e shëndetësisë.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW